Krasniqi thotë se Kurti e ka mjeshtri propagandën: Qeverisjen e ka pasur jashtëzakonisht të dobët
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka adresuar kritika të shumta ndaj Qeverisë së Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Sipas Krasniqi, Kurti e ka “mjeshtri propagandën”, ndërsa qeverisjen “jashtëzakonisht të dobët”.
Duke folur për “EO”, Krasniqi ka thënë se Kurti nuk i ka plotësuar premtimet e tij, duke përmendur ekonominë “e stagnuar” dhe shëndetësinë e “degraduar”.
“Fatkeqësisht krejt ato që i ka premtuar ka mbetur pa realizuar duke filluar nga fakti që sot kemi një ekonomi të stagnuar kemi një shëndetësi të degraduar, një arsim shumë më keq sesa që ka qenë në të kaluarën, kemi mungesë të projekteve infrastrukturore”, ka thënë ai.
Ndërsa për çështjen e veriut, Krasniqi ka thënë se është instrumentalizuar nga pushteti aktual.
“Asgjë e re nuk ka ndodhur përveç pra një ngritje të dozës së popullizmit që është bërë faktori kryesor i qeverisë Kurti, i cili fatkeqësisht për ne si të gjithë ne qytetarët nuk ka tema me të cilat mund të mburret, nuk ka tema që mund t’i trajtojë dhe të garojë nesër në zgjedhje përveç Veriut të cilën e ka instrumetalizuar si temë për të tentuar mashtrimet e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.
Më tutje, Krasniqi ka përmendur disa prej premtimeve më të rëndësishme të Kurtit, përfshirë ndërtimin e çerdheve dhe autoudhët në Gjilan, Podujevë dhe Mitrovicë.
“Prej premtimeve që kanë qenë shumë të popullarizuara të tipit të ndërtimit të 160 çerdheve për një mandat qeverisëse ne në ditët e fundit të këtij mandatit nuk besoj që kemi katër çerdhe të ndërtuara. Prej atij premtimi që do të ketë banesa me çmim të përballueshme për çiftet e reja në mënyrë të veçantë ne sot i kemi çmimet e metrit katror shumë herë më të shtrenjta sesa kur e ka marrë mandatin. Prej premtimeve që do të ndërtojë autoudhët e pakryer për rrugët Gjilan, Podujevë, Mitrovicë krejt çka ka mbet nga projektet infrastrukturor është ura e famshme e Saradranit, dhe fatkeqësisht as ura e Badovcit e cila po i bënë kaq shumë telashe të gjithë qytetareve që udhëtojnë për Anamoravë, as ajo nuk ka mbërri me përfunduar që është një punë që nuk do të duhet të merrte kohë as dy muaj”, ka thënë Krasniqi.
Lideri i PDK-së ka folur edhe për zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurttë vitit 2025.
“Kemi një kryeministër që me të vërtetë me fjalë ka qenë shumë i mirë por propagandën e ka mjeshtri, por qeverisjen e ka pasur jashtëzakonisht të dobët të paaftë dhe jo kompetente për çka besoj që qytetarët tashmë e kanë të qartë besoj që zgjedhjet e 9 shkurtit do të jenë një ballafaqim mes mungesës së kompetencës, vizionit dhe aftësisë për të qeverisur kombinuar me një propagande të hatashme siç e kanë pasur dhe e kanë gjithmonë dhe ndoshta fakti që ne si PDK nuk jemi propagandues të mirë, nuk dimë me bërë një gjë të tillë, por të paktën punën dhe premtimet i kemi realizuar në të kaluarën dhe do t’i realizojmë edhe në të ardhmen”, ka thënë Krasniqi.