Krasniqi thotë se pas një “koordinimi të ngushtë” mes institucionve të Kosovës u mbyllën komunat paralele në Veri
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka ndarë detaje mbi aksionin e sotëm të Policisë në veri të vendit, me ç’rast bëri të ditur se u mbyllën komunat paralele në katër komunat veriore.
Sipas Krasniqit, këto institucione paralele ilegale funksionin nën direktivat e Serbisë, duke cenuar kushtetueshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
“Sot, pas një koordinimi të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë:
1. Qarku i Mitrovicës së Kosovës
2. Komuna paralele e Mitrovicës
3. Komuna paralele e Zveçanit
4. Komuna paralele e Zubin Potokut
5. Komuna paralele e Leposaviqit.
Këto 5 sot i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.
Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë.
Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës.
Nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës sonë” shkroi Krasniqi.