Krasniqi thotë se po harrohen figurat e mëdha kombëtare
Kryetari i Këshillit Komëbtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka thënë se është mirë që pas çlirimit të Kosovës po ndërtohen shtatore për të rënit në luftën e fundit, por ai thotë se historia e jonë nuk fillon në vitet e 90-ta e as në fund të shekullit XX.
Ish-kryetari i Kuvendit thotë se historia nuk fillon e as mbaron me një a dy gjenerata, qofshin edhe gjenerata luftëtaresh.
“Populli ynë ka shumë personalitete të kohëve të ndryshme, e sidomos të shekujve XIX e XX që në forma të ndryshme kanë mbajtur të gjallë frymën e atdhedashurisë e të liridashësish, të edukimit e të drejtësisë më të cilat kanë mbajtur gjallë frymën e kombëtarisë, të drejtësisë e të moralit, të kulturës e të edukimit të njerëzishëm të brezave”, ka shkruar ndër të tjera
Në këtë shkrim, ish-zëdhënësi i UÇK-së ka përmendur figurat si: Xhemajl Abria, Shaban Polluzha, Fazli Grejqevci, Tahir Berisha, Ramadan Shabani dhe rapsodin e mirënjohur Sali Bajrami.
Postimi i plotë i Krasniqit në llogarinë e vet në “Facebook”:
NË DRENICË E NË LLAPUSHË NDJEHET MUNGESA E SHËNJIMIT TË PERSONALITETEVE TË RËNDËSISHME KOMBËTARE!
Pas çlirimit në Kosovë është mirë që po ndërtohen shtatore për të rënit në luftën e fundit, por historia jonë nuk fillon në vitet e ’90-ta e as në fund të shekullit XX. Pra, historia nuk fillon e as mbaron me një a dy gjenerata, qofshin edhe gjenerata luftëtarësh. Populli ynë ka shumë personalitete të kohëve të ndryshme, e sidomos të shekujve XIX e XX që në forma të ndryshme kanë mbajtur të gjallë frymën e atdhedashurisë e të liridashësish, të edukimit e të drejtësisë më të cilat kanë mbajtur gjallë frymën e kombëtarisë, të drejtësisë e të moralit, të kulturës e të edukimit të njerëzishëm të brezave.
Kësaj radhe do të shkruaj për disa personalitete kombëtare që lidhen shumë ngushtë me trevën e Drenicës dhe atë të Llapushës. Nuk kam asnjë mëdyshje, Drenicës i mungojnë monumentet e tri personaliteteve të veçanta historike dhe emblematike të kohërave të ndryshme. Sipas rendit, Drenica duhet të ngritë përmendore për mendjen më të urtë, urtësia e të cilit është përsëritur gojarisht nder breza. Fjalën e kam për mendimtarin e urtë, Xhemajl Abrinë, ose siç i thoshin ndryshe, Xhemajl Aga. Xhemajl Abria me Lakminë njerëzore (kajten), nuk dëshironte të shkonte askund se bashku, në asnjë kuvend burrash a mexhlis, se ajo e pengonte të ishte njeriu i duhur për njerëzit e kombin e tij, për drejtësinë që aq shumë kishte nevojë kombi ynë. Drenicës gjithashtu i mungon dhe i mungon shumë monumenti për luftëtarin e veçantë e të vendosur të Luftës së Drenicës, Shaban Palluzhën, trimit shtatëdhjetë vjeçar, i cili në një kohë tepër të vështirë, atdheut i doli zot, duke i treguar armikut se vendi ynë kishte zot – shqiptarët. I treti është mësuesi e revolucionar, Fazli Greiçefci, i cili duke luftuar për flamurin kuq e zi u bë edhe vet flamurtar i lirisë! Flamurtar i Lëvizjes Revolucionare për çlirim e bashkim kombëtar. Secili nga këto personalitete janë krye-emblema të kohëve të tyre. Këta ishin emra të përveçëm, emra që flasin shumë për dje, për sot e për nesër.
Si Drenicës, ashtu edhe Llapushës i mungojnë tri monumente të mëdha, mbase edhe më shumë. Llapushës i mungon monumenti i vizionarit e parashikuesit më të madh të kohës, i mungon monumenti i Tahir Berishës. I familjes që dha shumë për lirinë dhe atdheun tonë. I mungon dhe i mungon shumë, monumenti i plakut të drejtësisë kanunore, Ramadan Shabanit, i personalitetit më të madh të Drejtësisë popullore (kanunore) edhe në rrafshin kombëtar. Edhe kjo familje, drejtësisë kanunore i dha shumë breza pleqnarësh për më shumë se një shekull. Drejtësia e tyre nuk është kontestuar as edhe një herë. Dhe personaliteti i tretë pa dyshim që është rapsodi folklorit shqiptar, gjithashtu i njohur edhe në rrafsh kombëtar për zërin e tij karakteristik, Salih Bajramin – Krasniqin nga Drenoci i Vllehve. Do të ishte në nderin e kohës sonë, të mendonim seriozisht, për përjetësimin e këtyre gjashtë personaliteteve në monumente kulture e historie kombëtare, pasi secili në mënyrën e vet, kontribuuan dhe kontribuuan shumë në brumosjen e atdhedashurisë e urtësisë kombëtare ndër breza.
Këto personalitete i profilizova si të nivelit lokal, por në fakt janë personalitete të mëdha edhe në rrafshin kombëtar dhe meritojnë përjetësimin e emrit të tyre në monumente të ndryshme kulturore a medalje të ndryshme vlerësimi e përkujtimi për gjenerata të shumta. Shkrova për këto personalitete, ndonëse jam shumë i bindur, se harresa jonë i ka lënë nën hije edhe shumë personalitete të tjera anë e kënd Kosovës e Shqipërisë. Të shpresojmë se do të vije një gjeneratë që mendon e rezonin përtej interesave të ngushta familjare, gjenerate a provinciale dhe nxjerr në peshore të gjithë mendjet e urta të kombit, mendje që kontribuuan në shumë fusha të jetës.
Drenasi dhe Malisheva do të merrnin pamje hijeshie e krenarie me personalitetet e përmendura! Padyshim që kjo që thash nuk vlen vetëm për këto komuna, por vlen për gjithë hapësirën tonë kombëtare. Madje ketë po e bëjë për të nxitur një diskutim dinamik në nivel vendi se historinë e lavdisë nuk e përbënë vetëm një brez qoftë ai edhe brezi i çlirimit të Kosovës. Me qëllim që t’i qesim në dritë të gjitha personalitetet e kombit që i ka mbuluar pluhuri i harresës. Dhe ndaj të cilëve u është bërë një padrejtësi historike!
I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë personalitetet e përmasave kombëtare!