Krasniqi thotë se sivjet nuk ka hapësirë për zgjedhje të reja (Video)
Migrimi në Kosovë nuk është tani i njëjtë me atë të vitit 2015. Kështu ka thënë nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.
Në një intervistë për “Kosovapress”, Krasniqi ka thënë se njerëzve duhet t’u krijohet besueshmëri që të mund të kenë perspektiven në Kosovë.
Krasniqi në këtë intervistë ka folur edhe për punësimet e njerëzve të afërt me pushtetarët, nëpër institucionet publike.
Ai ka thënë se është e dënueshme të punësohen vetëm familjarët dhe militantët e partive, por nuk është edhe ligjore.
Sipas tij, kjo do të vazhdojë derisa qytetarët nuk vetëdijesohen dhe nuk kërkojnë llogari e transparencë më të madhe prej institucioneve, dhe partive politike.
Në këtë kontekst, Krasniqi ka thënë se organizatat e shoqërisë civile duhet të monitorojnë më shumë transparencën në ndërmarrjet publike.
Ndërsa i pyetur për problemet me listat e veteranëve të UÇK-së, Krasniqi ka thënë se një çështje e tillë, e cila lidhet me lirinë e Kosovës, nuk është dashur të vijë në këtë nivel.
Sipas tij, duhet të ketë drejtësi në kuptimin e verifikimit se kush janë njerëzit përgjegjës për ato lista.
Më tutje, Krasniqi i cili është edhe shef i grupit parlamentar të PDK-së, ka folur edhe për koalicionin qeverisës.
Krasniqi ka thënë se koalicioni qeveritar është stabil. “Personalisht nuk besoj që ka zgjedhje as nuk ka hapësirë për të pasur zgjedhje në këtë vit. Janë më pak se dy vite që ne kemi përfunduar zgjedhjet parlamentare dhe po ashtu gati dy vite prej zgjedhjeve lokale. Është shumë me rëndësi që edhe si vend të kalojmë në një stad ku respektojmë këto orare të rregullta kushtetuese dhe ligjore sa i përket zgjedhjeve”.
“Jo vetëm në Kosovë por edhe vende të tjera, veçanërisht në rajon, nëse i keni përcjell zhvillimet këto vitet e fundit, pothuajse asnjë mandat nuk ka përfunduar deri në fund. Dhe në këtë kuadër ne nuk mund ta parashikojmë se çka mund të ndodh në vitin e ardhshëm. Por nëse mund të them kështu, në të ardhmen e parashikueshme nuk besoj që ka hapësirë për ta pasur zgjedhje sepse koalicioni qeveritar është stabil”, ka thënë Krasniqi.