Krasniqi tregon se nga cila datë ka filluar të rrjedh afati për peticione në katër komunat në veri

10 janar 2024 | 11:45

Ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka folur për procesin e shkarkimit të katër kryetarëve të komunave në veri të vendit përmes peticioneve të iniciuara nga qytetarët.

Kransiqi ka thënë se për tri komunat, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok, më 22 dhjetor të vitit 2023 ka nisur rrjedhja e afatit për mbledhjen e nënshkrimeve.

Derisa ka sqaruar se procesi në Komunën e Zveçanit dallon nga këto tri komuna, meqë kryetarja e Kuvendit Komunal të Zveçanit nuk e ka procesuar kërkesën e qytetarëve në KQZ dhe kësisoj grupi i qytetarëve i janë drejtuar vetë MAPL-së dhe KQZ-së bazuar në Udhëzimin Administrativ.

“Tashmë kemi katër grupe të qytetarëve në veri të vendit që po mbledhin nënshkrime. Nga informacionet që kemi nga kryesuesit e kuvendeve, të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, me datën 22 dhjetor janë takuar me qytetarë që kanë iniciuar këtë proces dhe janë autorizuar si palët dhe nga data 22 fillon rrjedhja e afatit. Ndërsa për Komunën e Zveçanit kemi një situatë tjetër, pasi kryesuesja e Kuvendit s’e ka proceduar tek KQZ-ja kërkesën e qytetarëve. Por siç është paraparë me udhëzim administrative, qytetarët i janë drejtuar MAPL-së dhe KQZ-së dhe kanë pranuar numrin e trupës votuesve në Zveçan dhe 20 për qind  e duhur për të mbledhur nënshkrimet dhe për të procesuar me pjesën tjetër të udhëzimit administrativ”, ka thënë ministri Krasniqi në një konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë.

Krasniqi ka thënë se për Komunën e Zveçanit, afati për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të Komunës ka nisur të rrjedh nga 27 dhjetori.

“Data 27 dhjetor është kur kanë marrë informacione. Nga ai moment fillojnë të rrjedhin 30 ditë e kohës së paraparë për mbledhje të nënshkrimeve”, ka thënë Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në vitin 2024 do të mungojnë rreth 150 mijë punëtorë.…