Krasniqi: UÇK-ja ishte ndërmarrje e përbashkët çlirimtare
Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u deklarua i pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që Dhomat e Specializuara në Hagë kanë ngritur ndaj tij.
Pala mbrojtëse tha se shumë shpejt do të bëjë kërkesë për lirimin me kusht të Krasniqit.
“Unë nuk ndihem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë dhe për asnjë gjë tjetër që thuhet në aktakuzë”, ka pohuar Krasniqi gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara, ku u pyet nëse deklarohet i pafajshëm apo fajtor për krimet që rëndojnë ndaj tij.
Krasniqi para trupit gjykues të Gjykatës Speciale, ka thënë se kurrë në jetën e tij nuk ka bërë asnjë krim.
Ai ka thënë se Serbia ka kryer krime në Kosovë dhe jo UÇK-ja e cila ka bërë luftë çlirimtare.
Krasniqi para se të deklarohej për aktakuzën mbajti një fjalim para gjykatës, ku tha se i është bërë një padrejtësi e madhe.
“Cilësimi i prokurorit të Dhomave të Specializuara se ne qenkemi ndërmarrje kriminale e përbashkët, për mua, shokët e mi, familjen time që luftuam gjatë, por edhe për kombin tonë nuk ka diçka më fyese pasi ne një kohë të gjatë në rrethana tepër të vështira jetë a vdekje, u vumë në shërbim të lirisë e të shtetndërtimit të cilat i arritëm në bashkëveprim me Shtetet e Bashkuara, me vendet e Bashkimit Evropian, me NATO-n, me OKB-në dhe të gjithë së bashku ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese”, ka thënë Krasniqi gjatë fjalimit para Gjykatës në Hagë, ku u pa se ishte i emocionuar.
Krasniqi u ankua edhe për trajtimin që po i bëhet nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.
“Unë jam arrestuar më 4 nëntor. Në aktakuzë po na quani ndërmarrje kriminale të përbashkët. Unë dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time në asnjë rast nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut e deri në këtë ndërtesë”, ka thënë ai.