Krasniqi uron nxënësit dhe mësimdhënësit për vitin e ri shkollor, kritikon qeverinë

01 shtator 2023 | 12:15

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor.

Pas urimit, Krasniqi ka kritikuar qeverinë Kurti për dështim në sigurimin e teksteve shkollore.

“I kuptoj shqetësimet tuaja si prindër se kjo aventurë e jashtëzakonshme për fëmijët tuaj, u shoqërua me zhgënjime të mëdha si pasojë e dështimit të qeverisë për të siguruar librat për të gjithë nxënësit me kohë dhe në mënyrën e duhur. Por, ky dështim le të mbetet në ndërgjegjen e qeverisë, para se të bëhet pengesë për ëndrrat e fëmijëve tanë”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Postimi i plotë i Krasniqit:

Të dashur nxënës, mësues dhe prindër,

Urime fillimi i këtij viti të ri shkollor për të gjithë ju!

Kjo ditë e veçantë dhe emocionuese, posaçërisht për ju që po e nisni këtë rrugëtim për herë të parë, qoftë një fillim i sukseseve të njëpasnjëshme në jetën tuaj.

I kuptoj shqetësimet tuaja si prindër se kjo aventurë e jashtëzakonshme për fëmijët tuaj, u shoqërua me zhgënjime të mëdha si pasojë e dështimit të qeverisë për të siguruar librat për të gjithë nxënësit me kohë dhe në mënyrën e duhur. Por, ky dështim le të mbetet në ndërgjegjen e qeverisë, para se të bëhet pengesë për ëndrrat e fëmijëve tanë.

Është shumë e rëndësishme që përtej këtyre sfidave, të mos i lëmë synimet tona të lëkunden. Sot është një ditë për të përqafuar ëndrra dhe aspirata të reja.

Si nxënës, shfrytëzojeni këtë mundësi për t’u thelluar në lëndët dhe temat që ndezin pasionin tuaj. Si mësues, udhëzoni dhe frymëzoni nxënësit tuaj me njohuritë dhe përkushtimin tuaj, duke bërë më shumë për të ofruar mbështetje aty ku është më e nevojshme. Dhe si prindër, vazhdoni të jeni shtylla mbështetëse për fëmijët tuaj, duke u rrënjosur besimin se asnjë pengesë nuk është e pakapërcyeshme.

Le të jetë ky një vit rritjeje, edukimi, qëndrueshmërie dhe vendosmërie. Le ta përballojmë çdo ditë me optimizëm, duke e ditur se kemi fuqinë për të krijuar ndryshime pozitive në jetën tonë dhe brenda komuniteteve tona.

Me përpjekjet kolektive të nxënësve, mësuesve dhe prindërve, mund të kapërcehen vështirësitë me të cilat sot po ballafaqohemi. Së bashku, ne mund ta kthejmë edhe këtë vit në një vit triumfi dhe arritjeje.

Urime dhe suksese të shumta!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rinovimi i shumëpritur i kontratës ka ardhur. Lewis Hamilton, 7…