Krasniqi: Vdekja e shkrimtarit Adem Gashi na ka mërzitur të gjithëve
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se vdekja e poetit, krijuesit dhe shkrimtarit të mirënjohur, Adem Gashi, na ka mërzitur të gjithëve.
Krasniqi ka thënë se Gashi ka lënë gjurmë të pashlyera kudo që ka punuar dhe vepruar.
“Vdekja e poetit, krijuesit e shkrimtarit tonë të mirënjohur, Adem Gashi, na ka mërzitur të gjithëve. Si tekstshkrues, Ademi ishte nga të rrallët dhe më origjinalët në vendin tonë – veçanërisht në dedikimet që u bënte heronjve të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. ‘Sërish vjen Marsi’ – është vetëm një nga perlat e tij që do të këndohet brez pas brezi. Ai la gjurmë të pashlyera kudo ku punoi dhe veproi, nga arsimi, televizioni, institucionet shtetërore e posaçërisht në pasionin e tij të parë, krijimtarinë letrare – për çka u nderua me çmimin kombëtar letrar për vepër jetësore ‘Azem Shkreli’. Ngushëllimet më të thella familjes, komunitetit letrar dhe të gjithë shoqërisë të vendit tonë! Prehu në paqe, Adem!”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.