Krasniqi: Vetëm vaksinimi i përgjithshëm ndikon në menaxhim të pandemisë
Gjatë muajit janar ka rënë numri i qytetarëve të Kosovës të prekur me Covid-19 që kërkojnë trajtim spitalor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe spitalet e përgjithshme.
Por ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi, ka thënë se ngjarjet e fundit si fushata zgjedhore dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, mund të ndikojnë në rritjen e rasteve me koronavirus në vend.
Krasniqi ka thënë se meqenëse tashmë ka rënë numri i pacientëve me koronavirus që janë duke u trajtuar në QKUK, është liruar edhe Klinika Internistike dhe së shpejti do nis trajtimi i pacientëve jo Covid në këto klinika.
“Kemi një numër relativisht më të ulur në krahasim me javët e kaluara dhe kjo po na mundëson që të rikthejmë shërbimet tjera, ashtu siç kemi bërë me shërbimet e Ambulancat Specialistike dhe nga kjo javë ne kemi liruar edhe Klinikat Internistike, njësia Covid-3 që quhej dhe tani jemi në proces të pastrimit, dezinfektimit dhe përgatitjes që edhe ato klinika të rikthejnë shërbimet e tyre dhe të kthejnë shërbimet për pacientët jo Covid”, ka thënë ai për “Kosovapress”.
Meqenëse vendet e botës tashmë janë duke u përballuar me shifra të larta të qytetarëve të infektuar me Covid-19, Krasniqi ka thënë se këtë situatë po e përcjellin me shqetësime, pasi ngjarjet që e presin vendin mund të ndikojnë në rritje të rasteve me koronavirus.
Më tutje, ai ka thënë se nga 5 janari kur janë rifunksionalizuar shërbimet në ambulancat specialistike interesimi i pacientëve është i madh.
Derisa është shprehur optimistë që tashmë Kosova ka bërë një plan për mënyrën e organizimit të vaksinimit kundër Covid-19, Krasniqi beson se vetëm vaksinimi i gjithë popullatës mund të ndikojë në menaxhim të pandemisë.
“Është me rëndësi që të bëhet vaksinimi i përgjithshëm i popullatës, pra vaksinimi i një numri të vogël të qytetarëve, qoftë personel shëndetësor apo qytetarë të tjerë, të moshuar apo me sëmundje kronike nuk është që mund të ketë efekt të madh në menaxhimin e pandemisë. Prandaj, ne presim që vaksina të arrijë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të filloj vaksinimi i përgjithshëm i popullatës”, ka thënë Krasniqi.