Krasniqi: Vetëvendosje po ia bën qejfin LDK-së me rezultatet e sondazheve
Ndaj rezultateve të sondazhit që i ka publikuar Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.
Krasniqi nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për “Telegrafin”, ka thënë se sondazhet e Vetëvendosjes nuk ia vlen të komentohen.
Ai ka vlerësuar se “Vetëvendosje po ia bën qejfin edhe partnerit të ri, LDK-së”, duke theksuar se “këto dy parti janë bashkuar në misionin për sabotimin e shtetit”.
“Sondazhet partiake as që ia vlen të komentohen. Vetëvendosje edhe në të kaluarën ka bërë kësi lloj marketing me sondazhe, por asnjëherë nuk kanë rezultuar të sakta. Edhe tash është njëjtë, përveç faktit që në këtë rast po ia bëjnë pak qejfin edhe LDK-së, sepse tashmë janë bashkuar në misionin e tyre për sabotimin e shtetit tonë”, ka deklaruar Krasniqi për “Telegrafin”.
Krasniqi si sondazh të vërtetë, e ka vlerësuar vetëm vullnetin e qytetarëve nëpërmjet zgjedhjeve të lira.
“Përndryshe, sondazhi i vetëm i saktë është vullneti qytetar i shprehur përmes zgjedhjeve të lira, ku ata as që kanë fituar më herët, dhe as që do të fitojnë ndonjëherë”, ka thënë Krasniqi.