Krasniqi viziton kryetarët e dy komunave në veri nga radhët e PDK-së, kërkon nga qeveria trajtim të barabartë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, përkundër rrezikut dhe kërcënimeve të paralajmëruara ditëve të fundit nga grupet terroriste serbe, ka vizituar dy komunat në veri të vendit, Zveçanin dhe Zubin Potokun.
“Ekonomia Online” e ka përcjell vizitën e Krasniqit në dy komunat e pjesës veriore, ku ai ka takuar kryetarët Ilir Pecin dhe Izmir Zeqirin nga të cilët është njoftuar për sfidat e përditshme në këtë pjesë të Kosovës.
Kjo vizitë ka ardhur vetëm disa ditë pasi liderit të opozitës dhe PDK-së i është caktuar mbrojtje e afërt nga Policia e Kosovës, si rrjedhojë e dyshimeve mbi rrezikun e shtuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
“Me kryetarin Ilir Peci diskutuam për punët dhe sfidat e tyre, posaçërisht për situatën e sigurisë, e cila është e brishtë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Natyrisht, diskutuam edhe për përkushtimin dhe angazhimin e kryetarit në shërbim të të gjithë qytetarëve të Zveçanit, pa dallim”, ka thënë Krasniqi.
Duke e parë nga afër gjendjen e qytetarëve në komunën e Zveçanit dhe mungesën e mbështetjes nga niveli qendror, Krasniqi i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos i diskriminojë dy komunat që udhëhiqen nga radhët e PDK-së, por t’i trajtojë ato në mënyrë të barabartë.
“U njoftova për sfidat dhe kërkesat e shumta, veçanërisht të banorëve shqiptarë të tri fshatrave Kelmend, Zhazhë e Boletin. Ftoj Qeverinë e Kosovës që me urgjencë dhe prioritet të miratojë kërkesat e qytetarëve të kësaj komune për rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve të cilët dëshirojnë të kthehen në fshatrat dhe vatrat e tyre”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka falënderuar Memli Krasniqi për vizitat dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj qytetarëve të asaj komune.
“E falënderoj kryetarin Krasniqi si lideri i vetëm politik nga Prishtina që na ka vizituar dhe i cili që nga marrja e mandatit ka qenë pranë nesh për të na mbështetur në punën tonë në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunës së Zveçanit”, ka thënë Peci.
Pas Komunës së Zveçanit, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka vizituar edhe Komunën e Zubin Potokut, ku ka takuar me kryetarin Izmir Zeqiri, kabinetin e tij dhe qytetarët e kësaj komune.
“Sot pata nderin ta pres kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi. Ai konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme ndaj nesh. E falënderoj shumë për përkrahjen ndaj nesh dhe qytetarëve të komunës tonë”, ka thënë kryetari Izmir Zeqiri.
Ndërsa Krasniqi ka thënë se është vërtetë domethënëse dhe për t’u vlerësuar nga të gjithë, fakti se në mënyrë të veçantë shqiptarët e kësaj komune, të koncentruar në fshatin Çabër, kanë vazhduar dhe po vazhdojnë që përkundër sfidave të qëndrojnë e jetojnë aty dhe të zhvillojnë jetën institucionale.
“Shfrytëzoj rastin që të ftoj dhe t’i kërkojë Qeverisë së Republikës së Kosovës, që vërtetë të ketë një qasje ndryshe dhe shumë më përkrahëse për këta zyrtarë shtetërorë të cilët po punojnë pa ndalur në Komunën e Zubin Potokut, por edhe në komunat tjera në pjesën veriore të vendit”, ka thënë Krasniqi.
Lideri i PDK-së ka thënë se ajo që i ka bërë shumë përshtypje pozitive dhe që vlerëson është fakti që kishte shumë qytetarë edhe të komunitetit serb të cilët janë aty në baza ditore për të kërkuar shërbime dhe po marrin shërbime.
Memli Krasniqi, në fund të këtij takimi i ka bërë thirrje të drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave tjerë të linjës që të vizitojnë komunat dhe qytetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, të adresojnë kërkesat e tyre dhe t’i mbështesin për zhvillimin e një jete të dinjitetshme sociale dhe institucionale atje.