Krasniqi viziton Maqedoninë e Veriut, takon Grubin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka nisur të premten një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Krasniqi është pritur në takim nga zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, të cilin e ka uruar për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE dhe rolin vendimtar të faktorit politik shqiptar në këtë proces.
“Rikthimi i vëmendjes së BE-së në Ballkanin Perëndimor, hapat konkret të saj, janë lajm i mirë jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe Kosovën e cila pret shpejtë liberalizimin e vizave, si një e drejtë e merituar tash e disa vjet. Bashkë diskutuam edhe për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të cilët po dëshmojnë se janë përcaktues me kontributin e tyre në secilin proces pozitiv institucional”, ka thënë Krasniqi.
Lideri i PDK-së ka thënë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut, sikur deri sot, do të vazhdojnë bashkëpunimin e shkëlqyer fqinjësor, mirëkuptimin e ndërsjellë në përballimin e sfidave dhe proceset me interes të përbashkët.