Krasniqi viziton Musliun: Mos harro se ke shumë miq!
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, së bashku me bashkëshorten, Melizën, kanë vizituar deputeten Ganimete Musliu, e cila para disa javësh i është nënshtruar një operimi jashtë vendit.
Duke i uruar shëndet të plotë, Krasniqi i ka thënë Musliut të mos harrojë se ka shumë miq, kolegë dhe dashamirë që e mbështesin në çdo hap dhe mezi presin rikthimin e saj.
“Bashkë me Melizën, vizituam sot shoqen dhe kolegen tonë, Ganimete Musliu, e cila po rikuperohet pas ndërhyrjes kirurgjike që pati në zemër. U gëzuam që e gjetëm të buzëqeshur, optimiste dhe me sensin e humorit që e karakterizon. I tregova se na ka munguar shumë prezenca e saj në jetën publike, e posaçërisht në seancat e Kuvendit të Kosovës, ku aktivizmi i saj në shërbim të qytetarëve ka qenë gjithmonë i dalluar. Gane, deri në rehabilitimin tënd të plotë, mos harro se ke shumë miq, kolegë dhe dashamirë që të mbështesin në çdo hap dhe mezi presin rikthimin tënd”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.