Krasniqi: Zahiri, Hakifi dhe Edmondi u shndërruan në frymëzim për gjeneratën e artë të UÇK-së
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët ka bërë homazhe tek shtatorja e heroit Zahir Pajaziti me rastin e 27-vjetorit të rënies së tij së bashku me Hakif Zejnullahun dhe Edmon Hoxhën.
Me këtë rast, ai ka thënë së Zahiri, Hakifi dhe Edmondi ishin shndërruar në frymëzim për gjeneratën e artë të burrave dhe grave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Nuk ka asgjë më të shtrenjtë sesa liria. Duke e ditur këtë, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha u organizuan kundër pushtuesit dhe robërisë, sepse, ata, lirinë që kishin në zemrat dhe mendjet e tyre, e donin për të gjithë Kosovën. Për këtë ideal, ndër pushkët e para të lirisë, dhanë edhe jetën më 31 janar të vitit 1997, duke u shndërruar në shembull dhe frymëzim për gjeneratën e artë të burrave dhe grave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lavdi e përjetshme për heronjtë e Kosovës!”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.