Krasniqi: Zoran Vukotiqi nuk është i vetëm, është thjeshtë i pari
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë në se secili person që ka kryer dhunime seksuale gjatë luftës në Kosovë duhet të vihet para drejtësisë.
Krasniqi ka komentuar lajmin e dënimit me 10 vjet burg të Zoran Vukotiq, i cili u dënua nga Gjykata themelore në Prishtinë për dhunimin seksual të një vajze shqiptare në Vushtrri.
“Nuk mund të ketë drejtësi të plotë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, pa u vënë para përgjegjësisë secili person përgjegjës për këto dhunime. Ndonëse për 23 vite, kriminelët e tillë janë fshehur e janë mbajtur të pakapshëm, sot, drejtësia kosovare i shpërtheu barrierat duke arritur ta ballafaqojë me përgjegjësi njërin prej tyre. Por Zoran Vukotiqi nuk është i vetëm. Është thjeshtë i pari”, shkroi Krasniqi.
Ai thotë se drejtësia nuk duhet të ndalet vetëm me këtë rast, por duhet t’i shkohet deri në fund kësaj çështje.
“Përderisa duhet të angazhohemi që viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës të gjejnë integrimin e plotë në mesin tonë, duhet po ashtu të inkurajojmë organet tona të drejtësisë që të mos ndalen, deri sa të japë përgjegjësi edhe krimineli i fundit”, shtoi ai.