KRAVATA

09 janar 2024 | 12:25

Shkruan: Ismail Syla

Kur thoshin që mandolina dhe kravata janë dy rekuizitat e arsimtarëve që kishin mbaruar shkollën e mësuesisë rreth vitit 1970, e përfytyroja me sytë e mendjes Shkollën Normale në Prishtinë, në mjegull, ndërtesën dykatëshe, ku të gjithë nxënësit shkonin në klasë me këtë vegël muzikore në dorë dhe zinin dije nga mësimdhënësit e atjeshëm me njohuri të pakufishme. Shumica e arsimtarëve në shkollën “Bajram Curri” në Nikaj vishnin kravata ngjyrash dhe formash të ndryshme. Mua, si nxënës, më bënte përshtypje lidhja e nyjës së tyre dhe pëlqimi për jakën e këmishës.

***

Kur mbarova filloren, ra ëndërrimi për Shkollën Normale dhe u regjistrova në gjimnaz, siç thuhej, shkollë pa profesion por që të aftëson për çdo lloj fakulteti. Setra me ngjyrë të kaltër për djem, manteli me po atë ngjyrë, për vajza dhe mbathja e dytë brenda shkollës qenë rekuizitat tona në Gjimnazin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. Kravatës disi nuk i vinte rendi. I vetmi nxënës që vuri kravatë në vitin e fundit, të maturës, qe Refki Hoxha, një djalosh trupgjatë, flokëçelët, i drejtimit gjuhësor, i pasionuar pas gjuhës angleze.

Vënia e kravatës në mbrëmjen e maturës nuk qe rast për ta inauguruar bartjen e saj, ndonëse një kriter subjektive e kisha plotësuar me mendjen time. Kisha një sukses solid si nxënës, por një zhgënjim objektiv fizik.  Kur ende isha në klasën e parë dhe shihja maturantët, nuk e di pse besoja se deri në të katërtën do të zgjatesha sa disa nga ta. Jo. Mbeta mesatar. Nuk vura kravatë.

***

Njëmbëdhjetë vjet më vonë në po të njëjtin gjimnaz fillova punën e mësimdhënësit. Pas vitit 1981, komunistët lokalë gjimnazit ia ndërruan emrin e Atletit të Krishterimit me të Mareshalit Tito. Kur ra Lidhja e Komunistëve në vitin 1990 ra dhe emri i dytë i gjimnazit, u ngjall emri i parë i Heroit tonë Kombëtar. Por, tamam u ngrit emri i gjeneralit mesjetar, ra sistemi i financimit të arsimit shqip në Kosovë dhe kravatës sime iu ngrit edhe një pengesë e re.

***

Një ditë të zakonshme të shkuarjes në ndërrimin e dytë në shkollë një patrullë milicësh serbë më ndali para se ta arrija në stacionin e autobusëve në Komoran, e ta merrja autobusin e firmës private “Dumani” që mësimdhënësit i bartte gratis. Një polic trupimët, i zeshkët kërkoi ta hap çantën e dorës, të cilën e kontrolloi. Gjeti tri fletë të shtypura me makinë. “Çka janë këto?”- më pyeti. Janë fletët e një tregimi. I shikoi. I interesoi titulli. Balta. M’i ktheu, dhe me ironi tha: paska shkrimtar Ndrekaj!!!

***

Adhuruesi i kravatës dhe “sheshirit”, bashkëvendasi ynë me histori sa gjysma e Nasradin Hoxhës, Aziz Rrahmani, një ditë më ndali dhe më tha: “Kumbarë, qysh kështu, mësues e me shumë shkollë e nuk vnon kravatë?

E, si t’ia shpjegoj këtë njeriu me njëmijë ndodhira? Por, fjalë pas fjale disi arrij t’ia them arsyet e mosvënies së kravatës sime përmes kravatës dhe kapelës së tij: – Kumbarë, a vnohet kravata në këtë udhë me lloç. A po i sheh stërpikët prapa në pantallona që kanë kërcyer nga thembrat e këpucëve. Këto stërpikë, duke vrapu me zënë autobusin kërcejnë deri në “sheshir”. E ma e keqja, a ke dëgju për Rajkun, atë milicin e zi që të ban telash, ta kap kravatën me një dorë, e më tjetrën ta mëshon shpullë?…

***

Pas katër viteve nisa punën në gazetari, në Prishtinë. Ishte punë prodhimi dhe kravata as që më duhej. Nuk isha ndonjë shef, pos gazetar i rubrikës së kulturës. Disa nga gazetarët veteranë vënin kravatë. Një redaktor që qe miqësor me mua, Zekë Gecaj ishte shembull më i përkryer i pedanterisë. Vishej bukur, me shije dhe këpucët e tij shkëlqenin në çdo kohë. Qarkullonin legjenda se kur qëllonte në fshatin e lindjes dhe binte shi, këpucët i mbështillte me qese najloni, pa pikë balte e pika shiu hipte në autobus.

***

Në vitin 1999 një armik i madh i kravatës sime ra. Milicia serbe, ushtria dhe administrata e tyre iku nga Kosova. Çlirimi i Kosovës më zuri me 40 marka gjermane në xhep. Me to bleva një rimorkio traktori rërë për ta suvatuar odën e djagur në Ndrekaj. Pesë kilometra rrugë deri në Komoran ishin ashtu si i kishte shtruar zoti në ditën e hapjes së rrugëve. Tokë e rrahur nga shkelbaltësit.

***

Shpesh miqve që më kuptojnë drejt u them se Kosova u çlirua më 12 qershor 1999, ndërsa vendlindja ime në vitin 2006, kur për herë të parë cingëroi telefoni fiks në korridorin e ish odës së djegur dhe deri në fund të fsharit erdhi një pistë asfalti…

Ra balta. Por ç’e do? Kravatës sime i rrinte përballë një armik i panjohur para vitit 1999. Përcaktimi im politik më kishte vënë në pozicion të opozitës.

***

Për herë të parë vura kravatë 21 mars 2008, në moshën 47 vjeçare, në Kosovën e lirë, të pavarur me partinë në pushtet. Ishte momenti i fundit për ta zënë kravatën time.

***

Më 5 nëntor 2020 e hoqa kravatën, pa nostalgji për të. Thonë që mbi moshën gjashtëdhjetëvjeçare nis të firojë skeleti i njeriut. Do të zvogëlohem për disa centimetra, pa u mërzitur fare. Balta, varfëria, milici serb janë jashtë rrugës së vendlindjes, jashtë shtëpisë sime, jashtë Kosovës.

Bën edhe pa kravatë?

Po bajka, po bajka…

Prishtinë, 9 janar 2024

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se sipas raportit…