Krejt çfarë u tha në seancën e përbashkët mes kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë

20 dhjetor 2024 | 20:11

Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë kanë mbajtur seancën e përbashkët parlamentare

Rama e thotë troç: E sotmja nuk do të ishte e njëjtë pa Hashim Thaçin

– Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po mbahen peng prej gati 5 vjetësh në qelitë e një drejtësie ndërkombëtare e cila ka zhgënjyer këdo

Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë kanë mbajtur të premten një seancë të përbashkët parlamentare në Prishtinë. Në këtë seancë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një fjalim përmbajtjesor në lidhje me procesin gjyqësor në Hagë ndaj liderëve të UÇK-së. Ai ka thënë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po mbahen peng prej gati pesë vjetësh në qelitë e një drejtësie ndërkombëtare e cila ka zhgënjyer këdo. Në këtë kontekst, Rama është treguar i ashpër kur ka theksuar se Kuvendi i Kosovës nuk ka bërë asgjë për të nxjerrë një rezolutë për padrejtësinë në Gjykatën Speciale. Rama ua ka kujtuar të gjithëve se e sotmja nuk do të ishte e njëjtë pa Hashim Thaçin.

Lirim GECI

Prishtinë, 20 dhjetor – Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë kanë mbajtur të premten një seancë të përbashkët parlamentare në Prishtinë, në të cilën janë zotuar, përmes një deklarate, se do ta ndihmojnë njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare dhe do ta thellojnë bashkëpunimin mes vete.
Gjatë seancës, e cila ka zgjatur tri orë, liderët e të dyja vendeve kanë mbajtur fjalime para deputetëve të pranishëm nga të dyja vende, ku kanë ofruar mbështetjen e ndërsjellë dhe kanë lartësuar lidhjet historike në mes të dy vendeve. Deklarata e tyre e përbashkët, e cila është lexuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka theksuar se qëllimi i mbledhjes ishte që Kosova dhe Shqipëria ta bashkërendonin “agjendën kombëtare” për arritjen e synimeve të përbashkëta strategjike.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkim Evropian brenda kësaj dekade, integrimi euroatlantik i Kosovës, pra në NATO dhe BE, dhe njohjet përfundimtare të Kosovës si realitet i pakthyeshëm gjeopolitik, mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve”, është thënë në deklaratë.
Sipas kësaj deklarate. është shprehur shqetësimi se pse BE-ja nuk e ka marrë parasysh ende kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në BE, si dhe u ka bërë thirrje pesë vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë.
Deklarata, gjithashtu, ka dënuar sulmet e 24 shtatorit 2023 në Banjskë në veri të Kosovës, dhe shpërthimin në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit” në veri. Gjithashtu, nëpërmjet kësaj deklarate i është bërë thirrje Serbisë ta ekstradojë në Kosovë Millan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë ku kishte mbetur i vrarë një rreshter policor.

“Seanca e përbashkët dëshmon unitetin Kosovë – Shqipëri”

Në seancën e dy kuvendeve shqiptare, i pari që ka marrë fjalën ka qenë kryeparlamentari Glauk Konjufca. Ai ka thënë se kjo seancë dëshmon unitetin e Kosovës dhe Shqipërisë përballë sfidave strategjike e gjeopolitike të sigurisë. “Edhe dy muaj bëhen tri vjet që nga agresioni i paprovokuar i federatës ruse. Si rajon dhe si Kosovë i kemi ndierë ndikimet e tërthorta e të drejtpërdrejta të këtij agresioni. Republika e Kosovës po e mbyll këtë vit e sulmuar nga elementët të cilët lidhen me Serbinë e që po e synojnë destabilizimin e Kosovës me metoda terroriste si dhe të luftës hibride. Sulmi që u bë para pak ditësh në kanalin e Ibër Lepencit nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç si sulm terrorist nga ata që refuzojnë ta pranojnë Kosovën si një realitet sovran dhe si një rens ligjor dhe demokratik i cili nuk ka alternativë në tërë territorin e saj”, ka thënë Konjufca.
Ai ka theksuar se organizator dhe mbështetës i këtij sulmi është Radojçiqi, i mbështetur drejtpërdrejt nga Vuçiqi “Mos të harrojmë që ky sulm ndaj infrastrukturës sonë kritike, furnizimit me ujë e energji, vjen një vit pas sulmit tjetër të rëndë që përjetoi republika jonë e që ishte sulmi në Banjskë. Organizator dhe mbështetës i këtij sulmi është Radojçiqi, i mbështetur drejtpërdrejt nga Vuçiqi, i cili ende mbetet i pandëshkuar nga drejtësia në Serbi e që pothuajse nuk ekziston fare”, ka deklaruar Konjufca.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka thënë se bota duhet të kuptojë që Shqipëria dhe Kosova janë bashkë. “Ne që po takohemi jemi pak, duhet të takohemi të gjithë, aq sa jemi, aq sa shqiptarë ka bota, me miliona. Nuk prishin punë, përkundrazi. Nuk prish punë se s’na zë kjo sallë. Ka salla ku mund të çmallemi e të takohemi. Gjakovari ta takojë labin, mitrovicasi vlonjatin, derisa të dridhet toka në këmbët tona, derisa Adem Jashari të lëvizë në varr, derisa bota të kuptojë çfarë mund të bëjmë kur jemi bashkë. Halli është se me arrit deri te super-takimi e hipër-bashkimi duket herët. Kur nuk ke pulën, duhet me ngrënë shpend tjetër, edhe ky shpend qenka fort i shijshëm. Orientimit tonë të qartë në rrjedhat e reja i përgjigjet ky takim i sotëm, që dikton energji të reja. Përfarimin dhe modernizimin e shoqërive tona. Marrëveshja mes dy kuvendeve u ka dhënë shtytje bashkëpunimit mes qeverive e afrimit të njerëzve tanë. Bashkëpunimi mes dy republikave shqiptare është strategjik. Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë, Shqipëria është prioritet kombëtar i Kosovës. Shqipëria ka mbërritur në dyert e BE-së pas një rrugëtimi sfilitës, si vend kandidat me shpejtësinë më të madhe integruese. Shqipëria e ka merituar më tepër se çdo vend tjetër anëtarësimin në BE”, ka thënë Spiropali, duke shtuar se herët ose vonë, Kosova do të jetë pjesë e institucioneve ndërkombëtare. “Herët a vonë është e qartë se Kosova do të jetë edhe një flamur më shumë në selinë e OKB-së, dhe një yll më shumë në flamurin evropian. Shqipëria ka mbështetur dhe do të vijojë ta mbështesë Kosovën në Këshillin e Evropës. Besojmë se pranimi si anëtar i 47 është vetëm çështje kohe e do të ndodhë shpejt”, ka thënë ajo.
Pas Spiropalit fjalën e ka marrë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke kërkuar bashkëpunim më të thellë në mes të dy shteteve shqiptare. “Kjo seancë e përbashkët parlamentare duhet të shërbejë si një thirrje për veprim. Një kujtesë se qëllimi ynë i përbashkët kërkon ambicie edhe më të madhe dhe përpjekje më të palodhshme Ne po jetojmë në një kohë të trazuar, e cila tregon bashkëpunim dhe qëllim. Për Kosovën dhe Shqipërinë kjo nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri. Një Shqipëri më e fortë do të thotë një Kosovë edhe më e fortë. Një Kosovë më e suksesshme e ngre edhe më lart Shqipërinë. Historia nuk do të na gjykojë me dashamirësi nëse nuk arrijmë ta shfrytëzojmë këtë moment për ta ndërtuar harmoninë e domosdoshme”, ka thënë Osmani.
Ajo ka komentuar edhe zhvillimet në Maqedoni të Veriut. Sipas saj, ka tendenca që të shkunden themelet mbi të cilat është ndërtuar ky shtet. “Derisa po flasim dhe jemi bashkuar në këtë vend ende ekzistojnë tendencat për t’i shkundur themelet mbi të cilat është ndërtuar Maqedonia e Veriut, pra për ta destabilizuar edhe këtë vend, duke larguar edhe të drejtat tashmë të fituara të shqiptarëve”, ka thënë Osmani.
Kurse kryeministri Albin Kurti ka bërë me dije se Kosova si asnjëherë më parë e ka shtrirë sovranitetin në veri. Në adresimin e tij në mbledhjen e përbashkët të dy kuvendeve, ai ka thënë se tani Kosova ka integritet të plotë. Sipas tij, më pjesa veriore nuk mund të destabilizohet. “Si asnjëherë më parë kemi shtrirë sovranitetin në veri të Kosovës, kemi integritet territorial dhe sot që po flasim, në Kosovë mund të ketë akte sporadike terroriste, por nuk ka më burime të brendshme që mund të na cenojnë sigurinë apo stabilitetin. Aktet terroriste të orkestruara e të financuara nga Serbi janë shprehje e pafuqisë së saj. Dikur nuk kanë bërë akte terroriste sepse e kishin krejt në kontroll, tash që e kanë humbur kontrollin, bëjnë akte terroriste, por ky është fundi i tyre”, ka thënë Kurti.
Në adresimin e tij ai ka folur edhe për bashkëpunimin që të dy vendet kanë pasur gjatë këtij mandati. Ai ka bërë thirrje që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Rama: E sotmja nuk do të ishte e njëjtë pa Hashim Thaçin, ky Kuvend nuk bëri asgjë për padrejtësinë në Hagë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur fjalim zjarrtë në seancën e përbashkët të dy kuvendeve shqiptare. Pjesa kryesore e adresimit të tij kishte të bënte me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe krerët e UÇK-së në Hagë, Kadri Veselin, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimin.
Rama në mes të duartrokitjeve të deputetëve ka thënë se e sotmja nuk do të ishte e njëjtë pa Hashim Thaçin. “Pa përfaqësuesit e UÇK-së nuk nisemi, as sot, as nesër, asnjëherë. Vetëm bashkë. Ku janë sot përfaqësuesit e UÇK-së? Pa Hashim Thaçin e shokët e tij që udhëtuan bashkë me Rugovën e Qosjen, ne nuk e dimë, çfarë rruge do të kishte marrë fati i Kosovës, por çfarë ne dimë me siguri është se ato qaste nuk do të kishin ardhur, dhe e sotmja do t’i ngjante të shkuarës, pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në krye me Hashim Thaçin”, ka deklaruar Rama, duke vazhduar adresimin e tij. “Sot që ne jemi të gjithë këtu në Kuvendin ku u shpall pavarësia e Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi po mbahen peng prej gati pesë vjetësh në qelitë e një drejtësie ndërkombëtare e cila ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj virtytet e një shteti të së drejtës. As nuk e kam diskutuar ndonjëherë, as sot, të drejtën e asaj Gjykate Speciale për ta bërë punën që ia ka ngarkuar edhe vendimmarrja e kësaj salle, ku vetë Hashimi ka ngritur dorën për ta formuar?”, ka thënë Rama.
Më tutje, Rama është treguar i ashpër kur ka theksuar se Kuvendi i Kosovës nuk ka bërë asgjë për të nxjerrë një rezolutë për padrejtësinë e Gjykatës Speciale të Hagës. “Nuk vij dot këtu në Prishtinë, ta gëlltis, në mungesë të Hashimit, Kadriut, Jakupit, në mungesë të Rexhepit. Është nyja e mbledhur në fyt, nga një dyshim shumë i madh, dhe i arsyeshëm se ai proces, është proces i parregullt ligjor, dhe se normat dhe standardet e tij janë nën standardet e drejtësisë që e financojnë atë farë gjykate. Nuk rri dot pa jua thënë këtu çudinë time për faktin se në këtë sallë nuk është ndërmarrë asnjëherë një nismë për të kërkuar një rezolutë të mbështetur nga të gjitha forcat politike, të gjitha vendet financuese, shqetësimin e madh mbi standardet e atij procesi, dhe për ta kërkuar ngritjen e një misioni verifikimi. Gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të varura nga gjyqtarët”, ka deklaruar Rama, duke shtuar se nëse Kuvendi i Kosovës ndërmerr një veprim për të votuar një rezolutë, të njëjtën do ta bëjnë edhe në Shqipëri. “Nëse Kuvendi i Kosovës, kurdo qoftë, do ta ndërmerrte nismën për t’iu drejtuar të gjithave shteteve sponozorizuese të Gjykatës Speciale dhe për ta marrë në to cenimin e standardeve demokratike në procesin ligjor kundër Hashim Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit, dhe nëse do të na kërkohej që një nismë e tillë të merrej edhe nga Kuvendi i Shqipërisë, PS do të angazhohej pa ngurrim që të njëjtën rezolutë ta depozitonte në Kuvendin e Shqipërisë”, është shprehur Rama.
Kryeministri shqiptar në fjalën e tij ka përmendur edhe dialogun Kosovë – Serbi.
Ai ka thënë se Kosova mund ta japë provën përballë BE-së dhe NATO-s, duke i përmbushur në mënyrë të njëanshme të gjitha obligimet e dialogut jo për shkak të Serbisë, por për hir të martirëve, fëmijëve dhe për hir të bashkimit me Shqipërinë në Evropë, me kryeqytet të përbashkët Brukselin. “Kosova mund t’ia japë familjes evropiane dhe NATO-s, në një kohë shumë të shkurtër, provën e padiskutueshme të vullnetit dhe përkatësisë së vetë në gjirin e Evropës dhe NATO-s, duke i përmbushur unilateralisht të gjitha kushtet e normalizimit me Serbinë, jo për hir të Serbisë, por për hir të martirëve dhe fëmijëve të vet dhe për hir të bashkimit tonë kombëtar në familjen evropiane, me kryeqytet të përbashkët Brukselin”, ka thënë Rama, duke shtuar se Kosova s’ka asnjë arsye të presë se çfarë po bën Serbia.
Rama ka theksuar se Kosova e ka gjunjëzuar Serbinë 25 vjet më parë dhe sot, 25 vjet pas, duhet ta lë shtetin serb në bisht. Kryeministri Rama ka thënë se ky qëndrim nuk është leksion, por një këshillë vëllazërore e bazuar në përvojën e Shqipërisë në rrugën e integrimit.
Gjatë seancës së përbashkët, Rama ka pranuar një pikturë si dhuratë nga Rexhep Selimi, i cili gjendet në paraburgim në Hagë. “I prekur nga kjo dhuratë e bukur prej koleksionit të pikturave të luftëtarit të UÇK-së, Rexhep Selimi, i cili ma përcolli sot nga Haga përmes kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Shumë faleminderit me mirënjohje i dashur mik, e mezi pres ta shoh të marrë fund kalvari, gjithnjë e më i pajustifikueshëm i mbajtjes së të katërve ju peng atje në Hagë”, ka shkruar Rama në “Facebook”.

Haradinaj godet Kurtin në mbledhjen e dy kuvendeve: Veprimet e tij janë në agjendë të Serbisë dhe Rusisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, as në mbledhjen e dy kuvendeve nuk ka kursyer kritikat për kryeministrin Albin Kurti. Haradinaj ka thënë se Kurti është në shërbim të Serbisë e Rusisë. “Hapat e pakoordinuar të qeverisë bënë që Serbia të shihet si viktimë. Kosova është në të njëjtin thes me Korenë e Veriut nga kryeministri Kurti dhe qeveria e tij. Kryeministri ynë ka shkuar deri aty sa Blinkenin e ka quajtur naiv. Në vendin tonë tenderët njëburimorë janë kthyer në gjakderdhje financiare. Në vendin tonë janë vjedhur mielli e vaji. Pasuli është shpallur sekret shtetëror. Kryeministri sapo mashtroi më herët për investime në mbrojtje. Çdo veprim i Kurtit është në agjendë të Serbisë e Rusisë. Bëri përpjekje në Shqipëri, por ju nuk e lejuat”, ka thënë Haradinaj.
Më tutje, Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Një gjë të tillë e ka bërë edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj. “Para 10 vitesh, nën udhëheqjen e kryeministrit Thaçi dhe kryeministrit Rama, është mbajtur mbledhja e parë e të dy qeverive. Ajo ka qenë shpallje e një partneriteti strategjik. Pa Shqipërinë nuk do të kishte as liri dhe as pavarësi”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se Shqipëria nuk ka pasur vetëm një rol solidar, por një rol vendimtar për Kosovën, duke lobuar për njohjen ndërkombëtare dhe për anëtarësimin e saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Ai i ka ftuar qeveritë dhe kuvendet e të dy vendeve që të përqendrohen në qëllime strategjike, duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO si një objektiv madhor.
Në këtë mbledhje të përbashkët të dy kuvendeve nga një fjalë rasti kanë mbajtur edhe deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Gazment Bardhi, shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, shefi i deputetëve të komuniteteve, Enis Kervan dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Mesila Doda, Fatmir Mejdiu e Niko Peleshi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar listën e 110…