Krejt çka tha ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier pas situatës së tensionuar në veri!

30 maj 2023 | 18:24

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, u ka thënë përfaqësuesve të disa medieve kosovare, se kriza në veri të Kosovës ishte e panevojshme kështu duke kritikuar kryeministrin Kurti, që nuk kishte koordinim me SHBA-të për qasjen në ndërtesat komunale në mënyrë të dhunshme.

Hovenier tha se kjo do të ketë pasoja të mëdha në të ardhmen e Kosovës.

“Kjo ishte një krizë e cila nga këndvështrimi ynë ishte e panevojshme. Operacioni që u zhvillua të premten për ta marrë qasjen në ndërtesat komunale në mënyrë të dhunshme, nuk ishte i bërë në koordinim me Shtetet e Bashkuara.

Kur ishim në dijeni, udhëzuam fuqishëm që kjo të mos ndodhte, sepse kemi pritur pasojat të cilat tani po i shohim. Ne besojmë se kjo ka pasur ndikim negativ në reputacion për Kosovën, është hap prapa në përpjekjet tona për të avancuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe siç tha Sekretari Blinken në deklaratën e tij, dhe siç ne kemi thënë në deklaratën tonë nga Departamenti i Shtetit, ka ndikim në marrëdhëniet bilaterale”, tha Hovenier.

Jeffrey Hovenier, shtoi se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet Defender Europe 2023, është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, që ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në veri.

Përveç se ka përmendur pasoja për Kosovën dhe për raportet e saj me SHBA-në, Hovenier ka treguar se nuk ka gatishmëri të zyrtarëve të lartë amerikanë për t’u takuar me zyrtarët e lartë të Kosovës.

“Indikacioni i parë i kësaj ishte vendimi i marrë mbrëmë nga komandanti i Komandës Evropiane të SHBA-së, Gjeneral Cavoli, për ta anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në “Defender Europe 23”, dhe siç keni mundur ta vëreni, nuk ka pasur aktivitete të lidhura me “Defender Europe 23” sot dhe nuk do të ketë më për Kosovën. Kjo stërvitje ka mbaruar”, tha Hovenier.

“Ne jemi duke menduar edhe lidhur me përfundime të tjera, më duhet ta them se kemi kërkuar nga kryeministri Kurti, në mënyrë shumë direkte, të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të arritur deri te një shpërshkallëzim në veri, ai nuk i është përgjigjur këtyre kërkesave.

Andaj, ne jemi duke shqyrtuar se cilat do të jenë veprimet tona të tjera. Më duhet të them, se tani për tani, nuk ka entuziazëm shumë të madh te Shtetet e Bashkuara për t’iu përgjigjur disa prej interesave të tjera të Kosovës, siç janë angazhimi me shtetet jo njohëse, apo puna aktive për ta avancuar trajektoren evropiane apo euro-atlantike të Kosovës. Ne ndjejmë keqardhje se situata ka arritur në këtë pikë, por duhet të jem i sinqertë, se situata është kjo.

Andaj, shpresa jonë është që kryeministri Kurti ta dëgjojë këshillën tonë dhe që menjëherë të ndërmarrë një veprim që të arrihet shpërshkallëzimi në veri, në mënyrë që ne të vazhdojmë me çështjen prioritet, të implementimit të plotë të marrëveshjes drejt normalizimit, dhe jo të ketë shpërqendrim të një konflikti të panevojshëm në veri”, shtoi Hovenier.

Tutje, Hovenier u ka thënë përfaqësuesve të disa medieve kosovare, se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “duhet ta kuptojë se e ka shtëpinë në flakë”, teksa tregoi edhe dy kërkesat që i bëri kryeministrit Kurti.

“Ne mendojmë se kjo është një situatë me të vërtetë urgjente. Është si ta keni një shtëpi të kapluar nga zjarri. Ju duhet ta shuani zjarrin. Andaj nuk mendoj se do të shihni shumë durim nga Shtetet e Bashkuara, lidhur me pritjet tona nga Qeveria, duhet të ketë veprim tani që të shpërshkallëzohet situata në veri. Dhe më leni të jem i qartë, janë dy gjëra që po kërkojmë nga qeveria që t’i bëjë, për ta shpërshkallëzuar situatën.

Ne besojmë se qeveria nuk duhet të insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale, qeveria ishte në gjendje të gjente lokacione alternative ku ata të betoheshin. Ne nuk mund të kuptojnë pse nuk mund të përdoren këto lokacione të njëjta alternative apo ndërtesa të tjera publike në mënyrë që ata të kryejnë detyrat e tyre, që janë detyra administrative.

Ne kemi thënë se këta kryetarë kanë një rol të rëndësishëm lidhur me administrimin, por ky nuk është një proces normal dhe ata nuk kanë mandat të fortë nga elektorati i tyre për iniciativa të mëdha, andaj nuk e kuptojmë pse ka insistim që ata të punojnë nga këto ndërtesa komunale, dhe ne besojmë se prezenca e Policisë së Kosovës, është shumë sfiduese, andaj kemi kërkuar nga Qeveria që të tërheqë policinë nga tri ndërtesat komunale. Ne mendojmë se kjo do të çonte në shpërshkallëzim”, tha ai.

Por, nëse KFOR-i merr përsipër situatën, dhe nëse dërgohen trupat e KFOR-it dhe automjetet e blinduara, a ka skenar për një ligj ushtarak apo një skenar të para vitit 2008 për të marrë kontrollin në terren?

“Zakonisht nuk më pëlqen t’u përgjigjem pyetjeve hipotetike. Ajo çfarë ju po përshkruani, nuk po ndodh për momentin. KFOR-i ka një rol të rëndësishëm, por misioni i tij është të ketë lëvizje të lirshme dhe një ambient të sigurt, dhe më lejoni ta shfrytëzoj këtë mundësi që ta shpreh për ju atë që e shpreha në një “tëeet” ditën e djeshme, janë ngushëllimet tona për personelin e lënduar të KFOR-it por gjithashtu frustrimin tonë të thellë me atë që ndodhi atje, ky sulm ndaj paqeruajtësve që janë aty për ta ruajtur paqen.

Ne nga KFOR-i presim që ta përmbushë misionin për të garantuar një ambient të sigurt dhe të lehtësojë lirinë e lëvizjes. Ndërkaq, nga Qeveria e Kosovës presim që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm që ta shpërshkallëzojë situatën në veri”, tha Hovenier gjatë ditës së sotme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka thënë se përjashtimi i…