Krejt njëjtë!
Ylber Çitaku
Komandantë të UÇK-së, deputetë e qeveritarë, kryetarë partish politike, kryetarë komunash, gazetarë, prokurorë gjykatës, qytetarë…!
Fitimi i lirisë në vitin 1999 qytetarit të Kosovës i mjaftoj që të marrë frymë lirshëm. Kjo nuk ishte pak, përkundrazi largimi i dhunës së shfrenuar të shovinizmit serb mbi popullatën autoktone të Kosovës ishte një nga të arriturat më të mëdha të njerëzimit pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo lehtë dëshmohet edhe me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të vendeve më demokratike të botës për lirinë e popullit dhe territorit të Kosovës nga regjimi serb, i cili dirigjohej nga Akademia e Shkencave në Beograd, e ku për udhëheqës e kishte vënë kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviqin, i cili paraprakisht nxiti, filloi dhe komandoi luftërat në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje.
Në qershorin e vitit 1999 populli liridashës i Kosovës, ushtarët e UÇK-së dhe ata të NATO-s i priti me një admirim të paparë, sigurisht që këtë admirim ushtarët e meritonin, në veçanti komandantët e UÇK-së, edhe për faktin se përgjegjësitë që ata kishin marrë gjatë luftës ishin mbinjerëzore, përgjegjësi këto që në kushte dhe rrethana normale pak njerëz do t’i merrnin, e kur kësaj t’i shtohet se këto detyra dhe përgjegjësi u kurorëzuan me çlirimin e vendit, atëherë është krejt normale që admirimi për ta të ishte i papërshkrueshëm.
Ushtarët e vijës së parë të luftës së UÇK-së me dinjitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi kombëtare (me përjashtim të ndonjë rasti të izoluar) pritën ushtarët e KFOR-it, popullsinë e zhvendosur në male si dhe popullatën e dëbuar jashtë territorit të Kosovës.
Ushtarët njëjtë vepruan edhe me rastin e demobilizimit, vepruan ashtu siç u pajtuan eprorët e UÇK-së dhe ata të KFOR-it, ushtarët e vijës së parë të luftës në Kosovë iu kthyen jetës së zakonshme dhe profesionit që kishin para se ta vishnin uniformën e shenjtë të ushtarit të lirisë, filluan meremetimin dhe rindërtimin e shtëpive të tyre të djegura e të shkatërruara. Disa prej tyre u angazhuan në shoqata humanitare, disa u kyçën në institucionet që po krijoheshin si TMK-ja e Policia e Kosovës, një pjesë e tyre merreshin me bujqësi e një pjesë e tyre me vetëshërimin e plagëve dhe vetërehabilitim nga traumat e luftës.
Ushtarët e vijës së parë të luftës së UÇK-së (përjashto ndonjë rast të izoluar) ishin në nivel të qytetarisë, pra merituan dhe meritojnë respekt dhe trajtim prej luftëtarëve të lirisë, këta djem dhe vajza, burra e gra nuk kanë merituar një trajtim çfarë po iu bënë sot shoqëria e Kosovës. Një shoqëri e Kosovës që sillet në mënyrë prej diletantëve e deri te sjellja kriminale ndaj kësaj kategorie, në këto sjellje hyjnë komandantët e UÇK-së, deputetë e qeveritarë, liderë të partive politike, gazetarë, prokurorë e gjykatës.
Këto grupe me sjellje diletante e kriminale pa një pajtim paraprak, pra rastësisht, por krejt në mënyrë të përkryer kanë punuar kundër interesave të ushtarëve të vijës së parë të UÇK-së, kundër interesave të qytetarëve dhe të vendit në përgjithësi.
Të qenurit i uniformuar nën uniformën e një ushtrie çlirimtare, madje komandant (i cilitdo nivel) vetvetiu të bën të kesh mbaruar funksionin kryesor të jetës që mund ta kryejë një njeri si individ.
Komandantët e UÇK-së do të duhej të ishin të parët që do të duhej ta mbronin fillimisht veprën e vet jetësore, bashkë me të do t’i mbronin edhe ushtarët, dinjitetin dhe veprën e tyre jetësore “ushtarë lirie”.
Liria e Kosovës solli edhe shqetësim e frikë për bashkëpunëtorët e regjimit të Serbisë, fatkeqësisht duhet pranuar se ata nuk ishin të paktë. Këta individë që u ndien të frikësuar nga të bëmat e UÇK-së si me magji “kalasë së UÇK-së” iu futen nga brenda, shfrytëzuan dobësitë e figurave kryesore të UÇK-së (përjashto ndonjë rast të izoluar) atyre iu ofruan para të cilat shumica e komandantëve nuk i kishin, duke pasur parasysh se pozitat veç i kishin, mund të thuhet se kriteri i thënies “për ta njohur njeriun jepi para dhe pozitë” po vihej në sprovë.
Për të mos i lënë asgjë rastit, por edhe për t’u përafruar edhe më shumë me komandantët, të frikësuarit u treguan edhe më gjeneroz, ofruan partneritet për ta në biznese dhe lavire.
Se kush ishin komandantët tashmë opinioni e di, por kush ishin të frikësuarit, secili që në kohën e luftës kishte moshë madhore e di se kush ishin mercenarët e bashkëpunëtorët e regjimit në lokalitetin ose komunën e tyre. Këta mercenarë e bashkëpunëtorë, duke qenë të lidhur me shërbimet sekrete, vepruan sipas direktivave të tyre e që në Kosovën e pasluftës kanë vepruar një numër relativisht i madh i këtyre shërbimeve, por që më i strukturuari ka qenë shërbimi sekret serb. Besoj se më së miri e përshkruan me një fjali tashmë i ndjeri Adem Demaçi, cili, pas përfundimit të luftës, pati thënë: “Në qershor të vitit 1999 nga Kosova u largua çizmja-uniforma e fundit serbe, por do të nevojiten 50 vjet për ta larguar shërbimin sekret serb!”
Realiteti i sotëm vetëm sa e betonon edhe më shumë këtë thënie largpamëse të Demaçit. Si rezultat i këtyre argumenteve sot kemi komandantë politikanë, komandantë biznesmenë, komandantë zhigolë, komandantë…., por pothuajse të gjithë kanë të përbashkëtat në vazhdim:
- Pothuajse që të gjithë kanë me qindra mijëra e deri në miliona euro të deponuara në llogari bankare, (por që nuk kanë madje as librezë pune).
- Pothuajse që të gjithë kanë nga disa biznese, (por që, në fakt, nuk dinë as elementet bazë se çka është biznesi e ndërmarrësia).
- Pothuajse që të gjithë me nga disa prona – hotele, shtëpi, banesa, lokale… (por që, në fakt, nuk e dinë çka është trashëgimia).
- Pothuajse që të gjithë, përveç gruas, kanë edhe disa lavire (por që, në fakt, nuk dinë çka është bordeli dhe prostitucioni).
Mbështetur në këto fakte, njeriu mund të gjejë sa të dëshiron shembuj e krahasime, mund të gjejë pjesë për humor e satirë, mund të… por, çuditërisht, pothuajse nuk mund të gjejmë as edhe një rast të vetëm që një komandant i UÇK-së i niveleve të larta që i takon grupit të lartpërmendur (1 deri në 4) e që për bashkëpunëtorë të afërt ta ketë një ushtar të vijave të para të luftës. Nëse dikush nga ju nuk e di apo hamendëson, pse nuk kanë përzgjedhur për bashkëpunëtorë ushtarët e vijave të para të frontit, po ju dhe dy argumente dhe atë:
– Jo pse ushtarët e vijave të para të luftës janë të paditur, përkundrazi, por ushtari i UÇK-së, ai i vijës së parë të luftës, luftën për liri e ka pasur pa djallëzi e interesa, rrjedhimisht këto dukuri negative të komandantëve do t’i luftonte.
– Komandantët nuk do të mund të flisnin dhe të shpiknin lloj-lloj tregimesh e legjendash në prani të ushtarëve të vijave të para për të “bëmat” e tyre gjatë luftës para audiencës e cila nuk ishte e paktë pas lufte në ahengje, ndeja e kafiteri të ndryshme.
Këto, por edhe shumë të bëra e të pabëra të pasluftës nga ana e komandantëve, i bëjnë ata përgjegjësit më të mëdhenj për degradimin e vlerave të UÇK-së paslufte, komandantët jo vetëm se nuk ishin të papërgatitur për t’u përballur me shërbimin sekret serb, por as që kishin idenë se si funksionojnë shërbimet inteligjente, rrjedhimisht shërbimi sekret serb e shfrytëzoj në mënyrën më të mirë të mundshme shtrirjen e strukturave që kishte në terren për të lobuar kundër vlerës më sublime të shqiptarëve të shekullit të kaluar, madje këtë e bëri, po e përsëris, duke u futur brenda “kalasë së UÇK-së”.
Deputetë e qeveritarë
Për të ndërtuar një shtet duhen institucione. Ndër shtyllat kryesore institucionale të një shteti janë Kuvendi dhe Qeveria, institucione këto që përbëhen nga njerëz që në demokracinë të cilën e pretendon Kosova, i nënshtrohen procesit të votimit. Këta njerëz vijnë nga subjektet politike, pse jo edhe nga bota akademike dhe shoqëria civile por që, fatkeqësisht, këto dy segmente të rëndësishme të shoqërisë, partitë politike të Kosovës i gëlltitnin me një gllënjkë sa herë që ato tentonin të futeshin në Kuvend.
Prej përfundimit të luftës në Kosovë u organizuan disa palë zgjedhje, kryesisht të lira e demokratike, edhe pse disa prej tyre me manipulime e mashtrime, por në të gjitha rastet të pranuara nga subjektet politike pjesëmarrëse.
Subjektet politike pranuan rezultatet për interesa të tyre ose më mirë të thuhet për interesa të individëve që udhëheqin këto subjekte, madje gjuha dhe fjalori i kundërshtarëve politikë ndryshonte në mënyrë radikale prej fazës para në fazën paszgjedhore.
Sistemi zgjedhor tek ne lë shumë për të dëshiruar, nëse për asgjë tjetër, së paku për faktin se nuk kemi përfaqësim proporcional as në përqindje të përkatësive etnike e as në proporcion me numrin e banorëve të një komune a regjioni. Deputetët e zgjedhur fillimisht konstituojnë përbërjen e radhës së Kuvendit, zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe zëvendëskryetarët, pastaj institucionet si Qeverinë, presidentin, e nga këto institucione ndërtoheshin institucione si gjykatat e prokuroria e kështu me radhë. (Vijon)