Kremlini e fut në listën e agjentëve të huaj edhe ish-këshilltarin e Putinit
Ministria ruse e Drejtësisë përfshiu Andrey Illarionov, ish-këshilltar ekonomik i Kremlinit, në të ashtuquajturën listë të agjentëve të huaj.
Personat që janë në listën e agjentëve të huaj të monitoruar nga autoritetet në Rusi duhet të paraqesin informacione të detajuar për burimet e tyre të të ardhurave, shpenzimet dhe aktivitetet e ndryshme pranë autoriteteve kompetente, në të kundërt kërcënohen me ndjekje penale.
Në vitin 2005, Ilarionov ndërpreu bashkëpunimin me Kremlinin dhe u transferua në Shtetet e Bashkuara, ku aktualisht punon në Qendrën e Uashingtonit për Politikat e Sigurisë. Ai kritikon pushtimin e Ukrainës nga ushtria ruse dhe e përshkruan politikën ruse të viteve të fundit si një “katastrofë”.
Ministria ruse e Drejtësisë e justifikoi përfshirjen e Ilarionov në listën e agjentëve të huaj me faktin se ai “përhap informacion të rremë” për autoritetet ruse dhe vendimet e tyre.
Përveç Illarionov, listës së agjentëve të huaj iu shtuan të premten edhe gjashtë persona: aktivistët Vladimir Dovganov dhe Sardylana Kondakovova, politologu Andrei Piontkovskij, aktivisti për të drejtat e njeriut dhe ish-anëtar i Këshillit Presidencial për të Drejtat e Njeriut, Sergey Krivenko, shkrimtarja Tatiana Sotnikova dhe poeti dhe kritiku, Linor Goralikova.