Kremlini thotë se nga sulmet e Ukrainës u vranë 10 njerëz në Rusi
Dhjetë persona, përfshirë një fëmijë, janë vrarë dhe 45 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ukrainase të shtunën në qendër të kryeqytetit provincial të Rusisë, Belgorod, njoftuan autoritetet ruse.
Guvernatori rajonal Vycheslav Gladkov tha se sulmi e goditi një zonë banimi dhe u bëri thirrje të gjithë banorëve të mbrohen nga sulmet ajrore.
Rajoni Belgorod, i cili shtrihet në kufirin verior me Ukrainën, është përballur me sulme të artilerisë dhe dronëve gjithë vitin, sikur vendet tjera kufitare të Rusisë.
Për këto sulme, autoritetet ruse e kanë fajësuar Ukrainën.
Dy banorë thanë për agjencinë e lajmeve Reuters se kishin parë raketat e mbrojtjes ajrore duke u ngritur në qiell, të pasuara nga shpërthime në ajër.
Gazeta Kommersant i citoi burime brenda Komisionit Hetues të Rusisë duke thënë se raketat e lëshuara nga rajoni i Ukrainës, Harkiv, i goditën një qendër tregtare, ndërtesat e banimit dhe një veturë.
Kievi nuk e ka komentuar këtë sulm, i cili rrallëherë merr përgjegjësinë për sulmet brenda shtetit të vet fqinj.
Por, mediumi ukrainas RBC-Ukraine, i citoi burimet ukrainase duke thënë se forcat ukrainase e sulmuan Belgorodin si përgjigje ndaj bombardimeve ruse në qytetet ukrainase në dy ditët e kaluara.
Së paku 30 njerëz u vranë dhe mbi 160 të tjerë u plagosën nga bombardimet ruse në qytetet e mëdha ukrainase më 28 dhe 29 dhjetor.
Ukraina e ka cilësuar sulmin raketor rus si më të madhin deri tani në luftën pushtuese që Moska e nisi në shkurt 2022.
Cak i sulmeve ishin kryeqyteti Kiev, si dhe qytetet e mëdha si Odesa, Dnipropetrovski, Harkivi dhe Lvini.
Forca Ajrore e Ukrainës tha se nuk kishte parë asnjëherë aq shumë raketa të lëshuara përnjëherë./REL/