Kremlini thotë se udhëheqësi i grupit Wagner do të shkojë në Bjellorusi
Kremlini tha se shefi i mercenarëve të gripit Wagner, Yevgeny Prigozhin, do të shkojë në Bjellorusi, sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga presidenti bjellorus Alexander Lukashenko, për t’i dhënë fund një kryengritjeje të armatosur, që Prigozhini drejtoi kundër udhëheqjes ushtarake të Rusisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov,u tha gazetarëve se Lukashenko kishte ofruar të ndërmjetësonte, me pajtimin e presidentit rus Vladimir Putin, sepse ai e njeh Prigozhinin personalisht për rreth 20 vjet.
Zëdhënësi Peskov tha se çështja penale që ishte hapur kundër Prigozhinit për kryengritje të armatosur do të rrëzohet dhe luftëtarët e grupit Wagner që kishin marrë pjesë në “marshimin e tij për drejtësi” nuk do të përballen me asnjë veprim, në shenjë njohjeje të shërbimit të tyre të mëparshëm për Rusinë.
Luftëtarët që nuk morën pjesë në zhvillimet e së shtunës do të nënshkruajnë kontrata me ministrinë e Mbrojtjes, e cila ka kërkuar të vërë nën kontrollin e saj të gjitha forcat autonome vullnetare, deri më 1 korrik.
Edhe pse presidenti rus Vladimir Putin më herët ishte zotuar të ndëshkonte ata që morën pjesë në kryengritje, zëdhënësi Peskov tha se marrëveshja kishte “qëllim më të lartë” për të shmangur konfrontimin dhe gjakderdhjen.
Peskov nuk pranoi të thoshte nëse Prigozhinit i ishte bërë ndonjë lëshim, përveç garancive të sigurisë për të dhe për njerëzit e tij, për ta bindur që t’i tërheqë të gjitha forcat e tij.
Yevgeny Prigozhin kishte kërkuar më parë që atij t’i dorëzoheshin ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov.
I pyetur nëse do të ketë ndryshime personeli në ministrinë ruse të Mbrojtjes si rezultat i marrëveshjes, zëdhënësi Peskov tha se “këto çështje janë kompetencë e Komandantit Suprem (V.Putin) në përputhje me kushtetutën e Federatës Ruse”.
Mercenarët e grupit Wagner, ishin vetëm 200 kilometra larg Moskës kur u urdhëruan të ndalonin dhe të ktheheshin mbrapa, mbrëmjen e së shtunës.
“Tani ka ardhur momenti kur mund të derdhet gjak. Duke e kuptuar që do të derdhet gjaku rus, ne po e kthejmë autokolonën mbrapsht dhe po kthehemi në kampet fushore siç ishte planifikuar”, tha zoti Prigozhin, por nuk tha nëse Kremlini i është përgjigjur kërkesës së tij për të shkarkuar ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu.
Njoftimi për tërheqjen pasoi negociatat e presidentit të Bjellorusisë Alexander Lukashenko, një aleat i vendosur i presidentit rus, duke i dhënë fund sfidës më të rëndësishme për presidentin Putin në më shumë se dy dekada sa është në krye të Rusisë./VOA