Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës, Meta bën thirrje për më shumë dashuri
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka kujtuar sot ditën e kremtimit të shenjtërimit të Nënë Terezës, nëpërmjet një mesazhi në llogarinë e tij në “Facebook”.
Meta ka përmendur edhe njëherë veprën e saj të rëndësishme, që ka lënë gjurmë në historinë e njerëzimit, ndërsa bëri thirrje që kjo ditë të shërbejë si ditë reflektimi.
Postimi i plotë i tij:
Dita e Shën Nënë Terezës është një ditë feste për mbarë shqiptarët dhe botën katolike në tërësi!
Shën Nënë Tereza, është shembulli i jashtëzakonshëm i dashurisë pa kurrfarë kushti dhe i misionit të pareshtur të përkujdesjes ndaj kujtdo që vuan, pa dallim kombësie, race, feje apo përkatësie shoqërore.
Dita e sotme, që shënon kremtimin e Shenjtërimit të saj, është një dite feste, përkujtimi e respekti mbarëkombëtar ndaj veprës humane, hyjnore e të paharruar të Shenjtores sonë.
Në shembullin e saj, kjo ditë na fton të gjithëve, të hapim horizonte të reja, gëzimi e shprese, mirëkuptimi e dashurie për ata që kanë aq shumë nevojë.
E bekuara dhe e Shenjta Nënë Terezë, me veprën e saj na fton të ruajmë si sytë e ballit bashkëjetesën dhe harmoninë e pashembullt fetare që kombi ynë ka kultivuar e përsosur ndër shekuj. Me mesazhin e saj nuk duhet të harrojmë se i përkasim njëri-tjetrit.
“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.
Le të na shërbejë kjo porosi e Shën Nënë Terezës, simbolit të çdo nëne shqiptare, si shembull frymëzimi se si njerëzit e zakonshëm, me shumë dashuri, mund të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme për këdo që ka sot nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përfshirje sociale.