Krenar me ty Kamber!
Dr. Haxhi Kamberi ia uron ditëlindjen e 65-të, vëllait Kamber Kamberi.
Sot po e përmbushë një pjesë të misionit tënd jetësor, pjesën më të mirë dhe më produktive të jetës. Gjatë gjithë këtyre viteve punove me guxim, sakrificë dhe qëndrove vertikalisht për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Veprimtarinë dhe kontributin kombëtar e fillove në vitet e largëta 1981/82, si pjesëmarrës dhe organizator i demonstratave të studentëve. Piktura me nënën duke e përkundur fëmijën të mbuluar me flamur kombëtar “Djepi i dashurise”, e cila u botua si kalendar për Vitin e Ri 1984 në gazetën e studentëve “Bota e Re”, jo vetëm që ishte vepër e çmuar artistike e jotja, por ishte gjetje brilante, për të përçuar mesazhin e shpresës, qëndresës e ripërtëritjes kombëtare. Në vitin 1985 u botua piktura tjetër me Malësorin në tesha kombëtare që vallëzon me shami-flamur në maje të bjeshkëve, “Vallja e përjetësisë” si kalendar në gazetën e studentëve “Bota e Re”, e cila ishte mesazh i hapur i thirrjes për liri të Kosovës. Pikturat tua në atë kohë stolisnin odat dhe ambientet familjare në të gjitha vendet ku frymohej shqip! Si kryetar i klubit letrar “Jeronim De Rada” në vitet 1984-1987, në zemër të Prishtinës, në sallën e kuqe të Fakultetit të Filologjisë organizove me dhjetëra e dhjetëra orë letrare që kishin karakterin e tubimeve masive kombëtare, në të cilat jepeshin mesazhe qëndrese e lirie nga studentët dhe shkrimtaret e shumtë si: Azem Shkreli, Ali Podrimja, Basri Qapriqi, Sali Bashota, Milazim Krasniqi, Mirko Gashi, Zeqir Gervalla, Agim Vinca, Din Mehmeti, Besim Bokshi, Kadrush Radogoshi, Liri Loshi etj. Në vitet e 90’ aktivitetin kombëtar e shtrive në LDK, në mbijetesën dhe rezistencën e popullit tonë, në pritjen, ruajtjen dhe përcjelljen përtej kufirit të shumë aktivistëve të përndjekur nga regjimi Serb. Kontributi yt në luftë ishte i madh dhe mbetet i shënuar te të gjithë ata që të njohin në rajonin me neuralgjik të luftës, në Rekë të Keqe.
Kontributin në fushën e arsimit, si pedagog dhe drejtues i institucioneve arsimore, të arsimit të mesëm dhe të lartë, për edukimin e brezave të tërë, para luftës, në luftë dhe pas lufte, është i brumosur tek nxënësit dhe studentët që përgatite me breza nga mbarë trojet shqiptare.
Pas lufte kontributin e shtrive në shtetndërtimin e Kosovës (duke qenë deputet në parlamentin e Kosovës), në edukimin e brezave të rinj, si mësimdhënës e drejtor në shkollën e mesme të mjekësisë “Hysni Zajmi”, dhe pastaj si mësimdhënës dhe dekan i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë.
Në këtë ditë të shënuar të ditëlindjes tënde të 65’, është pamundur t’i përmbledhim të gjitha kontributet dhe të arriturat për familje dhe shoqëri. Por, nuk mundem pa i përmendur edhe sfidat që të shoqëruan gjatë gjithë kësaj kohe. Vazhdimisht u përndoqe nga regjimi Serb dhe bashkëpunëtorët e tyre. Përveç kësaj edhe përpjekjet për të ndihmuar pa dallim njerëzit tanë, nuk t’u shpërblyen gjithherë, madje dorën tënde të ndihmës dhe përkrahjes ndonjëhere e keqpërdorën dhe e kafshuan pikërisht ata që i ndihmove dhe i ngrite. Qëndrimin fisnik dhe të guximshëm, për të ndihmuar dhe për të përkrahë njerëzit në të drejtën e tyre njerëzore e kombëtare, nuk u pa me sy te mirë nga mentalitetet e kaluara, të cilët jo pak herë të shigjetuan me goditje padrejtësisht, madje këto valë të padrejtësive ranë mbi ty deri në ditëlindjen e 65’.
Megjithatë ti ia arrite t’i kalosh të gjitha sfidat e jetës duke na bërë krenar për të gjitha të arriturat dhe kontributet gjatë kësaj kohe. Ndërsa, në pjesën tjetër të jetës, presim vepra dhe kontribute të tjera madhore që do ta rrisin dhe lartësojnë punën tënde fisnike për komb e atdhe.
Në fund, në këtë ditëlindje të 65’, familja Kamberi dhe të gjithë të afërmit të urojmë shëndet e të mira, të paçim me jetë të gjatë sa bjeshkët e larta, zëri dhe vepra jote shekulloftë në trojet shqiptare!
Gëzuar!