Krenaria e Gjilanit, Makfire Osmani, i thotë disa fjalë për 10-vjetorin e pavarësisë
“Në prag të 10-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës udhëheqësia jonë duhet të vetëdijesohet më shumë. Prioritet në udhëheqje duhet t’u japë të rinjve që kanë aftësi profesionale dhe pjekuri politike e që kemi me bollëk”, ka thënë veterania e arsimit, Makfire Osmani-Uzunaliç.
Duke u inspiruar nga thënia e Gabriel Garcia Marquezit, se “gazetari është dëshmitari i epokës në të cilën jeton”, edhe ne deshëm që me shkrimin e znj. Makfire Osmani-Uzunaliç, e cila synon ta rivendosë drejtpeshimin shpirtëror dhe moral të shoqërisë, t’u lëmë kohëve dëshmi një copë shënim për të dhe brezin e saj.
Ajo “nuk është politikane që jeton prej politikës, por politikane që jeton për politikën”.
Veterania gjilanase e arsimit, znj. Makfire Osmani-Uzunaliç, ambasadorja e Federatës Universale të Paqes nga radhët e pensionistëve, është e njohur si kontribuuese e madhe në arsimimin dhe edukimin e shumë brezave në Komunën e Gjilanit.
E bija e Emin Ramush Osmanit, ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit të viteve 1960-1963, Makfirja njihet si veprimtare patriotike përgjatë periudhave më të rënda të vendit tonë. Me rolet në shfaqjet e ndryshme teatrale dhe me aktivitete e ndryshme la gjurmë të thella në jetën kulturore të qytetit të Gjilanit. Ende mbahen në mendje zëri dhe bukuria e saj kur, në vitet e ’50-ta, si vajzë 16-vjeçare, këndoi këngën “Krisi pushka” në Teatrin e qytetit të Gjilanit.
Krenaria e Gjilanit, znj. Makfire Osmani, edhe sot në moshën e rreth 80-tave, me bukurinë, mençurinë dhe ideologjinë e saj për një shtet demokratik dhe të zhvilluar, vazhdon ta japë kontributin e çmuar për vendin tonë, për rininë dhe për më merituarit, pensionistët tanë.
Ajo përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar për të arriturat e Kosovës si shtet në këtë dhjetëvjetor dhe për sfidat nëpër të cilat po kalon shteti ynë.
“Jemi në prag të shënimit të 10-vjetorit të pavarësisë së shtetit, përvjetor i cili na bënë krenarë për të arriturat, por edhe na shqetëson për disa situata që po na ndodhin në dëm të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Për tejkalimin e tyre nuk po shprehet angazhim i duhur nga institucionet shtetërore dhe kategoritë e tjera shoqërore. Për fat të keq, ende shprehet bajraktarizmi, rrahja e gjoksit për patriotizëm, në vend se t’u jepet prioritet çështjeve madhore të shtetndërtimit”, ka shkruar ajo.
Veterania e arsimit ka shtuar se këto ditë disa kategorive të shoqërisë iu rriten pagat, por jo edhe pensionistëve. Për këtë çështje ajo ka dhënë edhe mendimin e vet.
“Jemi një armatë e tërë e profileve dhe profesioneve të ndryshëm, që gjatë punës sonë, me shumë mund e djersë dhe në kushte shumë të vështira, dhamë kontributin tonë për përgatitjen e shtyllës së shtetit në zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës, shtyllë për të cilën bijtë dhe bijat tona e flijuan jetën, rininë dhe i vunë themelet e shtetit, natyrisht, edhe me ndihmën e miqve të atdheut. Ia dolëm që ëndrra e gjeneratave tona të bëhet realitet për një shtet të lirë dhe të pavarur. Që 18 vjet kategoria jonë ballafaqohet me halle dhe probleme, pa status të pensionistit e pa dinjitet dhe trajtohemi si kategori sociale. Kështu nuk e kemi merituar!”, ka thënë Osmani-Uzunaliç.
Ajo ka pohuar se, pavarësisht prej këtyre anashkalimeve, gjenerata e saj është krenare për punën që ka bërë për shtetndërtimin e Kosovës.
“Pavarësisht prej këtyre anashkalimeve, jemi krenarë për punën tonë të shenjtë, duke edukuar dhe arsimuar gjenerata të tëra me radhë, duke ndërtuar fabrika dhe uzina për një jetë më të mirë të qytetarëve, punësim të të rinjve (çfarë në kohën tonë janë realizuar!)”, ka deklaruar veterania e arsimit, e cila për këtë dhjetëvjetor të shtetësisë ka edhe një porosi për udhëheqësin e shtetit.
“Në prag të 10-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës udhëheqësia jonë duhet të vetëdijesohet më shumë. Prioritet në udhëheqje duhet t’u japë të rinjve që kanë aftësi profesionale dhe pjekuri politike e që kemi me bollëk”, ka thënë veterania e arsimit, Makfire Osmani-Uzunaliç.
/Epoka e re/