Krerët e federatave të mëdha në drekë pune: Bashkë në proceset sportive
Krerët e katër federatave më masive dhe më të suksesshme në sportet kolektive kanë zhvilluar sot një drekë pune.
I pari i FFK-së, Agim Ademi përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka njoftuar për drekën e përbashkët me homologët e tij nga Federata e Basketbollit, Hendbollit dhe ajo e Volejbollit.
Presidenti i FFK-së ka theksuar se në këtë takim kanë diskutuar për shumë tema, në mesin e të cilave edhe për grupet e tifozëve, si dhe kanë arritur pajtueshmëri që këto katër federata të jenë bashkë në proceset sportive.
Postimi i plotë i Ademit:
Drekë pune e katër federatave më masive dhe më të suksesshme në vendin tonë në sportet kolektive.
Bashkë me presidentin e Federatës së Basketbollit, Arben Fetahu, presidentin e Federatës së Hendbollit, Eugen Saraqini dhe presidentin e Federatës së Volejbollit, Bahri Gjinovci diskutuam me tone pozitive dhe shkëmbyem ide e mendime për projektet dhe proceset sportive të federatave që i udhëheqim.
Përveç tjerave pjesë e posaçme e diskutimit ishin edhe grupet e tifozëve të klubeve, e me theks të veçantë organizata e tifozëve të Kombëtares, Dardanët.
E vlerësuam të nevojshme që të kontaktohen këto grupe të tifozëve dhe të shpalosen projekte për organizimin e tyre sa më të mirë. Në të gjitha temat që diskutuam arritëm pajtueshmëri të plotë.
Me këtë rast u vendos që katër federatat më masive të jenë bashkë në proceset sportive, gjithmonë në të mirë të sportit. Takimi i radhës u vendos të mbahet në muajin shkurt.
#BashkëPërSportin ?⚽️??♂️???