Krerët e Kosovës ngushëllojnë familjet e viktimave në Maqedoninë Veriore

13 shkurt 2019 | 21:31

Krerët e shtetit të Kosovës kanë ngushëlluar familjet e viktimave nga aksidenti që ka ndodhur sot në Maqedoninë Veriore.

13 persona kanë vdekur e rreth 40 të tjerë kanë pësuar lëndime pasi një autobus kishte dalë nga autostrada Shkup – Tetovë, transmeton Koha.net.

Presidenti Hashim Thaçi në një postim në profilin e vet në “Facebook”, ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave derisa u ka uruar shërim të shpejtë të lënduarve.

“Ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave të aksidentit në autostradën Shkup-Tetovë, ndërsa të lënduarve iu uroj shërim sa më të shpejtë dhe të plotë. Iu shpreh ngushëllime edhe udhëheqësve të institucioneve, si dhe tërë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Thaçi.

E edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është tronditur nga ky aksident me fatalitet.

“I tronditur nga aksidenti me fatalitet në autostradën Shkup-Tetovë. Një tragjedi që po prekë shumë familje, me dhjetëra të lënduar e për fat të keq shumë të vdekur. Ngushëllime të sinqerta për familjet që humbën më të dashurit e tyre dhe shërim sa më të shpejtë për të lënduarit”, ka shkruar Haradinaj.

Kurse kryeparlamentari, Kadri Veseli ka shkruar, “I pikëllueshëm lajmi për aksidentin e rëndë që ndodhi sot në afërsi të Tetovës. Në emër timin dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave të kësaj tragjedie dhe shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve”.

Edhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli ka shprehur ngushëllimet e tij për viktimat.

“Duke ndjekur me vëmendje situatën e aksidentit tragjik sonte në autostradën Shkup-Tetovë, në fshatin Llaskarcë. Lutem për të lënduarit, dhe i shprehi ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve të viktimave”, ka shkruar Pacolli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skitaret e Kosovës, Klea Vrella dhe Elba Kokaj, kanë përfunduar…