![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/11/500DC059-BCC2-436B-BE0E-6016939CDE96.jpeg)
Krerët e UÇK-së nuk janë thyer në luftë e nuk do të thyhen as në Hagë!
Ish-kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike, Enver Hoxhaj, ka shkruar për krerët e UÇK-së, pasi siç thotë ai, sot një vit më parë u njoftua se do të ngritej aktakuzë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit.
“Në ditën e sotme, një vit më parë, mora lajmin më të pabesueshëm në jetën time. Ngritja e aktakuzës ndaj ish-Presidentit Thaçi dhe ish-kryetarit Veseli me bashkëluftetarë ishte tronditëse”, ka shkruar Hoxhaj në një postim në Facebook, transmeton Klankosova.tv.
“Edhe sot, ende, ata po mbahen padrejtësisht në Hagë. Besoj në pafajësinë e tyre dhe luftën e drejtë, të cilës i prinë! Krerët e UÇK-së nuk janë thyer në luftë e nuk do të thyhen as në Hagë! Në çdo betejë kanë dalë fitimtarë dhe faqebardhë!”
Tutje, Hoxha tregoi se lajmin për ngritjen e aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit e mori vesh para se publiku ta kuptonte, por se ai dhe disa të tjerë e mbajtën sekret deri sa vetë të akuzuarit njoftuan publikun.
“Atë natë, shumë pak persona në PDK e morëm vesh lajmin, e mbajtëm në mirëbesim, deri në momentin kur dy miqtë e mi, Hashimi e Kadriu, e vendosën se duhet të njoftohen edhe qytetarët e Republikës, për të cilën vazhdojnë të mos e kursejnë veten!”.
“E kujtoj atë si natën më të vështirë ndonjëherë”, përfundoi ish-ushtruesi i kryetarit të PDK-së.