Krerët shtetërorë falënderojnë Delawien për kontributin e tij në Kosovë

18 shtator 2018 | 19:19

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehu mirënjohjen për ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fuqizimin e brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës.

Këto komente ai i bëri në pritjen lamtumirëse për ambasadorin Greg Delawie, e cila u organizua nga kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Thaçi vlerësoi se sfida më e vështirë e Kosovës është mbetet anëtarësimi në BE dhe normalizimi i raporteve me Serbinë.

Presidenti gjithashtu falënderoi ambasadorin Delawie për punën e tij gjatë qëndrimit në Kosovë.

“Jam shumë mirënjohës për ju ambasador që na qëndruat afër çdo herë, jam mirënjohës për ShBA-në që Kosova të fuqizohet në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Ky fuqizim është meritë e jona e përbashkët. Neve na mbetet që edhe më tutje të anëtarësohemi në NATO dhe BE. Është mirë që tani kemi themelimin e forcave të armatosura në kuvend. Neve na mbetet sfida më e gjatë dhe e vështirë anëtarësimi në BE, gjithashtu edhe normalizimi i raporteve me fqinjët edhe me Serbinë”, ka deklaruar ai.

Kryeparlamentari Kadri Veseli tha se përkrahja e ambasadorit Delawie ka ndihmuar Kosovën në proceset e saj të vështira.

“Pak kam parë njeri i cili nga natyra është aq i qetë dhe aq i vendosur. Në tri vitet që kam kaluar nuk kanë qenë të lehta, mirëpo po të mos ishte ky ambasador me këshillat dhe përkrahjen e tij, Kosova nuk do të ishte siç është. Unë e falënderoj ambasadorin, ka bërë një punë të jashtëzakonshme. E ka thelluar edhe më shumë bashkëpunimin me ShBA-në. Përmes ShBA-së e shohim lirin dhe demokracinë”, ka deklaruar Veseli.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka falënderuar ambasadorin, derisa theksoi që puna dhe kontributi i tij do të kujtohen nga populli i vendit.

“Është e rëndësishme që të gjithë jemi së bashku. Ambasador, ti po na nderon sot dhe na nderon vepra jote për vendin tonë. Ne kemi arsye të forta që e duam ShBA-në dhe ju jeni një arsye më shumë. Zoti e bekoft ShBA-në”, ka shtuar Haradinaj.

Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, ka theksuar se Kosova ka shënuar progres gjatë këtyre viteve.

“Duhet të them se jam i lumtur që jam duke shkuar në shtëpi, por i mërzitur që po e lë Kosovën. Në tri vitet e kaluara kam qenë dëshmitar i shumë gjërave pozitive. Ekonomia po ecën mbarë në Kosovë. Kosova duhet të pranojë ata që janë në cep të suksesit të vendit janë gratë dhe të rinjtë dhe komunitetet. Kosova nuk duhet të presë që të përballet me këto sfida. Është ditë e mërzitshme për mua që po shkoj, mirëpo do të kthehem në Kosovë sërish të ju shoh duke ecur përpara. Politikanët të rrinë jashtë proceseve gjyqësore. Pengesat në këto fusha mund të jenë problem i madh për të ardhmen e Kosovës.Miratimi në mars për shënimin e kufirit ishte fitore e rëndësishme për Kosovën dhe zoti kryeministër, edhe pse nuk pajtohemi për çdo gjë e di se kemi punuar shumë për këtë çështje së vështirë”, ka shtuar ai.

Greg Delawie ka ushtruar detyrën e ambasadorit të ShBA-së në Kosovë që nga viti 2015, kur ishte emëruar nga ish-presidenti amerikan Barack Obama. Ndërkaq, në muajin korrik të këtij viti, presidenti aktual i ShBA-së, Donald Trump, ka emëruar diplomatin Philip S.Kosnnet nga Virixhinia si ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur në…