Kreshnik Radoniqi tërhiqet nga gara për kryetar të Apelit

04 prill 2022 | 15:09

Komisioni Vlerësues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) të hënën ka përfunduar intervistat me kandidatët për kryetar të Gjykatës së Apelit. Ndërsa, gjyqtari Kreshnik Radoniqi, është tërhequr nga kjo garë.

Komisioni Vlerësues me përbërje të anëtarëve Vilard Bytyqi,  Avni Mehmeti dhe Fahret Velija, ka intervistuar kandidatët, Hashim Çollaku, Nehat Idrizi, Zyhdi Haziri, Valon Totaj dhe Bashkim Hyseni, gjyqtarë këta që i kanë hyrë garës për pozitën e kryetarit të Gjykatës së Apelit, sipas konkursit të shpallur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kandidat për kryetar të Gjykatës së Apelit ka qenë edhe gjyqtari Kreshnik Radoniqi, tani edhe kryesues i  Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), mirëpo i njëjti është tërhequr nga kjo garë, pasi Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) për të njëjtin ka konstatuar se zgjedhja eventuale  e tij në pozitën e kryetarit të Apelit duke qenë edhe kryesues i KQZ-së, përbën konflikt të interesit.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, gjyqtari Radoniqi e ka konfirmuar lajmin se është tërhequr nga kjo garë dhe një prej arsyeve për tërheqjen nga kjo garë ka përmendur opinionin e AKK-së.

“Po, unë jam tërhequr nga gara. Njëra prej arsyeve pse jam tërhequr nga gara është se AKK ka konstatuar se zgjedhja ime eventuale në pozitën e kryetarit të Gjykatës së Apelit, duke qenë edhe kryesues i KQZ-së, përbën konflikt të interesit, për faktin se kemi të bëjmë me dy pozita udhëheqëse”, tha gjyqtari Radoniqi.

Ai ka thënë se pas këtij opinioni, më shumë ka vlerësuar se fokusi i tij duhet të jetë në KQZ, ku sipas tij edhe ka obligime të shumta.

“Për këtë arsye, unë kam vlerësuar se fokusi im më i madh duhet të jetë në KQZ, ku edhe kam obligime të shumta dhe si rrjedhë jam tërhequr nga gara për të parin e Gjykatës së Apelit” deklaroi Radoniqi për “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari Radoniqi, më 14 qershor 2021, ishte emëruar Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga presidentja Vjosa Osmani.

Ndryshe, që nga gushti i viit 2021, pozitën e të parit në Gjykatën e Apelit e ushtron Afrim Shala, të cilin KGJK e ka caktuar ushtrues detyre, pozitë të cilën do ta mbajë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj gjykate.

Kjo pasi, ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, i ka përfunduar mandati në fillim të muajit gusht 2021.

Ndryshe “Betimi për Drejtësi”, kishte raportuar për kandidatët që kanë aplikuar për pozitën e kryetarit të Gjykatës së Apelit. Dhe tre nga kandidatët që i janë futur kësaj gare, Bashkim Hyseni, Hashim Çollaku dhe Nehat Idrizi për “Betimi për Drejtësi”, kishin prezantuar objektivat që synojnë t’i realizojnë nëse zgjedhën për të udhëhequr me Apelin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liderët e Kosovës dhe Shqipërisë kanë dënuar ashpër ato që…