Kreu i FFK-së kërkon kujdes rreth vendimit për stadiumin “Fadil Vokrri”
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka kërkuar kujdes nga të gjitha organet shtetërore sa i përket vendimit rreth menaxhimit të stadiumit ‘Fadil Vokrri’. Ky objekt që nga rinovimi i plotë në vitin 2016 mirëmbahet nga FFK, por kohët e fundit në media është raportuar se komuna e Prishtinës synon që këtë stadium t’ia japë nën menaxhim ndërmarrjes publike “Sport Marketing”.
“Duhet të kemi shumë kujdes, sepse këtij stadiumi mund t’ia humbim shumë lehtë kategorinë e katërt të UEFA-s, për një apo arsye tjetër, për mungesë të mirëmbajtjes, për mungesë organizimi etj. Ky stadium është bërë me sistem njëburimor dhe me procedurë të veçantë nga Qeveria dhe nga ne FFK si investitor, si dhe komuna si pronare që ka qenë bashkërisht me ne. Ky stadium është bërë ekskluzivisht për ekipet kombëtare dhe si i tillë duhet të jetë objekt i rëndësisë së veçantë. Prandaj, duhet ta organizojmë sa më mirë që është e mundur. I lus të gjitha organet që janë kompetente në këtë punë që sa më shpejt të organizohemi. FFK është e gatshme për të participuar me pjesën e vet sa herë që Qeveria dhe komuna vendos me investu për futbollin”, ka theksuar Ademi në intervistë për televizionin publik.
Ai ka thënë se FFK shpenzon jashtëzakonisht shumë për ta mirëmbajtur stadiumin aktualisht, edhe pse ky objekt nuk është pronë e federatës. Sipas tij, FFK i paguan edhe punëtorët që janë pjesë e stadiumit, e të cilët i ka emëruar komuna para shumë vjetësh.
Ai ka kërkuar që t’i bëhet zgjidhje këtij stadiumi, duke e kaluar në shfrytëzim për 99 vite për Federatën.
“Nëse për ndonjë gabim të dikujt duhet të shkojmë të luajmë në Shkodër apo gjetiu kjo nuk do të ishte mirë për asnjërën palë“, ka shtuar Ademi. Stadiumi “Fadil Vokrri” është i vetmi që është i licencuar nga UEFA për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare në Kosovë. Para se ky stadium të licencohej, Kombëtarja e Kosovës dhe klubet që merrnin pjesë në garat evropiane ndeshjet i zhvillonin në Shkodër dhe Elbasan.