​Kreu i KGJK-së: Nëse na ulin pagat ligjin e dërgojmë në Kushtetuese

02 janar 2023 | 11:50

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, shprehet se në rast se me Ligjin për Paga, që tashmë është miratuar në Kuvendin e Kosovës, parashihet ulja e pagave për gjyqtarët do t’i shikojë të gjitha mundësitë që këtë ligj ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Krahas këtyre veprimeve për këtë ligj, Zogaj, në një intervistë për KosovaPress, ndër të tjerash flet edhe për dorëheqjet e gjyqtarëve serbë, mospajtimet me ekzekutivin por edhe punën e këtij institucioni gjatë vitit të kaluar.

Kreu i KGJK-së thotë se vazhdimisht ka pasur përpjekje për t’i ulur pagat e gjyqtarëve.

“Ka pas një përpjekje të vazhdueshme për të ulur pagat e gjyqtarëve, ne kur po flasim ende nuk e dimë se sa do të jetë paga e gjyqtarëve… KGJK do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese nëse në Ligjin për pagat do të ketë zbritje për pagat e gjyqtarëve, ne shpresojmë që do të ketë qartësim deri në masë të administratës gjyqësore, shpresoj që do të ketë rritje, sepse ende është enigmë çështja e vlerës së koeficienteve, por që vlerësimet preliminare nënkuptojnë se do të ketë ulje drastike të pagave, diçka që është krejtësisht e papranueshme për KGJK… Nuk mund të ketë ulje të pagave të gjyqtarëve sepse janë legjitimuar pagat me ligj e vendim dhe realisht për 5 vite gjyqtarët kanë pranuar këto paga dhe në kohën e inflacionit të madh dhe krizës të ulen pagat është krejtësisht e papranueshme… Për fat të keq deri tani nuk kemi një refleksion të Avokatit të Popullit as në raport me vendimin e përparshëm dhe as të paktën deri tani të deklaruar me Ligjin e pagave, megjithatë pavarësisht kësaj. gjyqësori do të shikojë të gjitha mundësitë kushtetuese për ta ndjekur çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese”, thekson ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Në Tiranë më 31 Dhjetor 2022, ia dhamë…