Kreu i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së: Jemi shqetësuar nga biseda e Kusarit me kriminelët
Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, thotë se janë të zhgënjyer dhe të shqetësuar pas publikimit të incizimit ku dëgjohet derisa flet shefja e grupit parlamentar e LV-së, Mimoza Kusari, me Milan Radojçiqin, tani të akuzuarin kryesor për sulmin në Banjskë i cili ndodhi vitin e kaluar.
“Ne jemi të zhgënjyer, jemi të shqetësuar me ndodhë në vendin tonë këto gjëra, me Listën Serbe, me kriminelët me goditë luftën e UÇK-së, familjet e dëshmorëve, megjithatë ne si organizata jemi duke biseduar se çka do të bëjmë’’ thotë Jashari.
Jashari thotë se po të ishte kryeministri Albin Kurti si duhej, do të duhej ta shkarkonte nga pozita Mimoza Kusarin.
‘’Po të kishte vendi kryeministër do të duhej ta shkarkonte një anëtare, këtë rast Kusari-Lilën, por kjo është bërë edhe me dijen e Kurtit. Të shohim si po rrjedhin gjërat, po besoj se do ju njoftojmë me kohë ndaj kësaj bisede’’ thotë ai.
Jashari thotë se të hënën do të ketë një takim ku do të vendoset se çfarë do të ndodhë tutje.
‘’Nuk muj me të thanë a ka protesta, po besoj që të hanën do kemi një takim dhe do të dalim në opinion me qëndrimet tona’’ tha ai.