Kreu i Vagner kritikon zyrtarët rusë për mungesën e municioneve: Nevojiten 300 tonë në ditë
Kreu i mercenarëve rusë të Wagner, ripërsëriti sot apelin e tij drejtuar ministrisë ruse të mbrojtjes për të shtuar dërgesat e municioneve për luftëtarët e tij, që përpiqeshin të pushtonin qytetin Bakhmut në Ukrainën lindore.
Yevgeny Prigozhin është përplasur shpesh me strukturën e mbrojtjes së Moskës për drejtimin e fushatës ruse në Ukrainë dhe për atë që ai thotë se është ofruar mbështetje e pamjaftueshme për ushtarët e tij Wagner.
Në një video të postuar në kanalin e tij Telegram, Prigozhin tha se i duhen të paktën 300 ton predha artilerie në ditë për sulmin.
“Treqind ton në ditë janë 10 kontejnerë mallrash, aspak shumë. Por ne nuk po na jepet më shumë se një e treta e kësaj,” tha Prigozhin ndërsa inspektonte kutitë e armëve në një magazinë që ai tha se ishte në qytetin Soledar, në verilindje të Bakhmutit.
Bakhmut, i cili kishte një popullsi prej mbi 70,000 banorësh të paraluftës, është rrafshuar nga bombardimet e artilerisë dhe luftimet midis ushtarëve rusë dhe ukrainas. Prigozhin pretendoi më 11 prill, se forcat e tij kontrollonin më shumë se 80% të qytetit.
Ëagner nuk është pjesë e forcave të armatosura zyrtare të Rusisë dhe Prigozhin ka akuzuar më parë ministrinë e mbrojtjes për “tradhti” të luftëtarëve të tij dhe qëllimet e përgjithshme të luftës së Rusisë, duke mos siguruar municion të mjaftueshëm.
Në një video të mëparshme Prigozhin tha se nëse grupi ishte i destinuar të vdiste, ai nuk do të binte “në dorën e ushtrisë ukrainase apo NATO-s, por për shkak të burokratëve bastardë vendas”.
Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga ministria ruse e mbrojtjes ndaj deklaratave të Prigozhin.
Rusia thotë se kapja e Bakhmutit do të hapë fushën e betejës për ofensivat e ardhshme në Ukrainën lindore. Kievi dhe Perëndimi kanë minimizuar rëndësinë strategjike të qytetit, megjithëse Ukraina gjithashtu ka refuzuar vazhdimisht të tërheqë trupat e saj nga atje.