Kreu i ZRRE-së: Nëse deri sot keni paguar 50 euro për rrymën, nga prilli do të paguani 58 euro

21 mars 2025 | 22:03

Në emisionin EURO n’T7 është diskutuar propozimi i Zyrës së Rregullatorit për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15%.

Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka arsyetuar propozimin duke thënë se kjo rritje është bërë 100% duke u bazuar në inflacionin global.

Sipas tij, edhe pse kemi pasur rritje të çmimit të energjisë në tri vitet e fundit, Kosova ende mbetet në fund të listës së vendeve me çmimin më të lirë të energjisë elektrike.

Fejzullahu thekson se rritja e çmimit është e domosdoshme për të mbuluar kostot e importit, të cilat ose duhet t’i paguajë konsumatori, ose të subvencionohen nga qeveria.

“Nëse një konsumator deri më sot ka paguar rreth 50 euro për energjinë e shpenzuar, pas rritjes së tarifave ai do të paguajë rreth 58 euro, pra minimalisht 8 euro më shumë. Ndërsa bizneset do të paguajnë tarifa të tjera”, ka thënë Fejzullahu.

Në anën tjetër, është komentuar edhe nisma qytetare “Asnjë cent më shumë”, për të cilën kreu i ZRRE-së ka thënë se e kupton shqetësimin e qytetarëve, por reflektimi në tarifa ka qenë i domosdoshëm.

“Nëse kemi protesta dhe mosbindje qytetare, do të ketë reduktime, sepse asnjë furnizues nuk mund të mbulojë këto kosto. Nuk ka alternativë tjetër përveç reflektimit në tarifa. Për ata qytetarë që nuk mund ta përballojnë faturën, duhet të aplikojnë për subvencionim tek Ministria e Financave”, ka pohuar Fejzullahu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një vetaksident ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në magjistralen…