Krijimi i Shqipërisë në Londër si rezultat i një kompromisi të Fuqive të Mëdha
Intervistoi: Haqif Mulliqi
Dr. Daut Dautin e njohim që nga koha kur filloi të shkruajë në revista dhe gazeta të Prishtinës dhe kur paralajmëronte një karrierë të suksesshme në gazetari. Në fillim të viteve nëntëdhjetë e hasim edhe në publicistikën shqiptare. Objekt i shkrimeve të tij ishin, veçanërisht, temat historike, që zinin fill në dokumentet e Arkivit Britanik, me çfarë, në një mënyrë apo tjetrën, iu imponua publikut shqiptar, gjithandej, jo vetëm me qasje që e detabuizonin të vërtetën historike, por edhe me “kundërvënien” që trajtesat e tij i bënin historiografisë shqiptare (zyrtare) që ishte krijuar deri atëherë dhe e cila kishte qenë nën kontrollin e rreptë të shtetit. Dr. Dauti ka mbaruar Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ka magjistruar në Londër mbi të Drejtën e Unionit Evropian, kurse ka doktoruar në Universitetin e Lidsit (University of Leeds) në Angli për histori, në një fushë jashtëzakonisht interesante, e cila në vete ngërthen periudhën që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri te Konferenca e Londrës.
Studimet e dr. Daut Dautit janë një kontribut brilant për hedhjen dritë mbi periudha kohore për të cilat te ne është shkruar aq pak dhe, ndonjëherë, aq afër, të cilën e thekson në vlerësimet e veta për të edhe historiani i shquar britanik Noel Malkom. Kështu, në këtë intervistë të gjatë bërë posaçërisht për revistën “Akademia”, do të flasim me të për disa prej çështjeve që e kanë karakterizuar periudhën kohore me të cilën është marrë ky studiues, ku gjejmë edhe çështje të caktuara të cilat, pa dyshim, për herë të parë hasen në publicistikën dhe historiografinë tonë. Dr. Daut Dauti ka botuar një mori librash publicistikë dhe shkencorë të cilët atë e bëjnë një prej zërave më të veçantë të historiografisë bashkëkohore shqiptare.
Zoti Dauti, jeni gazetar me shumë përvojë, publicist, jurist etj. Një pyetje që mund t’jua bëjë secili është kjo: si ju lindi një interesim kaq i madh, gati pasionues, për historiografinë?
DAUTI: Besoj se fillimisht kureshtja e gazetarit më ka shtyrë të shkoj në Arkivin Britanik apo në PRO (Public Record Office). Kisha dëshirë ta dija se çka kanë shkruar diplomatët britanikë për ne shqiptarët, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. Më interesonte qëndrimi i tyre për shkak se ne nuk dinim aq shumë për marrëdhëniet shqiptaro-britanike të cilat nuk ishin aq të dendura e të ngushta e që pas Luftës së Dytë u ndërprenë tërësisht. Në shqip, por edhe në anglisht, kishte fare pak material për këtë temë. Kontakti im me dokumentet e para në këtë arkiv krijoi efekt të madh. I kisha para meje dokumentet që dikur ishin sekrete, që flisnin për situata dhe personalitete të rëndësishme e të cilat unë po i lexoja pas gjysmëshekulli. Këtë punë fillova ta bëja si gazetar, duke filluar nga një temë, por e vazhdova si publicist dhe më vonë u bë interesimi im pothuaj primar. Interesimi zgjerohej për shkak se dokumentet që i gjeja ishin voluminoze dhe mbulonin situata të shumta dhe periudha të ndryshme kohore. Ky interesim vazhdoi me dekada dhe kulmoi me hulumtimin e temës së doktoratës sime në Universitetin e Lidsit, e që është projekti im më i madh në historiografi. Por, në realitet, interesimi im nuk ka përfunduar këtu, pasi që ai vazhdon edhe më tutje të më cytë për të shpalosur ende dosje të mbuluara nga pluhuri të cilat flasin për shqiptarët dhe historinë e tyre. Unë e vizitoj këtë arkiv, sikur edhe disa të tjerë, edhe sot pasi që aty gjithmonë ka diçka që ngacmon kureshtjen për të zbuluar gjëra që nuk i dimë apo për t’i ndriçuar ato që nuk i dimë mjaftueshëm apo sa duhet.
Mendoj se nuk janë të paktë ata që i kujtojnë disa fejtone interesante që i botuat në pjesën e parë të vitit 1991 e që vazhduan për shumë vjet: Shqiptarët në dokumentet e Inteligent Services, ai për Konfliktin shqiptaro-britanik në Korfuz, fejtoni mbi Kim Filbin dhe përpjekjet e CIA-s dhe të MI-6 që në periudhën 1949-1952 ta përmbysin regjimin komunist në Shqipëri dhe kështu me radhë. Çfarë e bënte të veçantë këtë lloj të dokumentimit të historiografisë shqiptare, në veçanti pas rreth pesë dekadave të sundimit të mendimit politik dhe ideologjik në këtë shkencë?
DAUTI: Shumicën e këtyre dokumenteve, me një entuziazëm të madh, i kemi përgatitur bashkë (unë dhe ti) për botim në gazeta. Ka qenë hera e parë që në publicistikën shqiptare botoheshin dokumente nga arkivat britanike, të cilat më parë kanë qenë (top) sekrete, të përpiluara nga diplomatët dhe konsujt që kanë shërbyer në rajonin e Ballkanit. Këto raporte fillimisht kanë qenë të dedikuara për të shërbyer për informim të një numri të vogël të zyrtarëve të lartë britanikë që duhej të merrnin vendime për këto çështje. Pra, të shohësh e lexosh diçka zyrtare që dikur ka qenë shumë e rëndësishme, është një punë që ta zgjeron dëshirën për thellim të mëtejmë të hulumtimit. Pastaj, mundësia që kjo të përhapet për lexim të gjerë, krijon një ndjenjë kënaqësie. Ta informosh publikun për herë të parë se çka përmbajnë dokumentet që kanë të bëjnë me Çështjen e Korfuzit, Kim Filbit dhe planit anglo-amerikan për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri dhe temave të tjera, ka qenë një punë që unë edhe sot e konsideroj shumë të rëndësishme.
A mund të zhvillohet shkenca e historiografisë nën kontrollin e shtetit?
DAUTI: Historia është shkencë dhe shkenca nuk e duron ‘rregullimin’ apo çfarëdo ndërhyrje nga shteti. Ndërhyrja nënkupton caktimin e rregullave të studimeve dhe botimeve. Shkencëtarët, në mesin e tyre edhe historianët, nuk do të krijonin pasqyrë të saktë e as të qartë sikur të kufizoheshin nga tema, mënyra e hulumtimit dhe interpretimit. Historiani është i obliguar që ta studiojë ndonjë temë dhe t’i paraqes faktet apo rezultatet përfundimtare pa marrë parasysh se si pasqyrohen ato në gjendjen ekzistuese në shoqëri. Ndërhyrja e shtetit ka qenë problem në shtetet e Evropës Lindore, sidomos, pra në ish-bllokun komunist, siç e quajmë edhe sot një hapësirë të caktuar gjeografike ku bën pjesë edhe Ballkani. Gjatë komunizmit shtetet e kanë dizajnuar historinë në atë mënyrë që t’u shkonte për shtati sistemit politik dhe sundimit komunist. Në Ballkan, pos problemit të komunizmit, ka pasur edhe pretendime territoriale, sikur që ka edhe sot, dhe për këtë arsye historia është ngarkuar me një dozë të konsiderueshme të nacionalizmit. Këtu shteti ka kërkuar shërbim nga historianët. Por, ka shumë raste që vetë historianët kanë ofruar dhe vazhdojnë të ofrojnë shërbim brenda vijave që janë caktuar më herët nga shteti. Gjatë komunizmit janë ridizajnuar ngjarjet historike dhe janë ndërtuar personalitete dhe heronj në atë mënyrë që të jenë në shërbim të sistemit politik. Nëse shpjegimi është ndryshe nga ai që është caktuar, ka pasuar intervenimi i shtetit me penalizim. Ne kemi pasur mjaft këso rastesh në Shqipëri, por edhe në Kosovë kur ky vend ishte pjesë e sistemit territorial dhe politik i Jugosllavisë. Ta zëmë, në historinë e Jugosllavisë thuhej se Kosova kishte hyrë vullnetarisht në shtetin jugosllav dhe se pas vitit 1945 kishte përparuar dhe ishte e barabartë me të gjithë popujt e këtij shteti.
Prandaj, në Ballkan nuk janë të pakta rastet që tri apo katër histori të shteteve e përvetësojnë një ngjarje apo një personalitet, zakonisht hero, si të tyre. Sot, me këtë problem, ballafaqohet edhe historiografia shqiptare. Gjatë komunizmit është caktuar vija e studimit dhe interpretimit të ngjarjeve dhe personaliteteve. Sot historianët që dalin nga kjo vijë më nuk dënohen. Por, disa ende mendojnë se këta historianë shkaktojnë ‘probleme’ pasi që e kundërshtojnë vijën ‘tradicionale’.
Në një prej shkrimeve tuaja të vonshme, që na ka rastisur ta lexojmë, ju shkruani për ndarjet e kufirit shqiptar në dëm të Shqipërisë. Kosova mbeti jashtë, pjesa perëndimore e të ashtuquajturës “Serbi e jugut” (më vonë Maqedoni) gjithashtu ngeli jashtë, por edhe kufijtë e “Shqipërisë Londineze” vazhduan të kontestoheshin pas Luftës së Parë Botërore: kufiri i fshatrave të Korçës me Greqi, çështja e Vermoshit me Malin e Zi si dhe çështja e Shën Naumit atëbotë me Serbi. Pse mendoni se ndodhte kjo gjë?
DAUTI: Shqipëria është shtet i krijuar si rezultat i një kompromisi të Fuqive të Mëdha që u arrit në Londër në vitin 1913. Në realitet, shumica dërrmuese e shteteve të krijuara, sidomos nga shek. XIX, janë rezultat i kompromiseve ndërkombëtare. Por, ndaj Shqipërisë kompromisi ka qenë i tepruar, tejet i paarsyeshëm dhe, si i tillë, i dhembshëm për shqiptarët.
Në masën e gjerë të shqiptarëve dhe në mesin e disa historianëve tanë, Britania e Madhe shihet me sy të keq. Londra, sipas tyre, është fajtore për përgjysmimin e Shqipërisë. Në realitet është e kundërta dhe ka mundur të jetë edhe më keq sikur britanikët ta merrnin anën e rusëve dhe francezëve që nuk favorizonin krijimin e një Shqipërie të pavarur. Sekretari i jashtëm britanik, Edward Grey, u deklarua se shteti i tij ishte neutral në këtë çështje dhe se Londra vetëm ofronte shërbim të mirë. Në realitet, Grey e përkrahu formimin e shtetit shqiptar. Formimi i shtetit shqiptar kishte domethënien e përfundimit të ëndrrave ruse dhe serbe për dalje në Adriatik dhe Mesdhe. Interesi britanik ishte që Rusia të qëndronte sa më larg këtyre deteve. Disa ditë para fillimit të Konferencës së Londrës, ministri i Jashtëm grek dhe ai serb u takuan me Edward Greyin dhe që të dy ia parashtruan të njëjtën pyetje: cili do të jetë qëndrimi britanik në Konferencë? Që të dyve, Grey iu përgjigj: Shqipëria do të formohet si shtet autonom. Por, megjithëkëtë, britanikët nuk u interesuan për shtrirjen etnike të shqiptarëve. Interesi i tyre ishte parandalimi i depërtimit rus në Ballkan dhe Adriatik. Ky ishte kompromisi i interesit britanik.
Kompromisi për Shqipërinë e përjashtoi kriterin etnik në masë të madhe. Pasi që ky përjashtim ka lënë jashtë kufirit gjysmën e territorit dhe popullsisë, shqiptarët kurrë nuk u pajtuan me të. Luftërat janë çaste kur ndryshojnë kufijtë dhe shqiptarët kanë vepruar në këto raste duke shpresuar se do t’i rregullojnë kufijtë sipas masës së tyre apo zbatimit të kriterit etnik.
Pas Konferencës së Londrës, Fuqitë e Mëdha nuk treguan interesim për Shqipërinë edhe pavarësisht prej marrëveshjes që kishin arritur që ky shtet të ndihmohet për t’u ngritur dhe ecur i pavarur në këmbët e veta. Fuqitë e Mëdha nuk i respekttuan obligimet që morën në Londër. Një situatë e tillë e pafavorshme për Shqipërinë vazhdoi edhe pas Luftës së Parë Botërore. Moskujdesi i këtyre fuqive ishte shenjë që Shqipëria kishte mbetur e pambrojtur. Kjo ishte arsyeja që shtetet fqinje vazhdonin t’i kontestonin kufijtë që kishin me Shqipërinë dhe mundoheshin të grabitnin territor aq sa ishte e mundshme.
Meqë çështja e pjesës veriore të Kosovës dhe Mitrovica janë tema të “nxehta” kombëtare dhe ndërkombëtare, propozoj që të ndalemi pak këtu, veçanërisht tek aseti kryesor ekonomik jo vetëm i Ballkanit, “Trepça”! Thënë të drejtën, në këtë pikë nuk do të hezitoja të them se një prej studimeve më të mira lidhur me Trepçën e kam gjetur te libri juaj, “Lufta për Trepçën” dhe, sot, po kjo “luftë” vazhdon të jetë pika më e nxehtë për konsolidimin përfundimtar të çështjeve në regjion.
DAUTI: Në një masë të madhe “Trepça” sot e përcakton situatën e rëndë në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe Mitrovicën si qytet i ndarë. Mitrovica, për shkak të hekurudhës që u ndërtua në vitin 1873, ka qenë pikë strategjike. Aspiratat e zgjerimit të Austro-Hungarisë për të arritur në Selanik lidheshin me Mitrovicën. Por, Mitrovica u bë edhe më e rëndësishme në vitin 1927, kur britanikët morën koncesionet për eksploatimin e “Trepçës”, pra atëherë kur u ringjall miniera e me të edhe Mitrovica me tërë rajonin. Britanikët janë ata që e zgjeruan vlerën dhe madhësinë strategjike të rajonit. Në Stantërg britanikët ndërtuan një qendër që përfshinte kompleksin e banesave moderne, pishinën, fushat e tenisit dhe mjetet për eksploatimin e përpunimin e xeheve që nxirrej nga miniera e “Trepçës”. Kjo kohë ishte fillimi i shek. XX dhe këto gjëra në Ballkan haseshin vetëm në Mitrovicë ku po zinte fill përhapja e një kulture angleze. Në shënimet arkivore bëhet me dije se britanikët kishin një respekt për shqiptarët të cilët i konsideronin si xehetarë të zellshëm dhe kompetentë. Nga ana tjetër, nuk mungonte as respekti i shqiptarëve për britanikët – pronarët e Trepçës – pasi që, për shkak të tyre, u ringjallë jeta në rajon.
Për fat të keq, prania britanike në Kosovë përfundoi në vitin 1941 kur gjermanët, pas invadimit, e okupuan edhe “Trepçën”. Kaq zgjati prania e interesit britanik në Kosovë, e cila ishte e para dhe më e rëndësishmja jo vetëm në ish-Jugosllavi, por edhe në Ballkan. Në vitin 1946 “Trepça” u nacionalizua nga regjimi komunist jugosllav dhe ky akt e ndërpreu kontratën 50-vjeçare të koncesioneve britanike në Trepçë. Gjermanët dhe jugosllavët e kanë shfrytëzuar “Trepçën” vetëm pasi që investimet britanike e kanë bërë këtë gjë të mundshme. Megjithatë, kompensimi ndaj britanikëve nuk ka qenë adekuat.
Serbët edhe sot i “harrojnë” manastiret dhe objektet e tjera të trashëgimisë kulturore dhe fetare të cilat i kanë përvetësuar dhe, të gjitha do t’i jepnin për “Trepçën”, apo qoftë një hise të saj. Çfarë do të thotë kjo për ju si historian dhe politolog?
DAUTI: Beogradi nuk është i interesuar për manastire, të drejta religjioze apo njerëzore të serbëve në Kosovë. Interesi i Beogradit është territori i Kosovës. Politika serbe ka dëshmuar se dëshiron ta lidhë territorialisht Serbinë me pjesën veriore të Kosovës ku gjendet Leposaviqi e deri në Mitrovicë në mënyrë që aty të përfshihet kompleksi industrial që quhet “Trepça”.
Pasi që “Trepça” edhe sot është ndër faktorët e rëndësishëm në marrëdhëniet në mes të Serbisë dhe Kosovës, nuk do të ishte keq që gjatë privatizimit të shqyrtohet ofrimi i prioritetit ndaj britanikëve. Kjo gjë do ta amortizonte tërësisht çdo kërkesë të jashtme eventuale për “Trepçën”, kurse Beogradit do t’i mbyllej dera e pretendimeve territoriale ndaj Kosovës.
Zoti Dauti, një prej studimeve, pa dyshim, më interesante që më ka rastisur ta lexoj, jo vetëm prej jush, është: “Çështja shqiptare në diplomacinë britanike 1877-1880”. Siç mund të vërehet nga titulli, libri juaj është i bazuar në dokumentet e arkivave të Foreign Office-it, Parlamentit Britanik, Bibliotekës Britanike dhe korrespondencës private të disa funksionarëve britanikë, të cilët, në kapacitete të ndryshme zyrtare, ishin përfshirë në çështjen shqiptare të kohës së paraqitur në këtë libër. Pse u përcaktuat pikërisht për studimin e kësaj periudhe historike të shqiptarëve?
DAUTI: Periudha 1877-1880 paraqet ndryshimet e mëdha në Ballkan dhe brenda Perandorisë Otomane që pasuan nga luftërat ruso-turke. Këto ndryshime reflektuan edhe ndaj shqiptarëve të cilët deri në këtë kohë kishin shprehur tendenca sporadike kombëtare. Me Lidhjen e Prizrenit shqiptarët paraqiten me program kombëtar që përmbante kërkesën e themelimit të shtetit autonom. Kjo është periudha e ngjarjeve të mëdha për shqiptarët që u iniciua me Kongresin e Berlinit të vitit 1878. Prandaj, britanikët shprehën interesim të madh për t’i shënuar këto çaste dhe kjo është arsyeja që sot në burimet kryesore dhe të shumta i gjejmë në arkivat e tyre të ndryshme. Kjo është edhe arsyeja e interesimit tim për këtë temë.
Libri paraqet ngjarjet e rëndësishme që ndodhën gjatë viteve të sipërpërmendura në katër vilajetet shqiptare të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi ndikuan në lindjen e nacionalizmit shqiptar. Ndërsa, mendoj se një gjetje jashtëzakonisht interesante që haset në studimin tuaj është ajo se, për dallim nga studimet e mëhershme që i kemi lexuar, arrihet të kuptohet se jo të gjitha Fuqitë e Mëdha të asaj kohe ishin gjithmonë kundër shqiptarëve dhe çështjes së tyre. P. sh., ju konstatoni se kishte çaste kur diplomatë të rëndësishëm, në veçanti britanikë, ishin në favor të krijimit të një bërthame të shtetit shqiptar qoftë edhe brenda Perandorisë Otomane e që ishte edhe një synim i parisë shqiptare të asaj kohë, apo jo?
DAUTI: Që nga Kongresi i Berlinit në politikën britanike ka ekzistuar një rrymë, si në parlament, qeveri, ashtu edhe në diplomaci, e cila ka qenë në favor të themelimit të shtetit shqiptar. Ky është një fakt i rëndësishëm i cili deri vonë është injoruar nga historianët tanë. Një numër i madh i përkrahësve të shqiptarëve ka vepruar brenda Partisë Konservative që e udhëhiqte Benjamin Disraeli (1804-1881) dhe i cili ka shërbyer kryeministër i Britanisë së Madhe dy mandate – nga viti 1874 deri më 1880. Kjo ka qenë arsyeja që udhëheqësit e Lidhjes së Prizrenit ia dorëzuan Memorandumin vetëm Disraelit që ta mbronte kauzën shqiptare në Berlin. Britanikët nuk i morën shqiptarët në mbrojtje, por as nuk i kundërshtuan sikur që bënë të gjitha shtetet e tjera pjesëmarrëse. Madje, Disraeli ka hyrë në histori si njeri i cili nuk kishte aspak respekt për popujt e Ballkanit, pos për shqiptarët.
Dihet qëndrimi rus ndaj shqiptarëve edhe në Berlin. Në këtë fazë Austro-Hungaria dhe Italia territorin shqiptar e shihnin si vend që do të binte nën sundimin e tyre në rast të largimit të otomanëve. Gjermania e përkrahte Austro-Hungarinë. Franca i përkrahte Greqinë dhe Serbinë. Britania e Madhe e kishte iniciuar mbajtjen e kongresit dhe kishte shkuar në Berlin për t’i mbrojtur interesat e veta, që ishte qetësia në Adriatik dhe Mesdhe, ku ishte rruga e saj për Indi. Dalja e Rusisë në këto dete nënkuptonte fundin e Perandorisë Otomane. Ekzistimi i Perandorisë Otomane ishte në interes të Britanisë së Madhe. Edhe krijimi i një shteti shqiptar nënkuptonte fundin e otomanëve në Evropë dhe askush, përfshirë Britaninë, nuk ishte i gatshëm ta trazonte Stambollin për këtë gjë. Britanikët, pos që nuk kishin interes nga rënia e pakontrolluar e Perandorisë Otomane, nuk kishin as presion të brendshëm nga opinioni publik për krijimin e një shteti shqiptar. Prandaj, në Berlin çështja shqiptare u hesht nga britanikët për shkak se për ta nuk ekzistonte arsyeja që të vepronin mbi këtë bazë. Në Berlin të gjithë dolën fitues, pos shqiptarëve dhe otomanëve. Austro-hungarezët e morën në administrim Bosnjë e Hercegovinën dhe iu ofruan Shqipërisë. Rusët, të ndihmuar nga Franca, e pavarësuan Malin e Zi dhe Serbinë dhe i siguruan autonomi Bullgarisë. Britanikët e morën Qipron dhe përfundimisht e vunë nën kontroll Mesdheun dhe rrugën për Indi. Sipas kësaj strategjie, shqiptarët mund të prisnin ende. Të gjitha fuqitë kishin pretendime territoriale apo aspirata pushtuese ndaj territorit shqiptar. Britania e Madhe ishte e vetmja që nuk kishte këso aspiratash askund në Ballkan dhe kjo e bënte Londrën protektore të përsosur. Në sytë e shqiptarëve, në inkubatorin britanik, do të lindte dhe do të zhvillohej një Shqipëri me katër vilajete. Kjo ishte arsyeja që shqiptarët kërkonin miqësi me britanikët dhe nuk pushuan duke u munduar që të gjenin mënyra për të ndikuar në politikën e Londrës.
Në studimet tuaja keni dokumentuar se për një kohë të gjatë qeveria britanike i kundërshtoi tendencat greke, të përkrahura nga Franca, për marrjen e Janinës me një rajon të gjerë të Epirit i cili popullohej, kryesisht, me shqiptarë.
DAUTI: Gjatë Kongresit në Berlin, por edhe më pas, kryeministri i Francës, Waddington, i cili ishte një anglez i natyralizuar në francez, doli mbrojtësi kryesor i Greqisë. Ai vazhdimisht i bënte presion Disraelit që ta pranonte një zgjerim marramendës të Greqisë që shkonte pothuaj deri aty ku sot njihet si Shqipëri e Mesme. Waddington u ndal vetëm kur Disraeli e porositi ambasadorin e tij në Paris se më nuk dëshironte të dëgjonte për zgjerimin e Greqisë në drejtim të Janinës. Disraeli e kishte vizituar Shqipërinë në vitin 1830 ku kishte kaluar çaste të mira me shqiptarët dhe ishte njohur me çështjen greke dhe shqiptare. Disraeli ishte i vetmi kryeministër në Berlin që merakosej ta bënte dallimin në mes të shqiptarëve dhe grekëve. Ai Janinën e quante kryeqytet të Shqipërisë Jugore dhe nuk e kishte ndërmend që t’ia kalonte Greqisë. Për këtë çështje, Disraeli në vitin 1879 i shkroi edhe Bizmarkut dhe mori pëlqimin e tij. Me këtë rast edhe Bizmarku e pranoi se çështja shqiptare po dilte shumë më problematike se që ishte menduar në Berlin. Prandaj, Janina me rrethinën e saj deri në Artë, mbeti në Shqipëri për shkak të Disraelit.
Ju në studim konstatoni, gjithashtu, se miqësia britanike dhe ajo austro-hungareze nuk shkoi thellë në mbrojtjen e të drejtave të ligjshme të shqiptarëve, përkundër të gjitha interesimeve apo, të paktën siç ishte rasti me miqësinë që këto dy perandori, sidomos shtetet e tjera evropiane, krijuan dhe kalitën me Greqinë, Serbinë dhe Malin e Zi. A faktohet kjo me atë se këto tri shtete, në fakt, “sponsorizoheshin” nga Rusia e cila u fuqizua shumë karshi Perandorisë Osmane, sidomos pas Luftës së Krimesë të cilën e humbi Moska?
DAUTI: Pos Britanisë së Madhe, të gjitha fuqitë e tjera Shqipërinë e shihnin si dominion të tyre të ardhshëm. Fuqia e Rusisë ishte në rritje e sipër dhe nuk ishte lehtë të kundërshtohej në Berlin. Politika e jashtme britanike, sidomos ajo e udhëhequr nga konservativët, ndërtohej mbi bazën e kundërshtimit të zgjerimit të Rusisë në drejtim të Ballkanit, rajoneve të kolonive britanike në Azi dhe në drejtim të Stambollit. Kjo ishte arsyeja që ekzistonte një aleancë e fuqishme në mes të Perandorisë Britanike dhe asaj Otomane. Kjo ishte edhe arsyeja që Britania e Madhe dhe Franca, së bashku me Sardenjën i shkuan në ndihmë Perandorisë Otomane në luftë kundër Rusisë e cila kishte filluar të zgjerohej. Kjo luftë, e njohur si Lufta e Krimesë (1853-1856), ishte e përgjakshme dhe solli ndryshime të mëdha që u reflektuan edhe në Ballkan. Rusia e humbi luftën, por e fitoi të drejtën që të përzihej në Ballkan për shkak se u njoh si kujdestare e të drejtave të popullatës ortodokse që ishte nën sundimin otoman. Me ushtrimin e kësaj të drejte Rusia i konsideronte problemet nacionale si religjioze dhe ia doli që ta përhapte idenë e pansllavizmit. Njëkohësisht, Rusia e lançoi termin ‘i sëmuri i Bosforit’ që ishte sinonim për sulltanin dhe Perandorinë Otomane. Perandoria Otomane po e merrte tatëpjetën, por nuk ishte aspak e sëmurë dhe britanikët nuk e pranuan kurrë këtë shprehje.
Në fjalimin e rastit, në promovimin e studimit tuaj, Noel Malcolm thotë se “Çështja shqiptare në diplomacinë britanike 1877-1880” thotë se, paçka se me temën që jepet në këtë studim janë marrë edhe autorë të tjerë, por askush më parë nuk e ka trajtuar çështjen shqiptare të kësaj periudhe siç u bë me këtë rast. Malcolm, gjithashtu bëri me dije se ju, në mënyrë të palodhshme shkencore, keni trajtuar në hollësi më të imëta ngjarjet e asaj kohe që ishin të rëndësishme për popullin shqiptar dhe për historinë e rajonit dhe asaj evropiane. Ai shton, gjithashtu, se falë përmbajtjes së librit për të cilin po flasim, bëhet me dije situata në terren dhe cilësimi i tyre nga diplomatët britanikë që dalin nga raportet e tyre që ata ua kanë dërguar qeverisë së tyre në Londër. Vlerësim i veçantë i historianit të shquar për veprën tuaj.
DAUTI: Noel Malcolm është ndër historianët dhe intelektualët sipëror dhe më të njohur botëror. Në Ballkan ai njihet për librin mbi historinë e Bosnjës dhe atë të Kosovës, dy veprat më të mira që janë shkruar për këta dy popuj. Por, Noel Malcolm në Britani të Madhe dhe në botë më shumë njihet si një ndër studiuesit më të mirë të Thomas Hobbesit. Duke qenë hulumtues i lartë në Oxford, ai ka shkruar edhe një varg veprash të tjera, përfshirë “Agjentët e Perandorisë”, një vepër po ashtu të njohur për dy familjet shqiptare të Ulqinit. Para disa muajve ai ka botuar edhe një libër që quhet “Useful Enemies” (Armiqtë e dobishëm). Ky libër, ku studiohen arsyet dhe shkaqet e ndarjes në mes të Lindjes dhe Perëndimit, si çdo libër tjetër i tij është vlerësuar lart nga lexuesit dhe kritikët. Noel Malcolm, mbi të gjithë, është mik i shqiptarëve dhe kryetar i Shoqatës Anglo-Shqiptare me seli në Londër, e cila është themeluar nga Aubrey Herbert gjatë Luftës së Parë Botërore. Malcolm ka folur për librin tim me rastin e promovimit në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Londër dhe ky është nder i madh për mua.
Çfarë thonë britanikët, sidomos për ngjarjet në Vilajetin e Kosovës dhe për kufirin me Serbinë në vitin 1877, pra në prag të organizimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe cilat ngjarje mund t’i veçoni e që ndërlidhen me Vilajetin e Kosovës, sidomos në kufi me Serbinë në vitin 1878?
DAUTI: Edhe pse negociatat për paqe në mes të Serbisë dhe Perandorisë Otomane kishin përfunduar në fillim të marsit 1877, në gusht të atij viti Beogradi haptas përgatitej për sulme të reja. Konsulli White njofton për një mobilizim të madh të forcave serbe që përgatiteshin për t’u dërguar në jug, gjegjësisht në drejtim të Kosovës. Ky mobilizim, në fakt, kishte për qëllim okupimin e territoreve të reja dhe përzënien e shqiptarëve nga vendet që ranë nën sundim të Serbisë. Me këtë lëvizje serbët kishin për qëllim që t’i destabilizonin edhe më tej territoret shqiptare brenda kufirit otoman. Beogradi, po ashtu, dha shenja se do të sulmonte në drejtim të Bosnjës e cila gjë i shqetësoi diplomatët evropianë në Beograd pasi që një gjë të tillë nuk do ta toleronte Vjena e cila e kishte shpallur Bosnjën zonë të interesit të vet. Për këto plane britanikët ia tërhoqën vërejtjen qeverisë serbe. Sulmi serb në drejtim të Bosnjës nuk ndodhi, por ajo që diplomatët shënuan në Beograd ishte fakti se serbët, në krye me princ Millanin, kishin filluar t’ia kthenin shpinën Vjenës e të orientoheshin në drejtim të Rusisë. Shtimi i influencës ruse vërehej gjithandej në Serbi. Kjo lëvizje e re ishte rrezik për Ballkanin dhe bëri që të shuheshin shpresat e liberalëve serbë për kthim kah Evropa.
Një prej figurave të përfolura në historiografinë tonë është ajo e Ali Pashë Maxharit i cili u vra nga luftëtarët e Lidhjes në Gjakovë. Pse ky pasha osman e bëri të tërë atë përpjekje për t’i bindur shqiptarët që t’i zbatonin vendimet e Kongresit të Berlinit?
DAUTI: Mehmet Ali Pasha dhe Karateodori Pasha kanë qenë përfaqësues fuqiplotë të Perandorisë Otomane në Kongresin e Berlinit. I pari ka qenë gjerman i konvertuar në mysliman dhe, për shkak të origjinës së tij, shqiptarët e quanin Ali Pashë Maxharri. I dyti ka qenë grek dhe kishte bërë karrierë të suksesshme pasi që ishte i biri i mjekut personal të sulltanit. Kjo nuk është ndonjë çudi për shkak se në shërbim të diplomacisë apo të politikës së jashtme otomane, shumica e funksionarëve kanë qenë të krishterë.
Sidoqoftë, që të dy pashallarët janë orvatur që në Berlin ta përfaqësonin Portën e Lartë me dinjitet, duke u munduar që të ruajnë territor sa më shumë që ishte e mundshme. Aktiviteti i Ali Pashës që e tregoi në këtë drejtim, e kishte shtyrë kancelarin gjerman, princin Bizmark, që t’i thoshte pashës se në Berlin kishte ardhur për t’i dëgjuar dhe pranuar vendimet e jo për të paraqitur kushte pasi që po e përfaqësonte palën humbëse. Madje Bizmarku shkonte aq larg saqë e shpotiste Ali Pashën për ta nënçmuar. E quante ‘der Magderburger’, sipas vendit ku kishte lindur në Gjermani.
Kur u diskutua çështja e Tivarit, Karateodori Pasha e kundërshtoi rreptë kalimin e këtij qyteti në posedim të Malit të Zi. Ai theksoi se qyteti ishte i banuar me shqiptarë dhe se padrejtësisht po ndahej nga një tërësi etnike dhe po kalonte në një tërësi me të cilën s’kishte asnjë lidhje. Vërejtja e Karateodorit nuk u mor parasysh në seancën e marrjes së vendimeve. Por, ajo që është me rëndësi është fakti se Karateodori Pasha, duke e kundërshtuar vendimin, e kishte ngritur për diskutim çështjen kombëtare shqiptare, e cila, po ashtu, u mohua.
Ali Pashë Maxharri u dërgua në Kosovë nga sulltani në mënyrë që t’i bindte shqiptarët që të mos iu rezistonin vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe ta dorëzonin Plavën dhe Gucinë në posedim të Malit të Zi. Më 19 gusht Ali Pashë Maxharri ishte takuar me ambasadorin britanik në Stamboll, Henry Layardin, të cilit i kishte treguar se po shkonte në Kosovë me detyrën që e kishte ngarkuar sulltani. Pasha mbërriti në Prizren më 24 gusht dhe kërkoi nga udhëheqësit e Lidhjes së Prizrenit që t’i pranonin kushtet e Berlinit. Propozimi i tij u refuzua kategorikisht dhe pasha vendosi ta vazhdonte rrugën për Plavë e Guci dhe në fillim të shtatorit u ndal në Gjakovë, ku u vra nga anëtarët e Lidhjes. Pasha, duke mos e pasur parasysh sa kishte ndryshuar situata, e kishte gjykuar gabimisht gjendjen që e kishin krijuar shqiptarët dhe në këtë mënyrë ai u bë viktima e parë e vendimeve të Kongresit të Berlinit. Vrasja e tij e ndryshoi gjendjen edhe më shumë. Pas kësaj ngjarje, Fuqitë e Mëdha praktikisht më nuk dinin se si të vepronin, kurse shqiptarëve iu shtua dëshira për mëvetësim nga Porta e Lartë.
Si u vendos në këtë periudhë, pra pas Kongresit të Berlinit, kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe pse Përpellaci, një lokalitet shqiptar në vetë kufirin me Serbinë edhe sot, ishte një prej pikave më të ndjeshme për vendosjen e kufirit ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Serbisë. Pse ndodhte kjo?
DAUTI: Kufiri i Serbisë me Kosovën, sikur edhe ai me Malin e Zi dhe Greqinë, doli të ishte më problematik sesa që u mendua në Berlin. Diplomatët britanikë ishin në dijeni se serbët kishin ndarë shuma të mëdha të parave për t’i korruptuar anëtarët e komisionit të kufirit me Kosovën dhe Bullgarinë. Përpellaci doli të ishte vështirësi e madhe për caktimin përfundimtar të kufirit me Kosovën. Ky vend ishte strategjik pasi që nga aty kontrollohej një pjesë e madhe e Kosovës. Prandaj, u bë temë e diskutimeve në ministritë e jashtme të shteteve evropiane. Interpretimi i traktatit thoshte se kufiri caktohej sipas ndarjes së ujërave, por këtë e kundërshtonte Serbia pasi që pjesa më e madhe dhe më strategjike i mbetej Kosovës. Kundërshtimi i Serbisë e detyroi lejtënantin Blandensburg që ta vizitonte rajonin, ku u bind se edhe banorët ishin shqiptarë. Konsulli britanik në Beograd u detyrua që princ Millanit t’ia numëronte të gjitha masat e rënda që qeveria serbe kishte ndërmarrë për t’i përzënë nga trojet e tyre shqiptarët që nuk ishin lejuar të merrnin asgjë me vete. Më në fund, Serbia, e cila nuk i pranonte hartat austro-hungareze që ishin caktuar në Berlin, u tërhoq nga Përpellaci dhe kufiri verior i Kosovës me Serbinë që u caktua atëherë, ekziston edhe sot.
Si po raportonte për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit lejtënant Bladensburg dhe çfarë thonë ato raportime?
DAUTI: Qeveria britanike informohej nga terreni nëpërmes përfaqësive të rregullta konsullore dhe diplomatike të veta. Kishte raste që dërgonte diplomatë të përkohshëm. Në raste të krizave apo konflikteve dërgonte ushtarakë të cilët kishin detyra të caktuara dhe përgatisnin raporte që u shërbenin qeverisë në Londër. Në vilajetin e Shkodrës dhe Kosovës, Londra ka dërguar disa herë oficerë për këtë qëllim. Një nga ta ka qenë lejtënanti Blandensburg. Ai ka bërë disa raportime për nevojat e Foreign Office-it, por më i njohuri është ai për gjendjen në Kosovë gjatë vitit 1879. Në raportin e tij bëhet me dije për gjendjen e rëndë në Kosovë pasi që ky vend ishte mbushur me refugjatë nga Serbia të cilëve u mungonin edhe gjërat më elementare. Një gjë e këtillë e kishte radikalizuar situatën politike, por Lidhja e Prizrenit, me organizimin e saj adekuat, ia dilte që me sukses të përballohej me këtë problem dhe situata të tjera të vështira.
Raporte të kësaj natyre janë dërguar shpesh në Londër. Me to është bërë informimi që ka qenë i rëndësishëm në procesin e vendimmarrjes. Por, këto raporte sot na shërbejnë edhe si materiale të rëndësishme për pasurimin e historisë sonë.
Cilat ishin aktivitetet diplomatike dhe masat ushtarako-policore të Serbisë për zgjerim të territoreve dhe përzënien e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike në këtë kohë dhe si u dëbuan shqiptarët nga Nishi?
DAUTI: Dokumentet britanike bëjnë me dije se deri në vitin 1878 Nishi ka qenë qytet i rëndësishëm për shqiptarët, turqit, serbët, bullgarët dhe hebrenjtë. Pjesa më e bukur e qytetit ka qenë lagjja e shqiptarëve (Arnavut Mahallesi) që ka pasur 300 shtëpi. I tërë qyteti ka pasur rreth 1 500 banorë shqiptarë. Pas vitit 1878 në qytet ka pasur vetëm serbë pasi që të gjithë të tjerët janë përzënë me dhunë. Në shënjestër të veçantë të dhunës kanë qenë shqiptarët pasi që ekonomia dhe politika e këtij qyteti kanë qenë në duar të shqiptarëve. Shtëpitë më të bukura kanë qenë të shqiptarëve dhe në to u vendosën oficerët dhe zyrtarët e tjerë serbë. Nga një raport që konsulli otoman, Nikollaides, ia dërgon nga Nishi konsullit britanik në Beograd, merret vesh se vlera e pasurisë që shqiptarët kanë lënë pas ka qenë 2 milionë piastra. Qeveria serbe, nën presionin britanik, ka marrë obligim të kompensimit të shqiptarëve. Por, këtë obligim serbët nuk e kanë përmbushur kurrë. Konsulli Nikollaides, po ashtu, ka bërë edhe një listë që përmban disa qindra fshatra të tjera të jugut të Serbisë nga ku janë përzënë shqiptarët. Qeveria serbe edhe për këto fshatra është zotuar se do ta sigurojë kthimin e atyre që janë përzënë dhe kompensimin e shqiptarëve që nuk dëshirojnë të kthehen. Asgjë nuk është përmbushur as nga ky premtim. Brenda një periudhe të shkurtër pothuajse i tërë qyteti u rrëzua, me arsyetim se po aplikohej një plan i ri urbanistik.
Sipas britanikëve, cilat ishin marrëdhëniet e pushtetit otoman me Lidhjen e Prizrenit?
DAUTI: Raportet e konsujve britanikë për Lidhjen e Prizrenit nga terreni kanë qenë konfliktuoze. Konsulli i përhershëm Green nga Shkodra dhe ai i përkohshëm nga Prizreni, St. John, nuk ishin në favor të çështjes shqiptare. Green kishte rënë nën ndikimin e konsullit austro-hungarez, Lipitch, i cili kishte prejardhje sllave, kurse St. John vepronte nën ndikim të konsullit rus. Që të dy i quanin udhëheqësit e Lidhjes prijës të fiseve. Qëllimi i tyre ishte që shqiptarët të paraqiteshin si njerëz të paorganizuar dhe të cilëve kinse u mungonte vetëdija kombëtare. Lidhja e Prizrenit për ta ishte organizatë religjioze fanatike (myslimane) e themeluar nga sulltani (Abdyl Hamiti) për t’i kundërshtuar vendimet e Kongresit të Berlinit dhe për t’i persekutuar të krishterët. Shumica e raportimeve të këtyre dy konsujve për Lidhjen janë të errëta. St. John vazhdimisht shkruante se Lidhja e Prizrenit do t’i masakronte të krishterët, por nuk gjeti asnjë shembull për ta ilustruar parashikimin e tij qëllimkeq ndaj shqiptarëve. Konsulli Green në Shkodër në disa raste i këshillonte gazetarët britanikë që të mos shkonin në Prizren për shkak se jeta e tyre do të ishte në rrezik. Realiteti ishte ndryshe dhe gjatë kohës së Lidhjes, e cila veproi si një qeveri me përvojë, vilajetet shqiptare funksionuan më mirë sesa nën sundimin otoman.
Këtë situatë e shpalosën mirë diplomatët britanikë në Stamboll që kishin rang më të lartë se St. John dhe Green. Ambasadori Layard dhe, më vonë edhe Fitzmaurice, që të dy diplomatë të njohur dhe me njohuri të madhe për Ballkanin dhe Perandorinë Otomane, së bashku me disa diplomatë të tjerë, disa herë i shkruan Foreign Office-it që të mos i merrnin parasysh raportet e këtyre dy konsujve që dërgoheshin nga Shkodra dhe Prizreni për shkak se nuk e paraqitnin situatën ashtu siç ishte. Për këtë arsye Fiztmaurice hartoi një raport special. Ky e shpjegonte Lidhjen e Prizrenit si një organizatë nacionaliste e cila kishte kërkesa të njëjta me ato të kombeve të tjera të Ballkanit. Diplomatët në Stamboll, Lidhjen e Prizrenit e shihnin me sy të mirë dhe i arsyetonin kërkesat e saj. Madje këta diplomatë dolën me kërkesë drejtuar Londrës, se shqiptarët duhej të akomodoheshin në një shtet autonom nën Portën e Lartë që do të shërbente si një bërthamë e shtetit të pavarur shqiptar.
Kur filloi ndryshimi i qëndrimit diplomatik dhe politik britanik ndaj çështjes së territoreve otomane në Ballkan?
DAUTI: Sa ishin konservativët në pushtet, të udhëhequr nga Disraeli, Londra e njihte Lidhjen e Prizrenit si organizatë që përfaqësonte kërkesat e shqiptarëve. Sekretari i jashtëm britanik, Lordi Salisbury, më 12 maj 1879 i kishte pritur zyrtarisht në Foreign Office dy delegatët e Lidhjes së Prizrenit, Abdyl Frashërin dhe Mehmet Vrionin. Madje, Salisbury i këshilloi Frashërin dhe Vrionin se çka duhej të bënte Lidhja në të ardhmen. Ky ishte një veprim të cilin e kritikoi ashpër opozita, gjegjësisht liberalët. Ata mendonin se qeveria britanike do të duhej të sillej me përfaqësuesit e Lidhjes njësoj sikur kancelari gjerman, Bizmarku, i cili nuk i pranoi në takim.
Mirëpo, gjërat ndryshuan në vitin 1880 kur në pushtet erdhën liberalët e udhëhequr nga William Gladstone (1809-1898), i cili, me doktrinën e vet liberale, u jepte të drejtë dhe hapësirë rusëve që të përziheshin në Ballkan dhe në territoret e tjera otomane ku jetonin të krishterët. Gladstone ishte religjioz dhe i favorizonte të krishterët. Ardhja e tij në pushtet ishte shenjë e ngufatjes së një klime të përshtatshme për shqiptarët që në Britani ishte themeluar nga Lord Byroni e që ishte vazhduar nga Disraeli, Urquhart dhe disa personalitete të tjera. Gladstone e themeloi një politikë të jashtme nga e cila më vonë do të përfitonin Serbia, Mali i Zi dhe Greqia.
Me ardhjen e Gladstoneit në pushtet, shqiptarët, por më shumë Porta e Lartë, patën arsye që të frikoheshin. Frika u shtua kur ambasadori Layard, i cili njihej për qëndrim pozitiv ndaj çështjes shqiptare dhe pushtetit otoman dhe që urrehej nga liberalët, u zëvendësua me Joachim Goschenin. Lordi Fitzmaurice u dërgua në Stamboll për mbikëqyrje të reformave. Por, ndodhi një befasi. Goschen dhe Fitzmaurice u angazhuan edhe më shumë në dobi të çështjes shqiptare. Këta dy, udhëheqës të diplomacisë britanike në Stamboll, krijuan mendimin për themelimin e shtetit shqiptar. Megjithatë, në Londër, kryeministri Gladstone kishte mendim tjetër. Tekefundit, Gladstone nuk kishte presion nga opinioni publik që të vepronte sipas propozimeve të diplomatëve të tij që i kishte dërguar në Stamboll. Për këtë arsye, iniciativa e themelimit të bërthamës së shtetit shqiptar gradualisht u shua.
Zoti Dauti, të kthehemi edhe një herë te ngjarjet e vitit 1877 në Vilajetin e Shkodrës dhe te përcaktimi i kufirit me Malin e Zi. Cilat ishin aktivitetet ushtarake dhe diplomatike të Malit të Zi dhe rezistenca e shqiptarëve për mbrojtjen e territorit të tyre në këtë periudhë?
DAUTI: Forcat ushtarake otomane nuk ofruan rezistencë të denjë ndaj sulmeve malazeze. Territori otoman, i cili, në fakt, ishte i banuar me shqiptarë, binte lehtë në duar të ushtrive serbe dhe malazeze. Kjo ishte brengosëse për shqiptarët. Kjo ishte arsye që shqiptarët filluan të vetorganizoheshin pasi që Porta e Lartë nuk u dilte zot tokave shqiptare. Lidhja e Prizrenit ishte formuar edhe si rezultat i frikës që krijoi dështimi i Portës. Organizimi i Lidhjes ka qenë i shkëlqyeshëm. Lidhja, e cila e anuloi sundimin otoman, veproi si një qeveri e mirëfilltë. Organizimi i saj u pa në fushën ushtarake. Kur shqiptarët e morën në dorë mbrojtjen e kufirit gjërat ndryshuan. U krijua një ushtri shqiptare e fuqishme pasi që të gjithë ushtarët shqiptarë, sidomos oficerët, dezertuan nga njësitë otomane dhe iu bashkuan forcave të Lidhjes. Kjo ushtri, e komanduar nga Ali Pashë Gucia, e ndaloi procesin e demarkimit të kufirit apo kalimin e territoreve shqiptare në përbërje të Malit të Zi. Brenda një kohe të shkurtër forcat e Lidhjes u bënë kërcënim serioz për Malin e Zi. Ushtria malazeze disa herë provoi që të hynte në Plavë e Guci, por pësoi debakël. Nga raportet që dërgonin konsujt britanikë në Londër bëhej me dije se princ Nikolla frikësohej seriozisht që këto forca shqiptare mund edhe ta okuponin Malin e Zi. Frika e princit malazez ishte e arsyeshme. Por, si duket forcat shqiptare nuk e kishin të qartë se sa të fuqishme që ishin. Mbrojtja vetëm e territoreve që Berlini kishte urdhëruar t’i dorëzoheshin Malit të Zi, ka qenë gabim. Forcat shqiptare është dashur të sulmonin dhe të depërtonin deri në Cetinë pasi që kjo punë ishte e mundshme dhe do ta kishte ndryshuar të ardhmen e këtyre dy vendeve.
Sa reflektonte situata, në këtë kohë, në qeverisjen qendrore otomane dhe reflektimi i saj në çështjen shqiptare?
DAUTI: Nga korriku i vitit 1878 sundimi otoman në vilajetin e Kosovës dhe atë të Shkodrës praktikisht nuk ka ekzistuar për shkak se qeverisja ra në duar të Lidhjes së Prizrenit. Kjo ishte një situatë që i konvenonte Portës së Lartë për shkak se qeverisja qendrore ishte në favor të ruajtjes së territorit otoman, pjesë e së cilës ishin vilajetet shqiptare. Por, ky qëndrim i pushtetit otoman ndryshoi kur Lidhja u forcua aq shumë saqë situata shkonte në drejtim të krijimit të shtetit shqiptar që nënkuptonte zvogëlimin e territorit otoman dhe zhdukjen e pranisë së Perandorisë Otomane në Evropë. Pastaj, situata ndryshoi edhe më shumë kur vendimet e Kongresit të Berlinit, në fakt, nuk u zbatuan dhe Fuqitë e Mëdha u detyruan që të mblidheshin edhe një herë në Konferencën e Berlinit dy vjet më vonë (1880). Gladstone, pa kompromis, filloi t’i bënte presion sulltanit që t’i dorëzonte territoret. Ky ishte momenti kur forcat e Lidhjes dhe ato të Portës u detyruan që të ndesheshin ushtarakisht në shumë raste. Sulltani u detyrua ta shuante Lidhjen e Prizrenit duke marrë masa drastike.
Çfarë pasoja patën shqiptarët nga vendimet e Konferencës së Shën Stefanit dhe tendencat e disa fuqive për të ushtruar influencë në Shqipëri dhe cilat ishin pasojat që krijoi rënia e Tivarit dhe Ulqinit në organizimin e faktorit politik shqiptar dhe masat diplomatike që ndërmorën Fuqitë e Mëdha me këtë rast?
DAUTI: Konferenca e Shën Stefanit e krijoi një Bullgari të madhe që ishte dorë e zgjatur e Rusisë. Territori i kësaj Bullgarie depërtoi thellë në tokat e Shqipërisë dhe Kosovës së sotme. Me fjalë të tjera, formimi i një Bullgarie të këtillë ishte kundër idesë së ekzistimit të shtetit të ardhshëm shqiptar. Shën Stefani ishte një tendencë e zgjerimit pan sllav të sponsorizuar nga Rusia. Kjo ishte diçka që britanikët, por edhe fuqitë e tjera evropiane, nuk ishin në gjendje ta pranonin. Prandaj, u organizua Kongresi i Berlinit dhe deri në këtë pikë qëndrimi britanik dhe ai i disa fuqive të tjera ishte i përbashkët me atë të shqiptarëve. Rënia e Tivarit, Ulqinit dhe territoreve të tjera të banuara me shqiptarë, i radikalizoi shqiptarët. Ishte momenti kur udhëheqësit shqiptarë filluan të kërkonin dalje nga Perandoria Otomane, e cila u pa se më nuk ishte në gjendje të ofronte mbrojtje për territoret që shqiptarët i konsideronin të vetat.
Çfarë propozimi ekzistonte për ndërrim territoresh, kur bëhet fjalë për Ulqinin?
DAUTI: Ka pasur disa propozime që i kishte paraqitur Porta për ndërrim me Ulqinin, por dy kanë qenë më të rëndësishme. Propozimi i parë kishte të bënte me një territor të Sanxhakut që gjendej në lindje të kufirit me Malin e Zi. I dyti kishte të bënte me një territor të Hercegovinës. Britanikët i përkrahën që të dy propozimet, por austro-hungarezët ishin kundër. Vjena nuk dëshironte që ta zvogëlonte territorin e saj në Hercegovinë dhe as që e kishte ndërmend që ta ngushtonte rripin e Sanxhakut që e ndante Serbinë nga Mali i Zi. Prandaj, u propozua që territori që do të kalonte në Mal të Zi do të mbetej Ulqini.
Një prej pjesëve vërtet mbresëlënëse në studimin tuaj është ajo që ka të bëjë me rezistencën e shqiptarëve kundër dorëzimit të Ulqinit te malazezët.
DAUTI: Nga viti 1978 e deri më 1881 shqiptarët u organizuan si kurrë më parë. Kur ushtria otomane u tërhoq nga territoret të cilat duhej t’i jepeshin Malit të Zi, forcat shqiptare nxituan dhe i zunë pozicionet e braktisura otomane para se të vinin malazezët. Më në fund, konsulli Green u detyrua ta pranonte fuqinë organizative të Lidhjes së Prizrenit që e bënte dega e saj në Shkodër. Mijëra shqiptarë të armatosur ia mësyn kufirit. Liqeni i Shkodrës ishte mbushur me anije të cilat transportonin luftëtarë për në front. Furrat në Shkodër nxirrnin çdo ditë nga 8000 okë bukë që dërgoheshin në kufi. Një vijë e gjatë e grave dhe fëmijëve ishte formuar për bartjen e ushqimeve dhe municioneve. Në kufi erdhën edhe forca nga Mirdita e cila gjë i befasoi dhe i frikësoi konsujt në Shkodër. Orkestra e qytetit të Shkodrës, luftëtarët që shkonin në kufi, i përcillte me ekzekutime muzikore. Bizneset në Shkodër dhe rrethinë filluan të funksiononin në dobi të organizimit të luftës. Konsujt filluan të shkruanin raporte në të cilat shprehnin habi për organizimin e shqiptarëve dhe përcaktimin e tyre për t’i mbrojtur tokat e tyre.
Në këtë kohë kishte shumë ngjarje edhe në Vilajetin e Janinës dhe të Manastirit, por kishte edhe angazhime greke për shkaktim të trazirave në jug të Shqipërisë për ta fuqizuar pozitën e tyre, apo jo?!
DAUTI: Qeveria greke nuk pushoi së penguari çështjen shqiptare në vilajetin e Janinës dhe Manastirit. Këtë pengesë ajo e bënte duke e mobilizuar ushtrinë për kërcënim të kufijve, duke angazhuar diplomacinë e vet në botë, kurse në terren e angazhonte kishën ortodokse. Me këtë Athina mëtonte ta bindte botën se të gjithë të krishterët ortodoksë janë grekë. Qeveria greke mundohej ta destabilizonte edhe pjesën e Shqipërisë ku nuk kishte ortodoksë. Athina paguante mjaft agjentë shqiptarë katolikë dhe myslimanë të cilët, haptas apo fshehurazi, i shërbenin kauzës greke në dëm të asaj shqiptare.
Në punimet dhe studimet tuaja keni bërë me dije për kundërshtimin e britanikëve ndaj qëndrimit francez që paraqitej si mbrojtës për interesat greke në raport me Shqipërinë. Cili ishte qëndrimi britanik dhe i fuqive të tjera përkitazi me çështjen shqiptare dhe me kufirin e Greqisë në kohën për të cilën po flasim dhe cili ishte Protokolli XIII i Traktatit të Berlinit dhe përse insistonin britanikët për zbatimin e tij?
DAUTI: Protokolli XIII i Traktatit të Berlinit parashihte që qeveria otomane dhe ajo greke duhej të merreshin vesh në baza dypalëshe për kufirin e ri të shtetit grek. Nëse këto dy palë nuk merreshin vesh, atëherë duhej kërkuar ndihmë nga Fuqitë e Mëdha. Deri në fillim të vitit 1880 nuk pati marrëveshje. Grekët kërkonin një territor të gjerë që zgjerohej në drejtim të veriut apo territoreve shqiptare. Otomanët e refuzonin këtë zgjerim dhe ofronin më pak territor. Kërkesa greke përkrahej tërësisht nga Franca. Grekët kërkuan edhe përkrahje nga britanikët. Për këtë arsye, në fillim të janarit të atij viti, ambasadori grek në Londër u takua me sekretarin e jashtëm britanik. Por, britanikët nuk e përkrahën propozimin grek për shkak se mendonin që ishte i pabazë dhe i paarsyeshëm. Ambasadori grek kishte folur me hidhërim para sekretarit britanik. Sekretari britanik i kishte thënë diplomatit grek se vonesa rreth caktimit të kufirit po bëhej për shkak se pretendimet e Athinës po e vështirësonin situatën. Madje, sekretari i jashtëm ia bëri me dije edhe kryeministrit francez, Waddingtonit, që të hiqte dorë nga përkrahja e kërkesës greke për shkak se ekzistonte mundësia që ky qëndrim, si reagim, do të ndikonte në rritjen e aspiratave të shqiptarëve për pavarësi. Porta dhe Fuqitë e Mëdha nuk ishin të gatshëm që të merreshin me çështjen e pavarësisë së shqiptarëve. Prandaj, Konferenca e Berlinit e lejoi një zgjerim të ‘moderuar’ të Greqisë dhe Franca, për shkak të Britanisë, hoqi dorë nga mbrojtja e kërkesës së paarsyeshme greke.
Cilat ishin angazhimet britanike dhe ato të fuqive të tjera për ta bindur Portën dhe shqiptarët për zbatim të vendimeve të Konferencës së Berlinit?
DAUTI: Gladstone, sapo erdhi në pushtet, i dërgoi sinjale Portës se nuk do ta toleronte zhargitjen e procesit të dorëzimit të territoreve, sidomos pas Konferencës së Berlinit. Për këtë çështje, nën ndikimin e tij, ranë të gjitha Fuqitë e Mëdha dhe e mobilizuan një flotë të madhe detare të cilën e përqendruan në Dubrovnik. Nga aty, i kërcënoheshin sulltanit dhe Lidhjes së Prizrenit që t’i dorëzonin territoret, gjegjësisht Ulqinin me rrethinë. Kërcënimi me paraqitje të flotës në brigjet e Ulqinit nuk dha rezultat. Sulltani arsyetohej se konflikti i forcave të tij me ato të Lidhjes prodhonte rrezik të shkatërrimit të perandorisë. Shqiptarët ishin betuar se do ta mbronin Ulqinin me çdo kusht. Gladstone shkoi edhe një hap më tej. Ai iu kërcënua sulltanit se nëse nuk i dorëzonte territoret, flota e tij do të lundronte më tej dhe do ta okuponte portin e Izmirit dhe të hyrat e doganës otomane do t’i shfrytëzonte për pagesë të vonesës së dorëzimit të territoreve. Ky ishte një cenim i rëndë i sovranitetit otoman që e poshtëronte sulltanin. Fuqitë e tjera nuk e përkrahën këtë propozim të Gladstoneit. Gladstone i dërgoi porosi sulltanit se këtë gjë do ta bënte vetëm me flotën britanike. Në fakt, ky ishte një ‘blof’, por që dukej realitet. Një konflikt mes britanikëve dhe otomanëve krijonte rrezik të madh për Fuqitë e Mëdha. Madje, me këtë nuk u pajtua as Bizmarku, i cili shkroi se ‘Gladstone po sillej si një profesor i çmendur’. Sidoqoftë, sulltani besoi në kërcënimin e Gladstoneit dhe lëshoi pe. Kjo nënkuptonte se Porta tashti duhej të dërgonte forca të mëdha për t’i detyruar shqiptarët që t’i lëshonin tokat e tyre, përfshirë Ulqinin. Kjo gjë ndodhi dhe, pas disa përleshjeve ushtarake, forcat otomane e okupuan Ulqinin të cilin ua dorëzuan malazezëve sipas marrëveshjes. Pastaj, sulltani e urdhëroi ushtrinë që të merrej me nënshtrimin e forcave të Lidhjes dhe për këtë e kishte përkrahjen e Fuqive të Mëdha. Deri më 1881 u shpërbë Lidhja e Prizrenit dhe mori fund organizimi politik, ushtarak dhe ekonomik shqiptar në katër vilajetet. Por, dëshira e shqiptarëve për autonomi, eventualisht pavarësi, nuk u shua.
(Marrë nga numri i shtatë i revistës “Akademia”)