Krijimi i ushtrisë së Kosovës, vlerë e shtuar për paqen e sigurinë në Kosovë dhe rajon
Prof. Lisen Bashkurti
Pas një rruge të gjatë diskursi politik në nivele lokale, rajonale dhe ndërkombëtare, Republika e Kosovës krijoi ushtrinë e vet. Ky është një hap shumë i rëndësishëm në procesin shtetformues të Republikës së Kosovës si dhe një element themelor i sigurisë së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Me këtë akt Republika e Kosovës ka plotësuar kuadrin e institucioneve themelore shtetërore të saj.
E krijuar mbi bazat e parimeve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ushtria e saj e ka të përcaktuar misionin e vet. Ushtria e Kosovës ka karakter thellësisht mbrojtës nga qëllimi, objektivat strategjike, struktura ushtarake, kapacitetet njerëzore e logjistike. Ushtria e Kosovës do të ndërtohet mbi parime thellësisht demokratike dhe me përbërje multietnike, që reflekton karakterin multietnik të shoqërisë dhe të institucioneve demokratike të saj.
Ushtria e Republikës së Kosovës do të ndërtohet qysh në themelet e saj mbi parimet politike, demokratike dhe strategjike të NATO-s. Kjo për arsye se ushtria e Kosovës është krijuar më synimin madhor që t’i bashkohet Aleancës së Atlantikut të Veriut sa më parë që të jetë e mundur.
Me këtë synim madhor për t’u bërë pjesë e NATO-s, ushtria e Kosovës do të jap një kontribut të shtuar për paqen dhe sigurinë në rajon dhe do të jetë e gatshme për të marrë pjesë dhe të kontribuojë në nismat që NATO-ja ka ndërmarrë dhe do të vazhdojë të ndërmarrë në dobi të paqes dhe sigurisë në të ardhmen kudo në botë.
Ushtria e Republikës së Kosovës ka fatin të krijohet në një kohë kur Shqipëria, partneri më strategjik i saj është anëtare e NATO-s. Qenia e Shqipërisë në NATO do t’i ofrojë Kosovës gjithë përvojën e saj të vyer për ndërtimin e funksionimin e ushtrisë, për ndërtimin e funksionimin e sistemit të institucioneve demokratike të sigurisë, për eksperiencën e rrugës së integrimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut përmes PfP (Partneritetin për Paqen), MAP (Planin e Veprimit për Anëtarësim), sikundër do t’i japë mbështetjen e plotë në procesin e lobimit dhe votimit për anëtarësimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota në NATO.