Krijimtaria artistike dhe inteligjenca artificiale
Nga: Donika Çapi
Tabloja titullohet Thèatre d’Opera Spatial. Edhe pse ka zgjedhur ta titullojë në frëngjisht, autori është amerikan. Quhet Jason Allen, me profesion është ideator dhe krijues i lojërave elektronike.
Kjo vepër u shfaq në Panairin Artistik të Shtetit të Kolorados (ShBA), më 22 gusht 2022. Juria e vlerësoi me çmimin e parë në kategorinë: “Digital Art” [art digjital]. Që prej atëherë, tabloja dhe autori i saj mbeten objekt i diskutimeve.
Mund të quhet kjo tablo një vepër arti?! Si është lejuar një tablo e tillë të ekspozohet si punë artistike?! Mbi ç’bazë autori i saj na qenka artist?! Si mund të vlerësohet ky punim me një çmim?! Dhe, aq më tepër me çmim të parë! Ku kanë humbur vlerësuesit, interpretuesit, kritikët e artit? Në çfarë bote po jetojmë?
Mund ta marrim pak më qetë? Estetikisht, tabloja qëndron. Subjekti është i identifikueshëm: skenë operash; dritare rrethore nga ku shihet një peizazh malor; tri figura femërore, në qendër, kompozuar sipas rregullit trekëndor. Veshjet e grave janë po ashtu të identifikueshme: kombinim i balancuar mes periudhës antike greko-romake dhe asaj të shekullit XVIII. Harmonia e vendosjes së formave në hapësirë, e ngjyrave dhe e materialeve është korrekte. Formalisht, kjo tablo mund të cilësohet si punim artistik.
Nëse këtu ka një problem, ai domosdo nuk është estetik.
Problemi, le të flasim hapur, është programi Midjourney!
Midjourney përdor inteligjencën artificiale për të dekoduar gjuhën njerëzore (të shkruar apo të folur) dhe krijon korrespondencën vizuale për çfarëdolloj teksti të shkruar. Jason Alleni e përdori për të vizualizuar një “skriptë” rreth një skene të operave në hapësire. Edhe pse “skripta” kërkoi muaj të tërë punë kërkimore dhe përsosje linguistike, gjeneruesi i vërtetë i Thèatre d’Opera Spatial është Midjourney. Shumë studiues dhe amatorë të arteve pamore janë të bindur se kjo vepër është mashtrim dhe autori i saj mashtrues. Jason Alleni mendon të kundërtën. Këndvështrimi personal, origjinal dhe unik i autorit të “skriptës” mjafton që punimi të klasifikohet si art, edhe pse i gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Kjo e fundit ka të bëjë vetëm me teknikën apo me mjetet e vëna në përdorim prej krijuesit.
Tashmë, organizatorët dhe kuratorët e ekspozimeve të arteve pamore kujdesen të bëjnë të qartë qëndrimin e tyre: fotografitë apo pikturat e gjeneruara nga inteligjenca artificiale nuk janë pjesë e arteve të bukura dhe nuk mund të ekspozohen si të tilla.
Impakti i Inteligjencës Artificiale nuk shihet vetëm në artet e bukura. Në vetëm një vit kalendarik, 2022-2023, një sërë profesionesh të tjera po vihen në pikëpyetje.
Përkthyesit simultanë apo dubluesit e materialeve audio-vizive u ndeshën me një program të ri përkthimi simultan, hedhur në përdorim gjatë kësaj jave. Inteligjenca artificiale përkthen diskursin e një personi nga një gjuhë në tjetrën duke përshtatur lëvizjen e buzëve të tij me fonetikën e gjuhës së përkthyer. E gjithë kjo në kohë reale. Për shembull, Donald Trump është duke dhënë një konferencë për shtyp në anglisht, transmetuar drejtpërsëdrejti nga CNN-i. Në të njëjtën kohë, në Rai Uno ai flet po “live” dhe në italisht. Përshtatja e lëvizjes së buzëve të tij përmes Inteligjencës Artificiale me fonetikën e gjuhës italiane, bën të besueshëm perceptimin se Donald Trumpi po flet në italisht. E njëjta gjë edhe me Charle de Gaullein që duket se popullit francez i adresohej në gjermanisht.
Ka një risk real që përkthyesit simultanë dhe dubluesit e filmave apo serive (mbi të gjitha të Netflix-it) të bëhen të panevojshëm në treg. Edhe pse ata besojnë se profesionalizmi i përkthyesve të talentuar nuk mund të barazohet me inteligjencën artificale.
Këto shqetësime janë reale, por … sigurisht që ka një “por”!
Inteligjenca artificiale që po rrezikon shuarjen e disa prej profesioneve më të vlefshme, realisht është vetëm një prej dimensioneve të automatizimit. Proces ky që zhvillohet prej disa shekujsh, mbase që nga industrializimi.
Automatizimi ishte dhe mbetet kusht i domosdoshëm për rritjen e produktivitetit, menaxhimin efektiv të kohës, shmangien e rrezikut të uljes së cilësisë nga përsëritja rutinore e proceseve. Ai është parakusht për zhvillimin personal apo social ngaqë zvogëlon kohën e shpenzuar me procese repetitive dhe zmadhon kohën cilësore.
Përse ky dimension i automatizimit shkakton kaq shumë panik?
Është e dukshme se dija (mbledhja dhe përpunimi i informacioneve teorike dhe praktike rreth një subjekti të caktuar) është Google-zuar dhe Wikipedia-zuar. Algoritmizimi i dijes ushtrohet në një rrjet virtual horizontal, d.m.th. pa struktura hierarkike. Të rinjve të gjeneratës Y dhe Z, monopolizimi i dijeve teorike dhe praktike nga autoritete të konfirmuara, u duket diçka totalisht “artificiale” dhe lehtësisht e zëvendësueshme.
Në këto kushte, inteligjenca artificiale si automatizim i dijes horizontale, kryen funksionin e saj të shmangies së kohës së shpenzuar me procesin repetitiv të kërkimit të informacionit teorik e praktik në Google. Domosdo, ajo vetëm se i shërben përftimit të një kohe cilësore që duhet kaluar duke i shërbyer mbase një tjetër lloji dijeje.
Një lloj dijeje të bazuar ndoshta te besimi në vërtetësinë e perceptimit individual, në narrativën personale që ka forca të formalizohet si unike? Me vetëdijen e plotë se nuk i mungon informacioni? Një lloj dije e ngjashme me atë të skriptit unik të Jason Allenit?
Aq më tepër nuk ka vend për panik, kjo formë e dijes nuk është as krejtësisht e re dhe as krejtësisht e panjohur. Në formësimin e saj, nuk dalim nga ndonjë errësirë metafizike.
Henri Bergsoni ka dedikuar një korpus gjigant filozofik kësaj lloj dijeje. E quante “intuitë”, “forcë krijuese” ose “mendim që kap lëvizjen” ose “Élan vital”. Procesin për të arritur te materializimi i kësaj lloj dijeje, Bergsoni e quante “Evolucion krijues” në kundërshtim me darvinizmin dhe seleksionimin natyror në shërbim të më të fortit.
Mundet që inteligjenca artificiale, më shumë sesa një rrezik, të jetë mjet që mundëson evolucionin krijues.