Krijohet algoritmi që identifikon koronavirusin përmes kollës
Një grup kërkuesish shkencorë nga SHBA, Meksika, Spanja dhe Italia, që punojnë për Institutin e Teknologjisë së Masaçusetsit, janë bashkuar për të zhvilluar një metodë të re për të kuptuar nëse një person është apo jo i prekur nga koronavirusi vetëm nga tingulli i kollës së tij.
Shkencëtarët po grumbullojnë audio nga kolla e mijëra personave të grupmoshave të ndryshme, me apo pa Covid-19. Tingujt do të analizohen me një algoritëm që do të dallojë kollën e dikujt me koronavirus nga kolla e dikujt që nuk është infektuar.
Bárbara Vizmanos, udhëheqësja e projektit, shpjegon: “Të dhënat që kemi mbledhur do të krijojnë një sistem inteligjence artificiale që do të identifikojë kollën e personave të infektuar”.
Pritet që algoritmi të jetë i disponueshëm si një aplikacion që mund të shkarkohet falas në celular. Ai do të lejojë regjistrimin e kollës dhe do të tregojë nëse je prekur apo jo nga Covid-19.