KRIJUESI MAGJIK

16 dhjetor 2019 | 15:41

(Rreth poezisë së Lulzim Tafës)

Violeta ALLMUÇA

Kur shkruajmë sot për poezinë dhe poetin Lulzim Tafa, një nga poetët më të veçantë dhe interesantë që kam lexuar këto vitet e fundit, ndjen vlerat e larta shpirtërore të vargut me përjetime të thella të subjektit lirik. Duke mos qenë i kushtëzuar nga reflektimet e jashtme ai e ka mbushur sipërfaqen poetike me zërin e psikën e tij. Hapësira e brendshme njerëzore e poetit, përveç lirizmit shpall edhe një cipë ironie dhe dozë revolte, ku formohet elementi i plotë i objektit poetik. Nën ndikimin e stilit të tij vetanak, të papërsëritshëm, secila fjalë e ardhur në vargje na flet për dramën e thellë të botës shqiptare të poetit, i cili unin poetik nëpërmjet ritmit e vesh me lëndë poetike. Nuk është e çuditshme që pasi të kesh lexuar mbi 100 poezi të Lulzim Tafës të gërmosh për të zbuluar qoftë edhe ndonjë varg të “lodhur” të del punë, sepse secila poezi ka ngritjen e saj substanciale, me rrënjë artistike dhe vlera të larta estetike. Nga ana tjetër duhet të mendosh se poezia e tij jo më kot është mirëpritur edhe në hapësirën universale nga lexuesi i gjerë. Askush nuk mund të çuditet se ky poet ndodh të shfaqet si një “astronom” i planetit letrar që në duar mban një laps, jo për të zbuluar planetë të reja, por për ta ngjitur sa më lart lirinë, atje ku nisen në fluturim dhe ëndrrat e poetit. Ja ku e zbulon vargun në poezinë: “Ke fjetur nën hënë”: Ke fjetur nën hijen e hënës /Do të vij në ëndrrën tënde /Nga ëndrra e zezë. Në fund poeti zbret në tokë. Ëndrra vishet me metafora. Vargu bëhet tokësor. Mos qaj për mua vogëlushe. Vargu i tij është gjithnjë në lëvizje. Poeti nuk mban ditar. Ai veç fluturon mes universit dhe e bën poezinë magjike. Semantika përmban një leksik me fjalë të zgjedhura, thuajse të përkryera që i burojnë zakonisht në artin e shpirtit, sepse aty është liria e paanë e poetit. Nëpërmjet figuracioneve dhe gjuhës poetike, imagjinatës dhe mjeshtërisë, autori e sjell gjininë e përsosur të poezisë në një dimension gjithëpërfshirës. Motivet poetike bashkë me synimin tematik shpesh lëvizin nga kohët e ikura në të tashmen. Krijuesi magjik e shfaq ndjesinë e përjetimit mbi ndjesitë e vargut, të cilat shënjojnë gjithçka estetike kur zbulojnë kodin e krijimit artistik, aty ku lëviz e ardhmja. Le të shohim poezinë: “Nesër”. M’i jep sytë ta shoh diellin /Si bien yjet / Qielli si bie / Do të ulemi sërish Teutë /T’i rrëfejmë ëndrrat e natës së shkuar/. Gjendja emocionale e poetit, rrëfimi i shkëlqyer i frymës lirike, çastit të ndjenjës lirike, intensiteti i lartë lirik i vargut, krijon një mozaik me secilën poezi, sidomos tek poezitë e dashurisë dhe poezitë erotike ku formësohet gjithnjë vargu i plotë me ndjeshmëri të thellë, me vargje të shkurtra në një botë të madhe krijuese. Le të lexojmë poezinë e tij: “Vashë e Dukagjinit”. E bukur je /Më e bukur se vasha e përrallave / Kristal je/ Kristal ke syrin/ Filigranët të qesin nëpër unaza/. Ja çasti poetik si kthehet në një çast magjik, ndjenjë lirike, krijim artistik me vlerë estetike. Në të gjitha vargjet e këtij poeti, ndjesitë e autorit shfaqen si ndjesitë e vargut. Ai zbulon kodin e krijimit artistik kur lënda imagjinative kthehet në një komunikim me realitetin dhe shkrihet në gjendjen shpirtërore gjatë rrëfimit autentik. Atëherë vargu i poetit i beson të vërtetës që dëshmon një varg realisht të zhveshur nga ëndrrat melankolike të së shkuarës.

Poezia e tij i çliron vargjet që përbëjnë edhe kujtesën duke e lënë fjalën të lirë, jo vetëm për humanizëm njerëzor. Elementi tragjik i luftës shpesh shndërrohet në një element të paqes. Vetëm një kryepoet mund ta kthejë luftën në paqe nëpërmjet formës së madhërishme të lirisë. Ai përdor simbolin, krahasimin, antitezën, paradoksin etj. për të arritur nëpërmjet figurave letrare ta ndjellë poezinë në brendësinë e saj duke ia përcjellë me gjuhë poetike lexuesit. Dëshiroj të lexoj poezinë e tij: “Norma”. Kush e vret një armik në luftë/ ka të drejtë/ t’i vrasë/ dhjetë shqiptarë / në paqe/ Paqe është kjo / Pasha krytë/ ose poezinë: “Ura”. Vetëm me frymë e bëra të fortë/ të lidhur për zemre/ kalo lirë/ zoti të flet/ dhe engjëlli i bardhë të mban/për dorë/. Poeti i ka thënë të gjitha përjetimet e tij të jashtme duke e nxjerrë çdo fjalë në liri nga psika e trishtë e tij. Ëndrra bëhet zhgjëndërr. Poeti nuk mban më asgjë brenda vetes. Vetëm i lutet vargjeve të shndërrohen në motiv të lirisë. Dhe liria është fjala, vargu dhe gjuha e krijuesit magjik. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Poeti shtron vargjet në memorien e çdo subjekti lirik, pra të vërtetën artistike. Në brendësi të poezisë së Lulzim Tafës ka vargje që sjellin mesazhe për jetën e dashurinë, të cilat kanë fuqi, forcë, dhe padyshim nëpërmjet meditimit në kohë sjellin edhe lavdinë e poezisë.

Shenjat e vargjeve të tij janë të dukshme edhe kur shfaqen përtej kohës dhe hapësirës në një komunikim përjetësues, ku përveç brengës së tij shpirtërore autori sjell edhe qasjen e pashmangshme të vargut të prekshëm njerëzor. Në universin e tij artistik poeti i mbjell vargjet në kontekstin e jetës shqiptare i prirë edhe nga fati jetësor i popullit të vet duke krijuar metaforat derisa i ngjiz ato, mu si një përkushtim ndaj artit. Le të lexojmë edhe poezinë: “Ti a ke dhembje” /Kur s’më sheh/Kur s’më dëgjon/Kur s’të flas as s’më flet/ Kur të këputet andrra në gjysmë/Ti a ke dhembje/Kur gjumi të del/E më s’të zë/Kur ti fërgon dashurinë në prush/Kur të vlon balli/Kur të sos malli/Ti a ke dhembje/Në këtë punë djalli/Trego/Ti a ke dhembje/Si unë/. Një poezi që metaforën letrare e kthen në një jetësim të kthjellët duke interpretuar vetveten në opusin e tij lirik, me një gjuhë të thellë letrare. Është krejt e pamundur të gjesh vargje të “lodhura” në vëllimet me poezi të këtij autori brilant, që përjetimet e tij lirike pa mëdyshje janë ngjitur me kohë në Panteonin e letërsisë shqipe dhe universale. I përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe i vlerësuar me disa çmime, ai përfaqësohet me veten kur shkruan poezinë: “Tu e kërkue veten”. Kam dalë sot/Veten me e lypë/Shikoj n’diell/jam n’ tokë /Kam dalë sot veten me e lypë. Poezia e Lulzim Tafës tashmë e frymëzon lexuesin me vargjet e tij. Kjo është edhe e vërteta e dukshme e botës së poezisë dhe e së vërtetës artistike që poetët e mirëfilltë me mjeshtërinë e tyre artistike dhe gjuhën poetike e kanë bërë pjesë të letërsisë, si individualitete të spiritualitetit njerëzor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
ARCH  LIGHTING .Sh.P.K.  me numër fiskal: 600268834, njofton se për…