Krijuesi “Squid Game” thotë se nuk është “pasuruar” pas suksesit të serialit  

27 tetor 2021 | 11:55

Hwang Dong-Hyuk, krijuesi i “Squid Game” të Netflix-it, ka thënë se suksesi astronomik i serialit nuk ka ndikuar në pasurin personale të tij.

Dong-Hyuk ka deklaruar se nuk është aq i pasur sa protagonisti i serialit, i varuri nga bixhozi, Seong Gi-Hun (Lee Jung-Jae), i cili i bashkohet lojërave vdekjeprurëses(lojtari nr.456).

Shkrimtari shpjegoi se “Netflix” e pagoi atë aq sa parashikonte kontrata e tij origjinale, pavarësisht shifrave mahnitëse të shikueshmërisë.

“Nuk është se Netflix po më paguan shtesë,” tha ai për “The Guardian”.

Sidoqoftë, në kohën kur po nënshkruhej kontrata, askush nuk do të kishte parashikuar që seriali korean do të bëhej seriali më i suksesshëm i Netflix-it ndonjëherë.

Platforma ka pohuar se 142 milionë familje e kanë parë serialin, i cili u refuzua nga drejtuesit e televizionit të Koresë së Jugut për një dekadë.

Se a do të ketë një sezon të dytë, Dong-hyuk tha se një gjë e tillë ishte duke u konsideruar, përpara se të shtonte me shaka: “Ndoshta do të më duhet të bëj sezonin e dytë për t’u bërë po aq i pasur sa fituesi i ‘Squid Game’”.

Ndër të tjera, Dong-hyuk ka folur për frymëzimin e hitit të tij.

Pasi që familja e tij u prekë nga kriza financiare që goditi Korenë e Jugut në vitin 2009, Dong-hyuk tha se gjente ngushëllim mes faqeve të librave me lojëra të mbijetesës si “Battle Royale” dhe “Liar Game”, sepse e shihte veten tek personazhet “të cilët ishin të dëshpëruar për para dhe sukses”.

Ai tha: “Pyesja veten, nëse do të kishte një lojë mbijetese si këto në realitet, a do t’i bashkohesha për të fituar para për familjen time?”

“Squid Game” vë 456 lojtarë të zhytur në borxhe kundër njëri-tjetrit, përderisa ata garojnë në një seri lojërash për fëmijë për të fituar një shumë të madhe parash. Ata që humbasin eliminohen nga gara ose vriten menjëherë.

Në fund, tha Dong-hyuk, seriali është “i motivuar nga një ide e thjeshtë: ne po luftojmë për jetën tonë në rrethana shumë të pabarabarta”.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ditëve të fundit po përflitet për një hyrje-dalje nga Qeveria…