Por, mendja është një dhunti e një individi. Truri kolektiv nuk ekziston. Mendimi kolektiv nuk ekziston. Një marrëveshje e realizuar nga një grup njerëzish është thjesht një kompromis ose një rezultante mesatare e shumë mendimeve individuale, është një pasojë dytësore. Veprimi parësor, procesi i arsyetimit, duhet të ushtrohet nga çdo njeri veçmas. Ne mund të ndajmë një ushqim mes shumë njerëzve. Ne nuk mund ta tretim atë në një stomak kolektiv. Asnjeri nuk mund të përdorë trurin e vetë për të menduar për një tjetër.
Krijuesit e mëdhenj ishin të vetmuar!
Nga: Ayn Rand
Mijëra vjet më parë, njeriu i parë zbuloi se si të bënte zjarrin. Ka shumë mundësi që ai të jetë djegur si pasojë e barrës që mori përsipër duke ia mësuar vëllezërve të vetë sesi të ndiznin zjarrin. Ai u konsiderua një keqbërës që ishte marrë me një demon nga i cili kishte lemeri gjithë njerëzia. Por, prej atëherë njerëzit kishin zjarr për t’u ngrohur, për të gatuar ushqimin e tyre, për të ndriçuar shpellat. Ai iu la atyre një dhuratë që ata nuk e kishin konceptuar dot dhe hoqi errësirën nga toka.
Shekuj më pas, njeriu i parë zbuloi rrotën. Ka shumë mundësi që ai të jetë shtypur nga rrota që ai iu mësoi vëllezërve të vetë se si ta ndërtonin. Ai u konsiderua si një kryeneç që kishte guxuar të futej në territor të ndaluar. Por, prej atëherë njerëzit mund të udhëtonin përtej çdo horizonti. Ai iu la atyre një dhuratë që ata nuk e kishin konceptuar dot, dhe ai iu hapi atyre rrugët e botës.
Ai njeri, i panënshtruar dhe i parë, qëndron në kapitullin hapës të çdo legjende që njerëzimi ka regjistruar për fillimin e saj. Prometheu ishte lidhur me zinxhirë në një shkëmb dhe shqyej nga shkabat, sepse ai kishte vjedhur zjarrin e perëndive. Adami u dënua me vuajtje, sepse ai kishte ngrënë frutin nga pema e njohjes. Cilado qoftë legjenda, diku në hijet e kujtesës së vetë, njerëzimi e di që lavdia e tij nisi me një, dhe ai një person pagoi shtrenjtë kurajon e tij.
Gjatë gjithë shekujve ka pasur njerëz që ndërmorën hapat e para nëpër shtigje të pashkelura, të armatosur veçse me vizionin e tyre. Synimet e tyre ndryshonin, por atë gjithë kishin këtë gjë të përbashkët: që hapi ishte i pari, shtegu i pashkelur, vizioni i pahuazuar, dhe reagimi që ata morën – urrejtje. Krijuesit e mëdhenj, mendimtarët, artistët, shkencëtarët, shpikësit, qëndruan të vetmuar përkundrejt njerëzve të kohës. Çdo ide madhështore e re u kundërshtua. Çdo shpikje e re madhështore u denoncua. Motori i parë u konsiderua budallallëk. Aeroplani i parë u konsiderua i pamundur. Tezgjahu mekanik u konsiderua i dëmshëm. Anestezia u konsiderua mëkat. Por, kishte njerëz me vizion origjinal që vazhduan më tej. Ata luftuan, vuajtën dhe paguan. Por fituan.
Asnjë krijues nuk u nxit nga dëshira për t’u shërbyer vëllezërve të vetë, pasi vëllezërit e tij refuzuan dhuratën që ai ofroi dhe ajo dhuratë shkatërroi rutinën e jetës së tyre. E vërteta e tij ishte motivi i tij i vetëm. E vërteta e tij, dhe puna e tij për të arritur motivin e tij. E vërteta e tij dhe puna e tij për ta arritur atë në mënyrën e tij. Një simfoni, një libër, një makineri, një filozofi, një avion, një ndërtesë, ky ishte qëllimi i jetës së tij. Jo ata që dëgjuan, lexuan, vunë në punë, besuan, fluturuan apo banuan gjërat që ai krijoi. Krijimi e jo përdoruesit e tyre. Krijimi dhe jo përfitimet që të tjerët nxirrnin prej saj. Krijimi që i jepte formë të vërtetës së tij. Ai mbante të vërtetën e tij përmbi gjithë gjërat e tjera dhe kundër gjithë njerëzve.