Krimet e luftës, Kurti kërkon të regjistrohen edhe zhdukjet e gjurmëve
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se te regjistrimet e krimeve të luftës në Kosovë, duhet të regjistrohen edhe zhdukjet e gjurmëve.
“Ne nuk dëshirojmë ta mohojmë punën e askujt që është bërë deri më tani. Përkundrazi jemi të interesuar që të përfshijmë të gjitha dokumentimet e deritanishme për krimet e kryera gjatë luftës, që janë vrasje, zhdukje kufomash, tortura, burgosje, përdhunime”,
“Besoj që do të duhej të regjistrohen edhe zhdukjet e gjurmëve, pra ne e kemi për obligim si institucione dhe si brez që të lëmë gjurmë për zhdukjen e gjurmëve”, ka thënë Kurti.
Kurti në takimin e ftuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal me kryetarët e komunave, ka thënë se krimet e luftës nuk vjetrohen asnjëherë.
Gjatë këtij takimi, drejtori në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, ka kërkuar nga komunat që të sigurojnë nga një kopje të arkivave për krimet e kryera gjatë luftës.
Ai ka thënë se arkiva kanë ruajtur në Arkivin Qendror në Prishtinë, dhe në secilën Komunë të Kosovës.