Krimet e luftës në Kosovë dëshmohen përmes fotografive në ambientet e MD-së
Në Ministrinë e Drejtësisë (MD) është hapur ekspozita më foto ku dokumentohen krimet e luftës në Kosovë të fotoreporterit, Alban Bujari.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se kjo ekspozitë tregon krimet që Serbia ka bërë në Kosovë.
Sipas tij, vuajtjet e viktimave janë obligim për institucionet që drejtësia të vihet në vend.
“Kjo ekspozitë tregon mizorin serbe. Kjo na shërben që të rikujtojmë të vërtetën e Kosovës. Të kalosh dekada të tëra sjell trauma”.
“Populli ynë gjen forcën të vazhdoj tutje. Vuajtjet e njerëzve tanë na obligojnë të vendosim drejtësi në vend”, ka thënë Selimi.
Ndërsa nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka thënë se këto fotografi dëshmojnë se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.
“Në momente si këto i rikthejmë edhe një herë përjetimet e luftës dhe brengen për atë që gjithmonë duhet të bëjmë më shumë që ta themi sa më fuqishëm të vërtetën se Serbia ushtrojë gjenocid në Kosovë”, ka thënë Nagavci.
Në anën tjetër, fotoreporteri Alban Bujari, ka thënë se këto fotografi janë nga masakra të ndryshme në gjithë vendin.