KRIMET E PAZBULUARA SERBE DHE MINI-SHENGENI NUK SHKOJNË BASHKË

22 dhjetor 2019 | 21:04

Pse kjo nguti kaq e sikletshme e Edi Ramës për t’i ofruar nikoqirllëk një projekti ku Kosova nuk është e pranishme?Ajo çka nuk kupton Edi Rama për momentin është refuzimi për të qenë në sinkron me qëndrimet e vëllezërve nga Kosova. Si mund të jesh kaq zemërgjerë ndaj Beogradit, në kohën kur krerët serbë, duke filluar nga Presidenti Vuçiq e teposhtë për çdo ditë të Zotit, punojnë në minimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe mohojnë në mënyrë të paskrupullt krimet që i kanë bërë në Kosovë

Shkruan: Mehmet PRISHTINA

Të premten dhe të shtunën (20 dhe 21 dhjetor) në Tiranë disa liderë të rajonit në kuadër të ‘Mini-Shengenit’ Ballkanik u mblodhën në takimin e tretë rajonal mes këtyre vendeve. Por, në këtë takim sërish mungoi Kosova. Mospjesëmarrjen në këtë takim njoftoit vet Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka qenë i ftuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.

“Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës”, ka shkruar në rrjetet sociale Presidenti Thaçi.

Takimi në Tiranë vjen pas dy takimeve të mëparshme të zhvilluara në Novi Sad dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Kosova e ka refuzuar pjesëmarrjen edhe në dy takimet paraprake. Me mbledhjen në Tiranë mbyllet cikli tripalësh i takimeve të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe pritet që ata të dalin me një vendimmarrje në lidhje me këtë proces.

Kryeministri Edi Rama është shprehur i zhgënjyer nga mospjesëmarrja e përfaqësuesve të Kosovës në takimin e Tiranës. Në një intervistë për një medie të Prishtinës ai u shpreh se ky projekt është një mundësi e artë për Shqipërinë dhe Kosovën që të heqin kufirin mes tyre dhe shtoi se mospjesëmarrja e kësaj të fundit e nxjerr humbëse politikën e Kosovës në sytë e amerikanëve.

“Më vjen keq për Hashim Thaçin që bën një piruetë 360 gradë dhe bie në qëndrimin e mëparshëm. Ai ka qenë në tavolinë me Serbinë dhe tani thotë nuk ulem me Serbinë se nuk na njeh. Ky është një virus që rrezikon t’iu hyjë të gjithëve dhe rrezikon që të hyjnë në garë se kush është më patriot. Pse këta do të më tregojnë mua që jam tradhtar? Këta mua?” – tha Rama, ndërkohë që nuk la pa kritikuar edhe kryeministrin në detyrë Ramush Haradinaj.

“Kosova u dënua nga taksa dhe Serbia fitoi pasi bëri rolin e viktimës. Taksa ishte një mjet për të marrë diçka dhe nuk duhet të kthehej në qëllim. Mundësia “e artë” erdhi në Berlin kur Makron i tha Ramushit: “na jep mundësinë mua dhe kësaj… dhe në krah kishte Angela Merkelin dhe jo Anduenën, ti suspendoje për 4 muaj taksën. Nuk po të themi ta heqësh, por pezulloje sa të bindim edhe vendet e tjera dhe unë do t’ju jap liberalizmin e vizave. Sot do lëviznit të lirë… Kështu është kur bën politikëmiope” – tha Rama.

Njohës të zhvillimeve rajonale konsiderojnë se Shqipëria dhe Kosova duhet çdoherë të zhvillojnë një koordinim të afërt para lansimit ose pjesëmarrjes në çfarëdo iniciative të bashkëpunimit rajonal, evropian ose ndërkombëtar. Vendet e Ballkanit, sipas tyre, duke përfshirë edhe Kosovën, nuk kanë asnjë interes t’i ofrojnë mbështetje iniciativës së Mini-Shengenit, e cila efektivisht minon procesin e Berlinit dhe përjashton nga partneriteti vendet kyçe të BE-së, siç janë Gjermania, Franca.

“Mini- Shengeni” ballkanik nuk mund të realizohet pa përfshirjen e Kosovës. Një mesazh i tillë u nënkuptua ditë më parë,të paktën, pas reagimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat mbështetën nismën për “Mini-Shengen”, por u kërkuan vendeve të rajonit që të përfshijnë aty edhe Kosovën dhe qeverinë e saj.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit pohojnë se vendet e rajonit nuk e kanë zbatuar gjithmonë Marrëveshjen për Tregti të Lirë me vendet e Ballkanit Perëndimor (CEFTA), e cila mundëson trajtim të barabartë të të gjitha shteteve.

Nëse i hedhim një sy protokollit përfundimtar që parasheh të formësohet si Mini-Shengen, do të vërejmë këto pika, të cilat në letër duken shumë mirë, por në praktikë rezultojnë të kenë shumë probleme.

Të fillojmë nga pika e parë – Krijimin e tregut të përbashkët prej 20 milionë qytetarëve.

Ky treg si mund të krijohet, në kohën kur marrëdhëniet ekonomiko-tregtare të Kosovës me vendet e rajonit, vazhdojnë të sfidohen me probleme të ndryshme. Jo rrallë herë, Kosova është ballafaquar me barriera tarifore dhe jotarifore edhe nga shtet tjera fqinje.

Pastaj, pika tjetër  – Eliminimin e kontrolleve kufitare dhe të pengesave të tjera të lëvizjes së lirë jo më vonë se në vitin 2021.

Çfarë demagogjie është kjo? Për cilat kontrolle kufitare bëhet fjalë? Për ato me Serbinë ku targat e Kosovës nuk lejohen të qarkullojnë dhe duhet të zëvendësohen me targa të përkohshme që Beogradi i imponon!

Për çfarë lëvizje të lirë bëhet fjalë, kur  shqiptarët e Kosovës ende janë në listat serbe të arrestimit dhe shumica kanë përfunduar nëpër burgje si pasojë e mendësisë millosheviqiane të politikës së Vuçiqit ndaj shqiptarëve.

Vjen pika tjetër që parasheh – Lëvizjen e lirë të qytetarëve të Ballkanit në rajon me kartë identiteti.

Serbia nuk i njeh dokumentet e Republikës së Kosovës dhe ‘lëvizja e lirë’ si alternativë ka mbetur vetëm mali, por edhe atje të pret plumbi i xhandarit serb.

E drejta e punësimit të qytetarëve kudo në rajon –  është një margaritarë tjetër nga ky protokoll, që nuk meriton  ndonjë koment dhe pastaj vjen  – Njohja e ndërsjellë e diplomave në gjithë rajonin, por me përjashtim të studentëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës, diplomat e të cilëve nuk njihen nga Beogradi sepse mbajnë vulën e Republikës së Kosovës.

Dhe krejt në fund vjen ‘qershia mbi tortë’  – Ngritjen e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe ndihma në rastet e katastrofave natyrore. Gjithçka do të ishte në rregull, sikur Serbia të mos i praktikonte metodat subversive kundër shtetit të Kosovës dhe kjo mund të jetë e prekshme në veri të Mitrovicës, ku instalimet e shërbimeve sekrete serbe janë pjesë e makinerisë shantazhuese të Beogradit kundër sovranitetit territorial e kushtetues të Kosovës.

Pse kjo nguti kaq e sikletshme e Edi Ramës për t’i ofruar nikoqirllëk një projekti ku Kosova nuk është e pranishme?

Pse kjo nguti në kohën kur Kosova ndodhet në një vakuum institucional dhe askush nga Prishtina nuk mund të bëhet pjesë e nismave rajonale, pa qenë të mandatuar nga Parlamenti. Madje edhe Presidenti Thaçi, me refuzimin tij, e ka kuptuar se pjesëmarrja e tij eventuale në këto tryeza nuk e ka legjitimitetin e nevojshëm, në kohën kur Kosova nuk ka as Parlament as Qeveri të formuar, që është një kusht i domosdoshëm që një vendim politik të jetë në harmoni me infrastrukturën kushtetuese-ligjore të shtetit të Kosovës.

Kritikat që iu bëhen liderëve kosovarë se ata gjoja janë kundër nismave rajonale që avancojnë lirinë e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, janë tepër të paqëndrueshme. Kosova, përpara se gjithë shtetet tjera të rajonit, ka nevojë për këtë liri, sepse është i vetmi vend në Ballkan që nuk ka liberalizim vizash.

Edi Rama bëhet sikur nuk e kupton thelbin e refuzimit të Prishtinës zyrtare për të qenë pjesë  e tryezave të tilla, ku Serbialuan rolin e djalit të mirë e paqësor, kurse Kosova qenka ajo që nuk po i pëlqyekan këto ide të mrekullueshme pacifiste.

Në fakt, ajo çka nuk kupton Edi Rama për momentin është refuzimi për të qenë në sinkron me qëndrimet e vëllezërve nga Kosova. Si mund të jesh kaq zemërgjerë ndaj Beogradit, në kohën kur krerët serbë, duke filluar nga Presidenti Vuçiq e teposhtë për çdo ditë të Zotit, punojnë në minimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe mohojnë në mënyrë të paskrupullt krimet që i kanë bërë në Kosovë.

Pse duhet Beogradit t’i mundësohet kjo lojë e dyfishtë, i cili në njërën anë tregohet shumë bujar ndaj nismave rajonale ku lëvizja e njerëzve dhe mallrave quhet si kurorë e përpjekjeve për ta evropianizuar Ballkanin, kurse në anën tjetër me veprimet e veta mesjetare kundër Kosovës, po i njëjti Beograd zyrtar, dëshmon se ndaj shqiptarëve nuk e ka ndryshuar qëndrimin, duke e trajtuar Kosovën ende koloni të veten (!) Në Kushtetutën aktuale të Serbisë, Kosova ende llogaritet si pjesë e saj.

Cili ‘Mini-Shengen’ mund ta tejkalojë këtë hendek, të cilin vetë krerët serbë, që nga Garashanini, Çubrilloviqi, Andriqi, Rankoviqi, Millosheviqi, e deri te Vuçiqi, e kanë ngritur dhe thelluar për të pamundësuar komunikimin normal me shqiptarët. Nëse Edi Ramës i duken normale këto hendeqe, atëherë ai ka probleme fundamentale me njohjen e historisë si lëndë, e cila po nuk arrite ta përvetësosh mirë, ka rrezik të të shndërroj në ngelaq të përjetshëm.

Përfundimisht Kosova nuk është kundër asnjë nisme rajonale, kur ajo është në frymën  e integrimeve euro-atlantike dhe në koordinim me Brukselin dhe Uashingtonin, por kur prapa këtyre nismave mungon vullneti për ta njohur realitetin në terren, siç është, bie fjala, Republika e Kosovës një realitet i ri, atëherëmendja të shkon tek një realitet gri të cilin vetëm Serbia din ta krijojë për të paraqitur veten si kampione të proceseve evropiane në Ballkan, në njërën anë, dhe për të mohuar ekzistimin  shtetit të Kosovës, në anën tjetër.

Tirana zyrtare çdo hap që do ta ndërmerr pa pëlqimin e Kosovës, do të jetë e destinuar të përfundojë në një aventurë me kosto të lartë për kredibilitetin e saj, fillimisht, por edhe për interesat vitale kombëtare shqiptare në Ballkan.

Prishtinë, 22 dhjetor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nesër mbushen 30 vjet nga themelimi i Lidhjes Demokratike të…