Krimet serbe në Kosovë përmes fotografive
Në muret e Muzeut Kombëtar të Kosovës, kanë zënë vend mbi 100 fotografi të cilat paraqesin eksodin dhe gjenocidin serb të kryer në Kosovë, gjatë periudhës mars-qershor 1999.
Ka shumë dëshmi që dokumentojnë krimet serbe të kryera në vend, shumë nga to tash e 20 vjet është duke i ruajtur Enver Hoxha, i cili kishte shërbyer si mjek në Zonën Operative të Llapit.
Me këtë fotografi është duke u synuar që të kërkohet përgjegjësi nga shteti i cili kishte kryer gjenocid në vend.
“Gjenocidi serb: Ta kujtojmë të kaluarën, ta ndërtojmë të ardhmen”, kështu e ka quajtur autori Enver Hoxha ekspozitën me mbi 100 fotografi të shkrepura 20 vjet më parë në zonën e Shalës, Llapit e Gollakut.
Ai ka këmbëngulur se kjo histori e hidhur e Kosovës nuk duhet të harrohet dhe se kriminelët e shtetit serb duhet të dënohen .
“Janë fotografitë e zhvendosjes dhe eksodit brenda për brenda Kosovës, me tendencë për t’u dëbuar nga Kosova, dhe për t’u realizuar operacioni ‘Patkoi’. Pastaj mbijetesa normale, dhe djegiet, e masakrat”, ka thënë Hoxha.
Ndërsa Saranda Bogujevci, e mbijetuar nga lufta në Kosovë, ka thënë se është shumë me rëndësi ruajtja dhe dokumentimi i krimeve të bëra në Kosovë.
Në anën tjetër, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi, ka thënë se kjo ekspozitë përfaqëson një luftë makabre.
Më tutje, ish- komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka thënë se Kosova për 20 vjet nuk ka mundur të dokumentojë ato që për dy dekada ishin të shkruara në ballin e gjithë secilit. /KosovaPress/