Krimi i gjenocidit në Reçak dhe Konferenca Ndërkombëtare e Rambujesë (17)
INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (17)
Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së shtatëmbëdhjetë, ka folur për krimin e gjenocidit në Reçak dhe Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë. Ai ka theksuar se masakra dhe barbaria që kishin treguar forcat ushtarake dhe policore serbe, në krimin e gjenocidit në Reçak, nuk kaloi ashtu siç e kishin planifikuar autoritetet e Beogradit. Bardhyl Mahmuti thotë se qëndrimet e shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në atë për Kosovën, William Walker, tërbuan autoritetet serbe. Në këtë intervistë ai ka përmendur edhe disa fakte të Deklaratës së Grupit të Kontaktit. Ish-përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka komentuar edhe deklaratën në atë kohë të Adem Demaçit kundër negociatave.
“Epoka e re”: Siç e përmendët më lart, në takimet e ngjeshura diplomatike që kishit në atë kohë me bartës të institucioneve të BE-së dhe të diplomacisë amerikane, ju shpalosët prova të pakontestueshme se Serbia nuk u përmbahej kërkesave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për armëpushim dhe ndërprerje të armiqësive. Përkundër vendosjes së Misionit Verifikues të OSBE-së për ta mbikëqyrur respektimin e kushteve të vendosura me anë të rezolutës 1199, gjendja shkoi duke u përkeqësuar. Më 15 janar 1999 ndodhi krimi i gjenocidit në fshatin Reçak, ku u masakruan 45 shqiptarë. Për çfarë arsye kjo ngjarje pati ndikim të madh në reagimin e institucioneve ndërkombëtare?
Bardhyl Mahmuti: Gjatë procesit të shpërbërjes së Federatës së Jugosllavisë, ndërmjetësuesve ndërkombëtarë u kishte ardhur në majë të hundës mosrespektimi i vazhdueshëm i marrëveshjeve nga ana e serbëve në Kroaci dhe Bosnjë. Vendosja e Misionit të OSBE-së me qëllim që të shmangej katastrofa humanitare në Kosovë ishte shpresa e fundit për të krijuar parakushtet e një zgjidhjeje të çështjes së Kosovës nëpërmjet dialogut politik. Mirëpo, siç doli më vonë në shesh, pushteti në Beograd shpresonte ta nxiste ndërhyrjen e NATO-s, duke menduar se do të kishte “pak bombardime”, si në Bosnjë, dhe ta shfrytëzonte këtë rast si pretekst për ta realizuar projektin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Mirëpo masakra dhe barbaria që kishin treguar forcat ushtarake dhe policore serbe, në krimin e gjenocidit në Reçak, nuk kaloi ashtu siç e kishin planifikuar autoritetet e Beogradit.
Më 15 janar 1999, në ditën kur pushteti serb ishte në dijeni se shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së për Kosovën, William Walker, ndodhej për vizitë zyrtare në Mal të Zi, forcat ushtarake dhe policore serbe kryen akt gjenocidi ndaj shqiptarëve të fshatit Reçak. Mirëpo masakra dhe barbaria që kishin treguar forcat serbe nuk kaloi ashtu siç e kishin planifikuar autoritetet e Beogradit.
Të nesërmen, rreth orës 15, William Walker dhe zëvendësi i tij, gjenerali anglez Karol John Drewienkiewicz, vizituan vendin e krimit dhe pa asnjë hamendje shefi i Misionit deklaroi: “Janë vrarë me nga një plumb në kokë ose pas qafe”!
“Epoka e re”: Më kujtohet se në konferencën për shtyp që organizoi atë mbrëmje të 16 janarit kur u kthye nga Reçaku, z. William Walker deklaroi se “megjithëse nuk ishte jurist, sipas tij, në këtë fshat kishte ndodhur një krim kundër njerëzimit”!
Bardhyl Mahmuti: E saktë! Përveç cilësimit të krimit në Reçak si krim kundër njerëzimit, në këtë konferencë me gazetarë, ambasadori Walker tha: “Unë i akuzoj forcat policore dhe ushtarake serbe se janë përgjegjëse për këtë masakër. Para disa ditësh, Ushtria Çlirimtare e Kosovës liroi 8 ushtarë serbë. Prisnim një masë reciprociteti. E çka kemi në vend të saj? Vrasje të 40 civilëve të pafajshëm. Dëshiroj të di se kush ka dhënë urdhër. Duhet të dalin para drejtësisë. Kam kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë t’i dërgojë ekspertët e vet brenda 24 orëve, me ose pa viza, dhe e këshilloj qeverinë serbe t’i lejojë të hyjnë në territorin jugosllav”.
Një hapësirë e jashtëzakonshme në mediet ndërkombëtare iu dha deklaratave të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së për Kosovën, William Walker. Qëndrimet e tij tërbuan autoritetet serbe!
Jo vetëm që nuk i përfillën këshillat e tij, por të nesërmen e konferencës për shtyp të Walkerit, më 17 janar 1999, edhe pse ishte ditë e diel, Qeveria e Beogradit, në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme, shpalli William Walkerin “persona nongrata” dhe i dha një afat prej 48-orësh për t’u larguar nga Jugosllavia. Në të njëjtën ditë, me arsyetim se mandati i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë kishte të bënte me konfliktet e armatosura e jo me operacionet policore kundër terroristëve, autoritetet e Beogradit nuk i lejuan prokurores së atëhershme të kësaj gjykate, Louise Arbour, hyrjen në Jugosllavi.
“Epoka e re”: Megjithatë përpjekjet serbe për ta penguar ndriçimin e krimit në Reçak dështuan. Më 29 janar 1999, Grupi i Kontaktit për ish-Jugosllavinë shtroi si domosdoshmëri mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën. Si u prit Deklarata e Grupit të Kontaktit?
Bardhyl Mahmuti: Që të kuptohet drejt nga lexuesit e rinj rëndësia e madhe e kësaj deklarate po përmend disa fakte: – Çështjen e Kosovës Serbia e konsideronte si problem të brendshëm të saj dhe refuzonte çdo ndërmjetësim ndërkombëtar. – Në qëndrimet paraprake të Grupit të Kontaktit, të BE-së dhe të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, zgjidhja e çështjes së Kosovës shihej nëpërmjet dialogut të drejtpërdrejtë të autoriteteve serbe dhe të përfaqësuesve të partive politikë të Kosovës.
Deklarata e Grupit të Kontaktit imponoi ndërmjetësimin ndërkombëtar në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje politike dhe për këtë arsye kjo deklaratë paraqet kthesën vendimtare në trajtimin e çështjes së Kosovës.
“Epoka e re”: Më 29 janar 1999 nga Londra dhatë një intervistë për agjencinë “Reuters”, e cila u transmetua në BBC, CNN dhe “Euronews”. Ju e përkrahët publikisht Deklaratën e Grupit të Kontaktit. Meqenëse në atë kohë ishit në Londër, a patët ndonjë takim paraprak me diplomatë që merrnin pjesë në këtë takim?
Bardhyl Mahmuti: Një ditë përpara deklaratës në fjalë udhëtova në Londër me kërkesë të ambasadorit Rosin. Në bisedën që zhvilluam në të njëjtin hotel ku mbahej takimi i Grupit të Kontaktit, ai më njoftoi se Rusia dhe Italia kundërshtonin pjesëmarrjen e përfaqësuesve të UÇK-së në konferencën ndërkombëtare, me arsyetim se nuk bëhej fjalë për bisedime ndërmjet forcave ushtarake dhe se Serbia do të refuzonte të bisedonte për çështje politike me “terroristët”. Delegacioni i ShBA-së dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar këmbëngulte në përfshirjen e përfaqësuesve politikë të UÇK-së, sepse vetëm ata ishin përfaqësues legjitimë të saj! Këtë qëndrim e mbështetën edhe anëtarët e tjerë të Grupit të Kontaktit (Franca, Gjermania dhe Irlanda Veriore) dhe në fund Grupi i Kontaktit pranoi të mos ndërhynte se kush do ta përfaqësonte Kosovën në këtë konferencë.
“Epoka e re”: A patët mundësi t’i njoftonit përfaqësuesit e tjerë politikë për përmbajtjen e takimit që patët me ambasadorin Rosin, sepse në të njëjtën ditë kur u transmetua intervista juaj në mediet e lartpërmendura, mediet në Kosovë i dhanë një publicitet të madh intervistës që z. Demaçi i kishte dhënë një televizioni slloven një ditë më parë?
Bardhyl Mahmuti: Në pamundësi ta njoftoja Zyrën e UÇK-së në Prishtinë, sepse gjatë atyre ditëve Adem Demaçi ishte në Slloveni për analiza mjekësore, njoftova Xhavit Halitin. Ai ishte plotësisht dakord që UÇK-ja të merrte pjesë në Konferencën e Rambujesë. Nuk e di nëse Xhaviti ka mundur t’ua përcjellë përfaqësuesve të tjerë. Ndërkaq mediet në Kosovë kanë shtrembëruar përmbajtjen reale të intervistës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së. Fillimisht ta sqarojmë lexuesin se kjo intervistë ishte transmetuar një ditë përpara se të bëhej publike Deklarata e Grupit të Kontaktit. Çdokush që lexon brendinë e njoftimit lidhur me intervistën e Adem Demaçit do të shohë se titulli nuk përkon aspak me brendinë.
Adem Demaçi, që njihte jashtëzakonisht mirë funksionimin e pushtetit të Serbisë, tërhoqi vëmendjen në logjikën që kishin zbatuar serbët gjatë luftës në Bosnjë, ku nga njëra anë “bisedonin për të gjetur një zgjidhje politike”, ndërsa, nga ana tjetër, kryenin krimet më monstruoze. Në këtë intervistë Adem Demaçi nxori si pengesë kryesore të zhvillimit të negociatave këtë aspekt të funksionimit të Serbisë, ndërkaq gazetarët e papërgjegjshëm, nëpërmjet titullit bombastik kinse “Demaçi është kundër negociatave”, bartnin përgjegjësinë te ne!!!
“Epoka e re”: Cili ishte efekti i kësaj deklarate të z. Demaçi?
Bardhyl Mahmuti: Edhe përpara kësaj interviste Adem Demaçi kishte shprehur publikisht të njëjtat qëndrime. Nuk e di deri në çfarë mase kanë mundur të ndikojnë deklaratat e atij që fliste nga Prishtina në emër të UÇK-së, por është fakt i pakontestueshëm se pika e parë nga dhjetë 10 pikat që nuk mund të negocioheshin në këtë konferencë ishte “domosdoshmëria e ndërprerjes së menjëhershme të dhunës dhe respektimi i armëpushimit”!
“Epoka e re”: Kur folët për takimin me ambasadorin Rosin në Londër ju thatë se UÇK-në nuk mund ta përfaqësonte askush tjetër, pos përfaqësuesve të saj legjitimë. Në çka mbështetej legjitimiteti i Drejtorisë Politike, nëse përfaqësuesit e saj nuk kanë dalë nga një proces zgjedhor?
Bardhyl Mahmuti: Në politologji legjitimiteti nuk kufizohet në procedurat zgjedhore, por shënjon, para se gjithash, atë strukturë përfaqësimi që arrin të identifikohet me aspiratat e një projekti politik dhe që arrin të dëshmohet si bartës dhe realizues i vetëm i saj.
Drejtoria Politike e UÇK-së kishte trashëguar një kontekst të tillë ku institucionet më të rëndësishme të skenës politike ndërkombëtare (OKB dhe BE) e cilësonin si “organizatë terroriste”. Brenda gjashtë muajsh të punës intensive diplomatike të Drejtorisë Politike, kjo situatë u përmbys dhe jo vetëm që u hoq cilësimi negativ i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por Drejtoria Politike arriti të imponohet si forcë e patejkalueshme dhe udhëheqëse në bisedimet për ardhmërinë politike të Kosovës. Nga ky këndvështrim, ajo ishte plotësisht legjitime.
(Muhamet Mavraj / Vijon)