Krimi i organizuar dhe tiparet e tij të spikatura
Ky është një term i modernizuar dhe me dëshirën time nuk e kisha quajtur kështu me këtë term të zbutur dhe modern (krim i organizuar).
Shkruan: Arben Dashevci
Semion Mogilevich, Al Kapone, Çarls “Lucky” Luciano, Pablo Escobar, Xhon Goti, Hisajuki Mashi, “Toni i Madh” Akardo, Salvatore Rina, Davud Ibrahim, Ksie Kajping.
Këta çka kanë qenë: më së pari kanë qenë Mafia dhe Mafioz dhe tek pastaj krimin e kane pasur profesion.
Mirëpo si do që të jetë, shkrimi im është vetëm copëz shumë e vogël ,absolut shumë e vogël, sepse kam shumë për të thënë dhe shkruar, mirëpo ky mbetet vetëm një sensibilizim, që të dimë dhe të kemi sado pak njohuri këtë termin e zbutur dhe të modernizuar i quajtur Krim i Organizuar.
Grupet nuk i kam përmendur sepse do te ishte një shkrim jashtëzakonisht i gjatë, dhe për dikend shkrimi do të kalonte në monotoni, kjo është arsyeja ime e evitimit të disa gjërave, sepse ka të bëjë me atë që quhet njohuri e përgjithshme.
Dhe duke pasur parasysh që ky term i zbutur dhe i modernizuar (Krimi i Organizuar) në muajt e ardhshëm ka me qenë top tema, në vendin tonë.
Sado pak ky shkrimi im na ndihmon që të krijojmë përshtypjen, sepse na i tregon tiparet dhe funksionimin etj.
Ndërgjegjësimi dhe bashkëpunimi
Janë fjalë kyçe për një luftë edhe më të ashpër kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomik.
Pavarësisht ashpërsimit të politikave kundër krimit në Evropë dhe krijimit të organeve evropiane, të tilla si Europol, Eurojust, EMCDDA, apo OLAF dhe mbështetjes së madhe nga ana e institucioneve dhe strukturave të tjera ndërkombëtare, të tilla si Këshilli I Evropës, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara, Qendra SECI, Pakti I Stabilitetit, apo Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin, krimi i organizuar dhe krimi ekonomik në zonat e projektit ende vëzhgohet si fenomen më shumë kombëtar.
Llojet e krimit të organizuar
Tregjet kryesore kriminale të cilat janë të përbashkëta për shumicën e vendeve të Evropës janë:
- Trafiku i drogave;
- Trafikimi i qenieve njerëzore;
- Migracioni i paligjshëm;
- Krimi ekonomik, si evazioni fiskal, mashtrimi, kontrabanda (kryesisht e cigareve/duhanit), pastrimi i parave.
Në përgjithësi, duket se grupet e krimit të organizuar si organizata kriminale shumë funksionale, të strukturuara në mënyrë etnike, homogjene dhe hierarkike janë duke ndryshuar.
Grupet e krimit të organizuar më me influencë janë grupe të përbërë nga vendasit, me lidhje të fuqishme në rajon dhe në disa raste edhe me shtete te BE-së.
Grupet e krimit të organizuar janë duke angazhuar gjithnjë e më shumë profesionistë, të tillë si juristë, financierë, ekspertë të shërbimit financiar dhe “specialistë” të tjerë, për aktivitetet e tyre. Gjithsesi, emëruesi i përbashkët për të gjitha grupet apo rrjetet e krimit të organizuar në Evropën Juglindore, mbetet pastrimi i parave dhe një shkallë e caktuar korrupsioni (nga nivele të ulëta, tek nivele të larta), që lidhë strukturat e ligjshme me ato të paligjshme.
Dhuna dhe frikësimi
Dhuna përdoret për të shtrënguar disiplinën brenda vetë grupit të krimit të organizuar, ose kundër grupeve konkurruese. Sipas të dhënave, grupet shqiptare janë ndër më të dhunshmet në këtë drejtim, megjithëse shpërthime të dhunshme janë vërejtur edhe në të gjitha vendet e Evropës Juglindore.
Praktikat maskuese
Janë bërë një modus operandi i rëndësishëm i përdorur nga grupet e krimit të organizuar, për t’u mbrojtur nga organet e zbatimit të ligjit dhe për të ruajtur pozitën e tyre në tregjet evropiane kundër konkurrentëve të tyre.
Ato janë një prej arsyeve kryesore të zgjatjes dhe kompleksitetit të hetimeve mbi krimin e organizuar.
Praktikat maskuese më të zakonshmet kanë për qëllim mbrojtjen e komunikimeve ndërmjet kriminelëve, të cilët përdorin gjerësisht, telefonat celularë me kartë të ndërrueshme SIM, sikurse dhe mjete të tjera komunikimi të zëvendësueshme, të cilat i ndryshojnë shpesh, si dhe mesazhe gojore ose të shkruara, kodimin e të dhënave, rrjetet sociale etj.
Duke pasur parasysh pozitën e rëndësishme që krimi ekonomik dhe pastrimi i parave ka për të gjitha llojet e krimit, përdorimi i strukturave ligjore komerciale nga grupet e krimit të organizuar, është shumë i përhapur dhe realizohet nëpërmjet bashkëpunimit me një ose më shumë punonjës të brendshëm të këtyre strukturave (zyrtarë të bankës, ose të zyrave të regjistrimit, etj.) nëpërmjet blerjes ose investimit tek strukturat e ligjshme, ose nëpërmjet krijimit të kompanive fiktive.
TRAFIKIMI I QENIEVE NJERËZORE
Trafikimi i qenieve njerëzore, edhe pse përbën një krim të rëndë dhe shkelje e të drejtave të njeriut, në shumë vende vazhdon të trajtohet si shkelje e lehtë që nuk merr dënime të rënda e nuk kërkon pajisje special apo rrjete të komplikuara biznesi.
Trafikimi i qenieve njerëzore shpesh ka të bëjë me organizata kriminale që përdorin kërcënimin apo ushtrojnë dhunë, përdorin forcën, mashtrimin, gënjeshtrën apo mjete të tjera.
Duke pasur parasysh rëndësinë që marrin “Rrugët e Ballkanit” për kontrabandimin dhe trafikimin e një serie mallrash të kërkuara në tregjet evropiane, nuk është për t’u habitur qe një numër i personave të trafikuar, veçanërisht gra, kalojnë nëpër këto rrugë.
Funksioni i biznesit të trafikimit:
- Rekrutimi
- Mashtrimi me dokumentet e identifikimit
- Detyrimi i borxhit
- Shtrëngimi me dhunë
- Shfrytëzimi i vazhduar
KONTRABANDA E PERSONAVE
Emigracioni është një temë mjaft komplekse, qoftë si çështje sociale, qoftë si një problem kriminal. Protokolli i Kombeve të Bashkuara për Emigracionin nga Toka, Deti dhe Ajri ka për qëllim parandalimin dhe luftën kundër kontrabandës së personave.
Kjo e fundit ka ca ngjashmëri, në disa aspekte, me trafikimin e personave, por mes tyre ka disa ndryshime të rëndësishme. Së pari, kontrabandimi i emigrantëve, edhe pse shpesh kryhet në kushte të rrezikshme dhe degraduese, ka të bëjë me emigrant që kanë rënë dakord që të kontrabandohen, pra të kalojnë kufirin në mënyrë ilegale. Trafikimi i viktimave, në dallim me këtë, ka të bëjë me persona që nuk kanë rënë dakord për një gjë të tillë.
KRIMI EKONOMIK
Përshpejtimi i globalizmit ekonomik mbështetur në integrimin e tregjeve financiare globale dhe strategjitë e tregut të lirë e kanë pakësuar rëndësinë e kufijve, sikurse dhe kanë hapur dritare të reja për krimin ekonomik në Evropë.
Krimi ekonomik, ashtu siç përkufizohet në rekomandimin e Këshillit të Evropës, ka qenë një nga shqetësimet madhore të shoqërive evropiane për dekada të tëra.
Vendet e rajonit u përballën me forma të reja të krimit të organizuar që kishin lidhje me privatizimin dhe me sektorët bankarë dhe financiarë të sapokrijuar, të ndjekura nga evazion fiskal, mashtrime në fushën e doganave, mashtrime në fushën e falimentit, mashtrime në fushën e kredive financiare, korrupsion dhe pastrim parash.
Krimi ekonomik ka avancuar dhe përbën një shqetësim të veçantë për këto vende, për shkak të përmasave të tij të dukshme, humbjeve të jashtëzakonshme dhe impaktit në ekonomi, që ndjehet në masën më të madhe nga publiku i vetë këtyre vendeve.
KORRUPSIONI
Korrupsioni nuk përbën çështje specifike vetëm për Evropën ose te ne. Ai është I vjetër sa edhe raca njerëzore dhe ka përfshirë gjithë planetin.
Në vendet në tranzicion, ose në krizë, korrupsioni mendohet se ka përshkuar shumicën e strukturave të jetës publike, duke përfshirë organet e zbatimit të ligjit dhe sistemin e drejtësisë penale. Pagat e ulëta, papunësia, pasiguria dhe varfëria si dhe shpesh shembulli që ndiqet nga zyrtarët e lartë, i bën nëpunësit publik, subjekte të pambrojtur dhe partner të besueshëm për grupet e krimit të organizuar.
Ai ndikon administratën publike, politikanët, administratën e tatimeve dhe doganat, shërbimet kufitare, sistemin e drejtësisë penale, median dhe sektorin privat nëpërmjet përdorimit të ryshfeteve dhe mjeteve të tjera korruptuese siç janë mbështetja në marrëdhëniet padron-klient, nepotizmin, favorizimin, lidhjet familjare, marrëdhëniet etnike etj.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar mendohet se janë dy anët e të njëjtës medalje.
Korrupsioni është gjithashtu i rëndësishëm si praktikë maskuese për aktivitetet e krimit të organizuar.
Grupet e krimit të organizuar e përdorin korrupsionin për të depërtuar në shtet, ekonominë e ligjshme, organet e zbatimit të ligjit dhe politikën dhe konsiderohet si një praktikë maskuese shumë më e fuqishme dhe me një nivel të caktuar garancie.
Ashtu siç e ceka në fillim krejt këto tema kanë me qenë top tema në vendin tonë në muajt në vijim, prandaj mbes me shpresë që krijuam një përshtypje bashkërisht.
Këto janë sfida për vendin tonë, dhe nevojat tona imediate ne aspektin e sigurisë i kam cekur po në këtë Gazetë/Portal të respektuar me datën 14.02.2021,dhe ky shkrim është vazhdimësia e atij shkrimi.
Atëherë në atë shkrim kam shkruar dhe po e përsëris prap: pa i luftuar këto dukuri kancer gjene me njëmend dhe me shumë seriozitet, atëherë dhe tash po e them se nuk ka liberalizim vizash dhe asgjë pozitive për këtë vend.
Absolut asgjë.