Kritik për librin e Jahja Llukës “Mos eja në ëndërr”
Isuf Heba
Libri “Mos eja në ëndërr”, i poetit Jahja Lluka, vjen për lexuesin si një vlerë e shtuar, në fondin e artë të letërsisë. Ky libër sapo ka nisur rrugëtimin e tij për tek lexuesit dhe mendoj se do të jetë një vepër mjaft interesante dhe befasuese. Jam i këtij mendimi, pasi unë vetë, si një i tillë, jam befasuar mjaft, duke jetuar çastin e asaj bote reale, që autori, na e servir nëpërmjet këtij vëllimi poetik, vargut të bardh lirik, mjaft të veçantë, dhe gjithashtu, letrare-artistik dhe filozofik njëkohësisht. Kompozimi i veprës është mjeshtëror. Libri “Mos eja në ëndërr”, është një apologji filozofike. Autori, nëpërmjet virtuozitetit dhe ëmbëlsisë së vargut, larmisë së frymëzimit, idesë dhe figurës letrare, si dhe elementeve përbërës të rëndësishëm tjerë. Siç janë metafora, aliteracioni, anafora, inversioni, metanomia, eksklamacioni, enumeracioni si dhe similituda, depërton lirshëm në ndjesitë dhe përjetimet tona. Gjithë këtë fond të artë të letërsisë si terminologji, morfologjia e së cilës i jep jetë dhe kuptim gjithë veprës, lexuesi i gjen përmes vjershës së tij, vjen tek lexuesi me një larmi tipesh dhe karakteresh. E gjithë kjo, na krijon një ansambël të vërtetë ndjesie psiko-emocionale dhe artistike, si në aspektin artistik dhe filozofik të veprës, ashtu dhe formës kompozicionale. Libri është një triptik, që përmbledh në vetvete të tre pjesët e librit të titulluara “flas”, “larg” dhe “vargje për ty”.
Ato kanë mes vete një lidhje organike gati të njëjte, por me një bukuri ndërtimi dhe kompozimi të veçantë, të dalluar jo me lehtësi, prej lexuesit. Titulli i librit është intrigues dhe të rrëmben si lexues, është mjaft domethënës, pra shumë kuptimplotë dhe shpreh dhe përfaqëson më së miri, brendësinë dhe botën shpirtërore të poetit. Autori, pa dyshim që vështron disi më ndryshe, ka një këndvështrim më të gjetur, pa u lodhur dhe aq, për ta hulumtuar, apo sajuar atë. Ai hyn në detaje, dhe i bën një apologji të vërtetë momentit lirik ku gjendet. Të duket se ndonjëherë, s’ka më se çfarë të thotë, por në të vërtetë nuk ndodh ashtu, sa hap faqen tjetër, ti stepesh duke lexuar një poezi edhe më interesante. Të gjithë titujt e vjershave, të duket sikur i ka skalitur dhe vendosur në radhë, në murin e vargut të gllendur, për ta pasur më të lehtë që ta lexosh dhe komentosh. Ai është futur natyrshëm rrjedhshmërisë së jetës, duke përdorur veten e parë, pra duke qenë vetë protagonisti dhe herë bëhet lodërtar me të, e herë i rri vrenjtur asaj. Këtë, si një dukuri e vërejtur më së miri tek të gjitha poezitë e tij, ku syri bie në kontakt, si me titullin e vjershës, formën kompozocionale, brendësinë dhe metrin e vargut.
Tek ky libër, gjithçka na vjen natyrshëm, nëpërmjet kronologjisë së ngjarjes së paraqitur në vargje, ku autori, në kuptimin metaforik lot me të bukurën, e përkëdhel atë, në mënyrë shumë mjeshtëror e virtualisht dhe të kujton, mjeshtrin e pianos, kur luan mbi tastierë, me notat e muzikës, duke ndezur ndjenjën tënde shpirtërore. Vargu është i lirë, i bukur dhe i mbërthyer mirë mbas murit, që mban në vetvete ndërtimin e vjershës. Ky varg është sa i thjeshtë dhe filozofik. Ajo që të bie në sy menjëherë, është mënyra e këndvështrimit të tij, prej një mendjeje të sprovuar dhe praktikuar, lëvrues i këtij vargu, që duke aluduar dhe kapur fort mbas së bukurës dhe hireve të saj, arrin të depërtojë në brendësinë e ndjenjës sonë sentimentale, shpirtërore. Për ta ilustruar, nga vjersha “Kaçurrelja” shkëputa në kontekst këto vargje: “Shikimi i saj më verboi”. “Ajo ish më e bukur se pikturat”. Ose tek vjersha “I marrë”- I marrë jam pas teje, bota le ta di, le të qeshin, nuk mërzitem. Nuk është aq interesante, që autori është shumë i qartë, praktik dhe di t’i shmanget momentit tragjik sentimental. Tek vjersha “Harromë”, ja si e shpreh atë:- Më mirë më harro, nuk ndjej më asgjë… Ndonëse ka raste kur e lakmon prehrin e saj të ngrohtë, duke kërkuar me çmos paqen e shpirtit të trazuar, duke i thënë: Tërë natën po të ëndërroj. Zemra ime e pambrojtur, askund nuk gjen qetësi. Për t’ju shmangur monotonisë dhe drojës për bezdisje të lexuesit, aty këtu, në harmoni të plotë, ai e ndërthur veprën e tij me vargje të tjera jashtë kontekstit të dashurisë, por në pjesën më të madhe e ka vështirë t’i shmanget asaj, pasi gjithë librin, toni lirik, ndonëse nuk vjen i rimuar, e bën një të tërë.
Në momentet që ia del, vjen i veçantë, si tek vjersha “Rojtari i natës”, ku autori tregon se është Muza poetike, që e bën të jetë ky rojtari i natës. Agimi është gati të zbardhë, unë nuk fle. Ca m’ duhet gjumi, shpesh më duket i lodhshëm, gjysmë vdekje.Në këtë lirishtë të lirikës së autorit Jahja Lluka, pavarësisht tendencës për t’ju shmangur kthetrave sentimentale, poeti na vë në lëvizje që të përzgjedhim çastin e duhur që t’i shmangemi mundësisë së tepruar. Hera-herës autori e reflekton atë, për ta përcjell edhe si një mesazh të pa pretenduar, ose të kujton se e bukura nga ndonjëherë është dhe e shëmtuar. Në një analizë më të plotë, do të thoja se autori vjen në sinkron me të përditshmen, me jetën tonë reale. Tek ky libër, morfologjia e së cilit e fut në një analizë të plotë veprën, ngandonjëherëna bën të jemi edhe retro me kohën dhe vlerësimin e saj… Fjalët si turpi, frika dhe hija e të tjera, patjetër që na sjellin në mendje, doket e zakonet tona, prej së cilave domosdo që kemi një lloj ndikimi, si në kulturë dhe psikologjinë tonë, dhe praktikish pavarësisht, identiteteve tona kombëtare, pavarësisht ndryshimeve të mëdha, si në aspektin kulturor në përgjithësi, të globalizimit, ekonomisë së tregut dhe infrastrukturës së përmirësuar veç e veç, tendenca e një qytetërimi kozmopolit sa vjen dhe rritet çdo ditë dhe është vështirë t’i shmangesh kësaj qasjeje, a trendi modern.
Nuk është se autori na ka lodhur, apo na ka strapacuar me vargun e tij, duke mos pasur një fonologji të mirëfilltë rime, përkundrazi ai mbahet fort tek sintaksa e librit, e sistemit gjuhësor dhe në harmoni të plotë me komponentët e tjerë gjuhësorë, e bën librin intrigues dhe tërheqës. Autori tenton të hapë dritare të re, prej nga ku njeriu edhe duhet të shikojë dhe ndërtojë të ardhmen. A nuk është se, kur ai na tërheq për aty, nëpërmjet përkëdhelisë së vargut, na duket se na lodh, ose stërmundon dhe pastaj, ashtu të drobitur, na jep dorën për të mos qëndruar gjatë, duke dashtë teprimin? Vetë atij i pëlqen e bukura, por në asnjë rast, ai nuk i jepet asaj dhe bëhet tregues dhe udhërrëfyes, duke e shmangur vetë kompromisin. Ky moment, i cili vjen i kuptimtë, në rrafshin filozofik, është dhe një mesazh, gjë për të cilin autori, siç thamë, nuk është se pretendon dhe aq, por nëpërmjet poezisë së tij, të ngacmon si pa dashje, duke të thënë: Ej kujdes, jeta nuk është një vjershë.. Kjo e shtrirë, në rrafshin poetiko-artistik dhe filozofik. Në rrafshin tjetër, psiko-sentimental-emocional, autori është mjeshtër i fjalës dhe e përdor atë shumë bukur dhe në harmoni të plotë me ngjarjen.
Një vlerësim i veçantë për autorin, është përdorimi gjuhës së njësuar letrare. Lexuesi, jam i bindur se do të përhumbet në similitudën e jetës reale. Libri shpreh në vetvete një metamorfozëtë re, sentimentale, por dhe të asaj reale në tërësinë e vet, ndaj dhe e quajtëm një metamorfozë. Në vjershën “Flas”, në pjesën e parë, autori thotë bukur: Sogjetare jam, i ëndrrës së perënduar. Më dëgjo fjalën e pathënë, e të humbas në doravate e pajës sate. Autori këto plot bukur me fjalën, ai rrëshqet ëmbël mbi trukun filozofik të ndërtimit të vargut dhe na e servir me një lloj eposi lirik lasgushjan, dhe mos u çudit. Tek vjersha similitude e titulluar “Ty”, në kapitullin “Larg” të këtij libri autori thotë, pra i drejtohet muzës në këtë rast, një metaforë e fjetur, që lexuesin e zgjon kur përballet me të, “Ty që shfaqesh rrallë, si një vizion që më rrëshqet nga dora, s’di si ta shfaq këtë ndjesi. Në këtë rast, përtej asaj që perifrazon poeti në vargjet e tij, duke iu drejtuar natyrshëm ndjenjës për të bukurën, përveç sentimentit në formën me elakuente të shprehjes, ai dron edhe se mos do ta lëndojë, dhe e mbështjell me një metaforë përkëdhelëse mjaft të goditur.
Ne jemi engjëj, me trupa njeriu, me krahët e shpirtit fluturojmë lartë. Tek ky libër, autori na krijon mundësinë që ta shikojmë edhe ndryshe, rebelimin e poetit, shpirtin rebel të tij, që në këtë rrëfenje, (le të quajmë kështu) ai merr përsipër, të jetë vetë protagonisti, personazhi i parë që e udhëheq gjithë ngjarjen që zhvillohet brenda vargjeve, brenda gjithë poezive të tij. “Mos eja në ëndërr”, thotë diku poeti, “As në mendime nuk më duhesh, gjej rrugën, unë s’jam më me ty”. Tek ky libër, poeti, na i jep të dy mundësitë, të parën, mundësinë të ndjejmë dhe të dytën, mundësinë kur kërkohet të ndahesh prej saj, duke na lënë që të kuptojmë filozofinë e të jetuarit në raport me shoqërinë.
Tek ky libër, lexuesi ka fatin e mirë të njihet me poetin, me gjithë horizontin dhe gjeografinë e mendimit dhe të eksklamacionit të tij, në një sentiment tjetër, me identifikues, në dashurinë që ai ka për vendin dhe atdheun e tij. “ Të falëm Kosova ime, o dritë e botës, gjaku i Dardanëve, strehë e perëndive”, duke na sjellë ndërmend një poezi shumë të njohur të poetit të madh Ali Podrimja. Kjo dëshmon se poeti është mjaft i lidhur me vendin dhe fatin e vendit të tij. Me këtë eksklamacion, ai duket se nuk do të reshtë kurrë në obligimin, që vendin të tij i ka borxh, jo vetëm dashurinë, por edhe jetën. Mendoj se kjo vepër e poetit Jahja Lluka, jo vetëm se është një vlerë e shtuar, por ai na ka sjellë edhe diçka të re, si stilin e të shkruarit, ashtu dhe kompozimin e saj. Në brendësinë e librit, kjo e re mendoj se është vargu, me të cilën ai e paraqet lirikën e tij, para mendjes dhe syve të lexuesve. Poeti ndonjëherë, pasi lodhet dhe bezdiset nga jeta e trazuar, i drejtohet muzës: një metaforë e fjetur, ku siç thamë më lartë, e zgjojmë kur duam: “Të ikim larg nga këtu, eja ma zgjat dorën dhe më beso, do të thurim magjinë me shpresë, e ardhmja është për ne”… Këtu poeti na mëson se nuk duhet të humbasim për asnjë çast shpresat tona, të biem në batakun e zollumit që politika lë pas.
Poeti të udhëheq dhe tregon, gjithmonë ka një rrugë, gjithmonë ka një zgjidhje. Edhe këtë rrugë, edhe këtë zgjidhje poeti na tregon me nota dashurie dhe sjelljes së mirë. Vetë poeti konfirmohet se është një elitar dhe se i përket një qytetërimi kozmopolit. Ky libër pa dyshim që do të jetë një hark i shtuar mbi urën që lidh kufijtë tanë që ia vendosën trupit, por jo zemrave tona. Shpresoj gjithashtu që ky libër, e shumë e shumë të tjerë në dy anët e kufirit, do të përkundin ëndrrën e parealizuar deri tani për një Shqipëri pa kufij dhe një letërsi vetëm shqiptare.