Kritika gjermane për opozitën shqiptare: Parlamenti të mos anashkalohet
E konsiderojmë të papërgjegjshëm bojkotin e Parlamentit nga partitë opozitare. Demokracia nuk funksionon në këtë mënyrë.
Kështu ka deklaruar sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth. Duke folur për “Deutsche Welle”-n pas takimit në Berlin me ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ka thënë se shqetësimi i tij është ai që kanë përcjellë në kor edhe zëra të tjerë të komunitetit ndërkombëtar.
“Ne kërkuam që të ndërhyhet për zbutje, por kam frikë se situata tashmë është shumë e helmuar”, ka thënë Roth, duke treguar se cili është qëndrimi i tij lidhur me akuzat e opozitës se, qeveria i ka blerë votat në zgjedhjet e mëparshme, gjë që e bën sipas saj Parlamentin jolegjitim.
“Akuzat duhet të bëhen me anë të institucioneve të shtetit të së drejtës. Si mund të bëhen ndryshe? Shteti i së drejtës nuk mund të anashkalohet duke ndalur punën në Parlament. Demokracia nuk funksionon në këtë mënyrë. Kush vepron kështu, me sa duket nuk i ka kuptuar parimet e shtetit të së drejtës”, ka thënë Roth.
Ngërçi i krijuar ka bërë që të hidhen hije dyshimi mbi çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Procedura është shumë e qartë: raporti i progresit të Komisionit Evropian do të publikohet më 29 maj”, ka thënë ai.